Viti shkollor ka filluar me problemet e vjetra në shkollën fillore “Dituria” në fshatin Goshincë të komunës së Likovës. Arsimtarët e kësaj shkolle po vazhdojnë ende ti praktikojnë vetëm ditarët e zakontë, edhe pse me sistemin e ri, e kanë të obliguar ta plotësojnë edhe atë elektronik.
Për shkak të mungesës së rrjetit të internetit në ditarët elektronik janë të shënuara vetëm të dhënat e nxënësve tha arsimtari i kësaj shkolle Qerim Zymberi.“I kemi plotësuar në fillim gati një muaj kur u sjell vendimi të plotësojmë përmes kompjuterëve, mirëpo atë e kemi plotësuar te shkollat qendrore në fshatin Likovë dhe disa nëpër shtëpi, për shkak se këtu në fshatin Goshincë nuk kemi rrjet kompjuterik dhe kompjuterë nuk kemi. Në ditarët elektronik i kemi vetëm emrat e nxënësve, tjetër asgjë nuk kemi”, informon Zymberi.
Shkolla Dituria, që gjendet në një fshat malor, është 17 kilometra larg komunës së Likovës, dhe rruga që çon atje është e paasfaltuar, dhe makinat ngjiten me vështirësi. Arsimtarët ndërkaq, që të arrijnë deri tek vendi i punës, udhëtojnë bashkërisht me një furgon. Me gjithë vështirësitë në infrastrukturë, arsimtarët po ankohen edhe për mungesën e pajisjeve për të zhvilluar mësimin në këtë shkollë periferike.
“Për punën edukativo arsimore që zhvillohet, mjetet mund të themi se këtu përdoret vetëm dërrasën e zezë dhe shkumësin e bardhë edhe varësisht nga metodat e arsimtarëve i cili do të mundohet me vizatime të ndryshme me fletëza ta bëjë sa më cilësore orën edukativo arsimore”, thotë Rami Sinani, përgjegjës i nëndegës së Sh. F. “Dituria” në fshatin Goshincë.
E nxënësit, mezi arrijnë të punojnë me kompjuter gjatë testimit ekstern, sepse ato nuk kanë pasur mundësi asnjëherë të kenë kompjuterë. “S’kemi ditur, s’kemi pasur kurrë kompjuter, prandaj kemi pasur vështirësi gjatë testimit ekstern”…”Dinim nga pak, duke i parë të tjerët”, shprehen ata, duke treguar se ndonjëherë kanë pasur ndihmë nga arsimtarët.
Për çështje sigurie kompjuterët po qëndrojnë në shkollën qendrore në Likovë, thotë Përgjegjësi për arsim në Komunën e Likovës, Xhevdet Rahmani. “Kompjuterët janë në shkollën qendrore, por shkaku se nuk kanë ku ti ruajnë atje do me thënë siguri nuk ka, rrjet nuk ka për atë arsye nuk ja ka dhënë drejtoria ti mbajnë aty. Me Tekstet shkollore kemi problem në të gjithë Republikën e Maqedonisë, pasi që viti i pestë sivjet është se tekstet nuk nderohen do me thënë janë vjetërsuar”, thekson Rahmani.
Drejtori i shkollës “Dituria”, shpjegon se kërkesën për rrjet e ka bërë para 14 muajve, por përgjigje s’i ka kthyer askush. “Në shkollat periferike e kemi problem, ky projekt ka qenë një kompjuter për secilin nxënës, ka thënë ministria e arsimit para 6 vjetëve. Ministria e arsimit e ka bërë të gjithë instalimin për kompjuterë mirëpo për fat të keq brenda javës bashkëfshatarët e Goshincë i kanë hekë ato kabllot prej klase, i kanë dëmtuar, dhe ndërkohë ne kemi kërkuar përsëri nga ministria e arsimit të dalin ta bëjnë instalimin e rrjetit, por përgjigje nuk kemi marrë ende, ne kërkesën e kemi bërë me 14.07.2014”, shprehet Nagip Arifi, drejtor i Sh. F. “Dituria”.
Tekstet shkollore, këtyre fëmijëve ende po u mungojnë, dhe mësimi për to vazhdon të mbahet në kushte të mjerueshme.
Miradije Hasani