Filluan kremtimet e 11 Tetorit, Veljanovski bën thirrje për unitet

TË FUNDIT

Kremtimet e 11 Tetorit, ditës së kryengritjes kundër fashizmit, filluan me akademi solemne në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë, ku ishte i pranishëm i gjithë kreu shtetëror.

Në fjalimin e tij drejtuar publikut, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski bëri thirrje për unitet dhe  përgjegjësi për një Maqedoni më të mirë. “Në këtë 11 tetor, kur të gjithë e kujtojmë periudhën e Luftës së Dytë Botërore, të thirremi në shembujt pozitiv të historisë tonë.  Të kujtojmë se nën flamurin e lirisë, barazisë, u sakrifikuan edhe e majta edhe djathta.  Të kujtojmë se së bashku në luftë kundër armikut kanë marrë pjesë maqedonasit, por edhe shqiptarët, turqit, romët, serbët dhe të tjerët. Të kujtojmë se viktima të skllavërisë ishin edhe krishterët, por edhe myslimanët dhe  hebrenjtë”, theksoi Veljanovski.

Veljanovski nuk harroi të cekë edhe krizën momentale politike në të cilën po kalon vendi jonë. Ai tha se qytetarët kanë forcë që ta tejkalojnë edhe këtë krizë. “Qytetarët kanë forcën që të tejkalojnë gjithçka, do të tejkalojnë edhe këtë gjendje. Koha do të kalojë. Tymi do të lëshohet. Bombat do të pushojnë. Emocionet do të tejkalohen. Shumë punë do të kthehen në vendet e tyre të natyrshme.Megjithatë një  punë do të qëndrojë deri në fund të kohës. E ajo është e vërteta”, vlerësoi ai.

Përndryshe, nesër festohet 11 Tetori, dita kur para 74 viteve popujt e Maqedonisë filluan kryengritjen kundër okupatorëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Furkan Saliu