VV: Janë bastisur zyrat e deputetëve

0

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmes një njoftimi për media bën të ditur se sot rreth orës 18:00, Policia e Kosovës ka bastisur në zyrat e Kuvendit të Kosovës.

Sipas VV-së policia ka ftuar në intervistë Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, por të cilët nuk ishin aty.
Policia konfirmon bastisjen në zyrat e deputetëve të VV-së në Kuvend.

Mbrojtja e votës: “Civil” me fushatë vetëdijësimi

0

Organizata joqeveritare “CIVIL” sot promovoi projektin e titulluar “E drejta ime e votimit” për të edukuar dhe mobilizuar qytetarët për mbrojtjen e të drejtës së votimit.

Kryetari i kësaj organizate, Xhabir Deralla theksoi se askush nuk ka të drejtën të tregtojë apo kushtëzojë  të drejtën apo dëshirën e lirë të zgjedhësve. “Kjo është pjesë e përpjekjeve tona, që t’i mobilizojmë sa më shumë qytetarët. Ata të bëhen vëzhgues aktiv të procesit zgjedhor. Qytetarët duhet të jenë vëzhgues aktiv, pavarësisht preferencave të tyre politike. Ne do të gjejmë mënyra për të dëgjuar mendimet e tyre”, informoi Deralla.

Sipas tij, një numër i madh i qytetarëve nuk janë të lirë gjatë votimit, për shkak të ndikimeve, shantazheve apo kërcënimeve politike. “Një numër i madh nga trupi votues është nën presion, nën kërcënim, ose janë subjekt i praktikave korruptuese të pushtetit, respektivisht partive në pushtet.  Është momenti që të ndërpritet kjo praktikë dhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të kemi një proces zgjedhor të lirë, duke ndryshuar praktikat e deritanishme”, vlerësoi Deralla.

Organizata “CIVIL” fton qytetarët që t’i bashkëngjiten këtij projekti që ka si qëllim mbrojtjen e të drejtës së votës dhe anashkalimin e çdo lloj keqpërdorimi.

Miradije Hasani

Marsh në Prishtinë: Në përkrahje të rektorit Zejnullahu(VIDEO)

0

Sot në Prishtinë u marshua në përkrahje të rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.

Studentë, anëtarë të shoqërisë civile dhe intelektualë kërkuan forcimin e autonomisë së UP-së ,Të ndërprehet presioni që po i bëhet ditëve të fundit menaxhmentit aktual si dhe arsimi të bëhet prioritet shtetëror.Ata i quajtën grupe kriminale të udhëhequra nga partitë politike ata që po kundërshtojnë punën në UP. / 21 Media

Enti Statistikor: Në gusht të dhëna 206 leje për ndërtim

0

Në gusht të këtij viti janë dhënë 206 leje për ndërtim, që është për 32,9 për qind më shumë në krahasim me muajin e njejtë të vitit paraprak, informoi Enti Shtetëror për Statistikë.

Nga numri i tërësishëm i lejeve të dhëna për ndërtim, 111 përkatësisht 53,9 për qind janë destinuar për objekte të ndërtimit të lartë, 43 ose 20,9 për qind për objekte të ndërtimit të ulët, dhe 52 (25,2 për qind)  për objekte për rikonstruim. Për 115 objekte (55,8 për qind) investitorë janë subjektet afariste.

Sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, vlera e parashikuar e objekteve arrin 3,616 miliardë denarë që është për 299,8 për qind më shumë në krahasim me muajin e njejtë të vitit të kaluar.

Për herë të parë në histori Kosova do të ketë Kodin Civil

0

Kosova për herë të parë në histori do të ketë Kodin Civil, i cili do të bëhet në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare si parakusht edhe për zhvillim ekonomik të Kosovës.

Kjo do të mundësonte rregullimin e raporteve të ndryshme juridiko civile me dispozita që njëkohësisht janë funksionale dhe të qëndrueshme për vendin.

Këto konkluzione u dhanë gjatë takimit të Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, në cilësinë e kryesuesit të këtij komisioni, ka thënë se puna në finalizimin e Kodit Civil, është vepra më kapitale për Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe për sistemin e të drejtës civile në përgjithësi.

Ai theksoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë për punën e Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

Në vijim të takimit, kryesuesit e grupeve punuese prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet kryesore të nxjerra nga takimet e mbajtura më parë ku janë diskutuar raportet e vlerësimit të hartuara nga Projekti “Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore”.

Për 20 për qind më shumë pasagjerë, 10 për qind më shumë fluturime në aeroportet e Maqedonisë

0

Në aeroportet “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe “Shën Apostol Pali” në Ohër në nëntë muajt e parë kanë udhëtuar 1.183.728 pasagjerë, që është rritje për 20 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar. Në të dy aeroportet janë realizuar 11.695 fluturime, me ç’rast rritja në nivel vjetor është 10 për qind, informojnë sot nga “TAV Maqedoni”, kompania e cila operon me aeroportet e Maqedonisë.

“Për dallim nga aeroportet  në Bashkimin Evropian ku në gusht mesatarja për rritje të numrit të pasagjerëve është 5,2 për qind, ne shënojmë rritje prej 30 për qind në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit në shtator, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar”, ka deklaruar Zoran Krstevski, drejtor i përgjithshëm i TAV Maqedoni. Ai potencoi se kohëve të fundit është rritur dukshëm edhe interesi i qytetarëve nga vendet fqinje, si nga Kosova, Shqipëria dhe nga Serbia, për udhëtim përmes aeroportit të Shkupit “Aleksandri i Madh”, që e tregon pozicionimin e tij si qendër kryesore mes aeroporteve në rajon.

Sipas të dhënave të TAV Maqedoni, destinacioni më frekuent nga “Aleksandri i Madh” edhe më tutje është Stambolli me 14,4 për qind  pjesë të tregut në komunikacionin e tërësishëm, pas së cilës vijojnë  Cyrihu, Vjena, Malme, Bazel dhe Londër. Nga janari deri në shtator të këtij viti  numër më të padh të pasagjerëve ka transportuar “Vizz Air” e cila ka 49 për qind pjesëmarrje në treg, pas së cilës vijojnë “Turkish erlajns”, “Austria erlajns”, “Pegasus erlajns” “Er Serbia” dhe “Edeluejd”.

Në Maqedoni kanë kaluar 127.553 migrantë, 2.569 vetëm dje

0

2.569 shtetas të huaj morën vërtetime për qëllimin e shprehur për të paraqitur kërkesë për njohjen e të drejtës për azil gjatë ditës së djeshme dhe mbrëmë.

Kufirin në afërsi të Gjevgjelisë e kanë kaluar 1.512 meshkuj, 369 femra, 553 fëmijë të cilët shoqërojnë mbajtësin e vërtetimit, si dhe 135 fëmijë që udhëtojnë pa një prind.

Sipas shtetësisë së personave të cilëve u janë lëshuar dhënë vërtetime, siç kumtoi MPB-ja, shumica janë shtetas të Sirisë – 1.463, Afganistan – 707, Irak – 234, ndërsa të tjerët janë më pak.

Në periudhën prej 19 qershori deri më sot në orën 8:00, janë dhënë vërtetime për gjithsej 127.553 shtetas të huaj, nga të cilët 83.924 meshkuj, 16.921 femra, 22.102 fëmijë që shoqërojnë mbajtësin e vërtetimit, si dhe 4.606 fëmijë që udhëtojnë pa një prind, të cilëve u janë dhënë vërtetime për qëllimin e shprehur të paraqitjes së një kërkese për njohjen e të drejtës për azil.

Sipas shtetësisë së personave të cilëve u janë dhënë vërtetime, më të shumtë janë qytetarët e Sirisë – 91.654, pastaj Afganistani – 18.462, Iraku – 8.311, Pakistani 3.213, Palestina – 1.273, Iran – 1.006, Somalia – 746, Bangladeshi – 740, Kongo – 426, Nigeria – 229, Kameruni – 202, Eritrea – 172, Etiopia – 144, Sudani – 123, ndërsa të tjerët janë në numër më të vogël.

Në periudhën prej orës 8:00 dje deri sot në sot në mëngjes në Repartin për azil janë paraqitur 18 kërkesa për njohjen e të drejtës për azil në bazë të vërtetimit të lëshuar më parë, ku 14 kërkesa janë nga qytetarët e Sirisë, pesë prej tyre fëmijë, dhe nga dy kërkesa nga shtetas të Libanit, Palestinës, (tre nga kërkesat janë për fëmijë).

Që nga fillimi i dhënies së vërtetimeve e deri më sot në Repartin për azil janë paraqitur 68 kërkesa për njohjen e të drejtës për azil në bazë të vërtetimit të lëshuar më parë, ku 51 kërkesa janë nga qytetarët e Sirisë, 15 prej tyre fëmijë, pastaj tre kërkesa nga qytetarë të Pakistanit dhe Afganistanit katër prej tyre janë fëmijë që shoqërojnë prindërit, nga dy kërkesa nga qytetarë nga Maroku, Libani, Palestina, Algjeria dhe Iraku (katër prej kërkesave janë për fëmijë) dhe një kërkesë nga një shtetas i Egjiptit.

Gjatë 24 orëve të fundit në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Shkup kanë lindur me lindje normale dy emigrante nga Siria dhe Afganistani:

Në vazhdimsi zbatohen dhe ndërmerren masat e përgjithshme parandaluese për dezinfektim dhe dezinsektim, ku është kryer dezinsektim i tërësishëm i Qendrës së transitit Gjevgjeli, si dhe dezinfektimi i plotë i Qendrës për tranzit Gjevgjeli dhe Stacioni për ndihmë në Tabanovc dhe dezinfektim i transportuesve të komunikacionit hekurudhor.

Në klinikën e disperzuar në Qendrën tranzitore Gjevgjeli është dhënë mbrojtje shëndetësore 15 migrantëve dhe një transport deri tek spitali i përgjithshëm në Gjevgjeli.

Ekipet mobile të Kryqit të Kuq, nga ora 21:00 më 7 tetor deri në ora 21:00 në vendkalimin kufitar Tabanocë kanë dhënë ndihmën e parë 161 personave, kanë transportuar një person në Spitalin e Kumanovës, kanë dhuruar 444 shishe ujë, 16 pako biskota, 37 pako bukë të thekura etj .

Në Gjevgjeli është dhënë ndihma e parë për 1.067 persona dhe është dhuruar ushqim.

Humbja me Serbinë, Cana: Faji ishte i imi…

0

“Është hera e dytë që pas ndeshjes me Portugalinë që pësojmë golin në fund. Në qoftë se nuk e kishim edhe fuqinë dhe freskinë nuk duhet të kishim pësuar. Duhet t’i thoshim skuadrës, edhe trajneri i pari duhet t’i thoshte që të mos ikim përpara”,- kanë këto fjalët e kapitenit Lorik Canës i cili pranon fajet për humbjen.

“Nuk e zbatuam mjaftueshëm atë që na kërkohej. Ekipi tregoi një dëshirë të jashtëzakonshme për të fituar lojën dhe kjo na penalizoi shumë në minutat e fundit. Duhet të kishim mjaftuar 0-0, që do të na çonte me dy rezultate në Armeni. E mësuam që Portugalia duhet të kishte fituar nga tifozët”, – tha ai.

“Trajneri na dha sinjalin që të rrimë me pozicion. E përsërita dy-tri herë, mund ta marr edhe unë përgjegjësinë për humbjen.

Duhet të isha më këmbëngulës që t’i mbaja afër vetes dhe të mos i kisha lënë të dilnin në sulm.

Nuk këmbëngulëm mjaftueshëm që të mos rrezikonim. Këto janë gabime që ne nuk i morëm parasysh.

Me vjen keq, sepse në ato momente duhet të ishim më prezent. Është e vështirë t’i ndalësh lojtjarët. Pas tre ditësh e kemi në dorë”, – deklaroi Cana pas ndeshjes për “Supersport”.

Racaj: ARM-ja çdoherë e gatshme të përgjigjet në të gjitha detyrat e shtruara

0

ARM-ja çdoherë është e gatshme të përgjigjet në të gjitha detyrat dhe sfidat e shtruara nga eprorët tanë, theksoi sot gjeneral majori dhe zëvendës i shefit të Shtatmadhorisë së ARM-së Muhamed Racaj, në ditën për mysafirë të lartë në stërvitjen “Shkëndija e Maqedonisë 2015” në poligonin e armatës Krivolak.

“Stërvitja ka përfunduar me sukses dhe është realizuar qëllimi i përgjithshëm dhe kjo është vlerësim i njësive të deklaruara të armatës së Maqedonisë, çeta e policisë ushtarake dhe çeta e renxherëve nga regjimenti për operacione speciale, për kryerjen e detyrave të qëllimshme sipas standardeve të komandës së bashkuar kooperative të NATO-s”, tha Racaj dhe shtoi se për të 11 herë ARM-ja dëshmoi se njësitë janë të gatshme sipas standardeve të NATO-s.

Përgatitjen për gatishmërinë luftarake të ARM-së sipas konceptit për aftësitë operative të NATO-s e vlerësojnë vlerësues vendor dhe të huaj nga disa vende.

Regjisori turk Kaan Muzhdexhi e mori çmimin "Manaki i Artë"

0

Regjisori turk Kaan Muzhdexhi mbrëmë në Shkup e mori çmimin “Manaki i Artë” i cili për herë të parë ndahet për filmin më të mirë në programin e ri të festivalit “SEE Kamera” të FIKF “Vëllezërit Manaki”.

Muzhdexhi e fitoi çmimin për filmin e tij të ri “Sivas” i cili ishte pjesë e programit “SEE Kamera” në edicionin e 36-të të festivalit. Publiku në Shkup kishte mundësi ta shikojë “Sivas” i cili është kandidat i Turqisë për çmimin oskar për film të huaj, ndërsa në Venecia vitin e kaluar e fitoi Çmimin special nga juria.

Regjisori turk në solemnitetin në kinemanë “Sinepleks” në Shkup u falënderua dhe tha se për të është nder dhe gëzim i madh që merr çmim nga Festivali “Vëllezërit Manaki”, siç theksoi, një prej festivaleve më eminente në nivel botëror.

Ngjarjen e organizuan Qendra kulturore turke “Junus Emre” – Shkup dhje Festivali internacional i kamerës filmike “Vëllezërit Manaki” nga Manastiri.

Çmimin, Kaan Muzhdexhit ia dorëzoi drejtori artistik i festivalit, Bllagoja Kunovski.

Selektuesi i Programit zyrtar përkujtoi në fillimet e regjisorit të madh turk Nuri Bilge Xhejlan, i cili në vitin 2003 e fitoi Mirënjohjen speciale të “Vëllezërit Manaki”, për filmin “Larg”.