Jahjaga kërkon anëtarësimin e Kosovës në KE

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot raportuesin për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Agustin Conde.

Sipas njoftimit për medie, presidentja Jahjaga e njoftoi zotin Conde me zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë duke theksuar përparimin e arritur dhe përkushtimin e institucioneve në realizimin e reformave në rrugën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, transmeton Koha.net.

Ajo dhe zotëri Conde diskutuan për progresin e arritur në Kosovë në fushën e të drejtave dhe lirive të njeriut, të drejtave të komuniteteve, zhvillimin e përgjithshëm demokratik dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në fuqizimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të Kosovës me Këshillin e Evropës dhe avancimin sa më të shpejtë të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

ARD “mbulon” me shami kancelaren Merkel

0

Televizioni publik shtetëror në Gjermani, ARD, ka nxitur një debat në rrjetet sociale, pasi që në një emision paraqiti fotomontazhin, në të cilën kancelarja Angela Merkel ishte mbuluar me shami. ARD u kritikua se ka keqpërdorur lirinë e fjalës, kritika këto që u hodhën poshtë nga ky kanal.
Televizion publik i Gjermanisë, ARD, në emisionin “Raporti nga Berlini”, ka shfaqur një fotomontazh të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, të mbuluar me shami dhe me minare në prapavijë.
Ky veprim ka nxitur komente të shumta kritike në rrjetet sociale, me ç’rast u theksua se televizioni me këtë rast ka keqpërdorur lirinë e fjalës.
Megjithatë, ARD hodhi poshtë të gjitha kritikat se me këtë formë të shprehjes i kontribuon propagandës armiqësore kundër islamit.
“I gëzohemi kritikave dhe na vjen keq se paraqitjen e kancelares nga ana jonë disa nuk e kanë kuptuar. Moderatori foli për sukseset e shoqërisë tonë perëndimore, lirisë së fjalës, lirisë së medieve dhe barazisë. Natyrisht, me këtë fotomontazh kemi synuar të joshim vëmendje:, u theksua në kumtesën e ARD-së.
Merkel është në qendër të kritikave për shkak të valës së madhe të refugjatëve, të cilët kanë hyrë deri me tani në Gjermani dhe vlerësohet se gjatë këtij viti në territorin gjermanë do të hyjnë mbi 1.5 milionë refugjatë.
Hidhërimin e tyre ndaj kancelares Merkel e shprehën edhe mijëra ithtarë të lëvizjes së djathtë, PEGIDA, të cilët organizuan një protestë në qytetin e Drezdenit, duke akuzuar Merkelin për tradhti për shkak të pranimit të numrit të madh të refugjatëve.
Protestuesit madje shkuan aq larg, duke e akuzuar Merkelin për një gjenocid etnik kundër popullit gjerman./ 21 Media

Sot në Shkup – Konferencë ndërkombëtare për të drejtat e grave rome

0

Gjendja ekonomike, integrimi në arsim dhe shoqëri, diskriminimi, dhuna gjinore, janë pjesë e temave në të cilat do të bisedohet në Konferencën ndërkombëtare disaditore për avancim të të drejtave të grave rome “Avancimi edhe krahas gjithçka!”, që sot filloi në Shkup.

“Besoj se do të arrijmë sinqerisht t’u përgjigjemi shumë çështjeve, por edhe bashkarisht ta përcaktojmë drejtimin e avancimit të statusit të gruas rome gjithkund”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov në hapjen e konferencës.

Konferencës përmes video fjalimit iu drejtua Kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Ana Braser, e cila porositi se vazhdimisht duhet të punohet në avancimin e të drejtave të kësaj popullate. “Gratë dhe vajzat rome ballafaqohen me probleme të ngjashme të cilat përfshijnë stereotipe, diskriminim të shumëfishtë dhe braktisje e hershme e shkollës, martesa të hershme, sterilizimin dhe prë fat të keq lista vazhdon”, potencoi Braser.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni Luiza Uinton u shpreh se konferenca është edhe një mundësi që të diskutohet progresi i arritur dhe të theksohen sfidat të cilat ekzistojnë për gratë rome.

Mustafa: Fermerët kosovarë të përgatiten për tregun e BE-së

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, që organizohet nga Komuna e Podujevës në bashkëpunim me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe shoqatën “Mjedra e Llapit”.

Para shumë të pranishmëve në këtë manifestim, kryeministri Mustafa theksoi se kjo ditë tregon përkushtimin e njerëzve të kësaj ane, dhe suksesin e programit qeverisës lokal e përkushtimin e qeverisë qendrore, që zhvillimit ekonomik dhe bujqësisë t’i jepet përparësi kryesore.
“Qeveria ka rritur subvencionet për fushën e bujqësisë dhe poashtu ka përcaktuar prioritetet në këtë fushë, tek pemët drufrutore, tek sektori i pemëve manore, tek sera dhe ruajtja e perimeve. Kultivimi i mjedrës jo vetëm këtu, por edhe në komunat tjera dhe në trevat tjera, është bërë tani një prioritet, është bërë një brend tepër i rëndësishëm, që përfaqëson jo vetëm cilësitë e kësaj pjese, jo vetëm klimën dhe tokën shumë të përshtatshme, por tregon poashtu për njerëz të vyeshëm, për njerëz që dëshirojnë të jetojnë nga toka e tyre, për njerëz që ardhmërinë e tyre dëshirojnë ta kenë këtu, dhe zhvillimin e tyre dëshirojnë ta reflektojnë në Kosovë”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa po ashtu bëri të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës po merr masa që të krijojë kushte që bujqësia të ketë përparësi, të hiqen barrierat tregtare me vendet në rajon për prodhime bujqësore, që të krijohet infrastrukturë e nevojshme për uljen e subvencionimin e normave të interesit, që të sigurohet tregu i brendshëm dhe tregu i jashtëm, të promovohet marketingu i produkteve bujqësore dhe agroushqimore, dhe poashtu të sigurohet ofrimi i shërbimeve këshillimore për bujqësi për këtë fushë. “Jemi të interesuar që të tërheqim sa më shumë investitorë të jashtëm. Falënderojmë USAID-in i cili gjithmonë ka përkrahur këto projekte në këtë Komunë, jo vetëm në fushën e bujqësisë, sepse ne kemi qenë dëshmitar edhe të fushave tjera të përkrahura nga USAID-i, dhe dëshirojmë që shembullin e USAID-it ta kenë edhe ta përcjellin edhe organizatat e tjera, në mënyrë që kontributi dhe efektet të jenë direkte”, tha kryeministri.
Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim që pritet të ndodhë së shpejti, kryeministri Mustafa, tha se me këtë marrëveshje sektori i bujqësisë, do të hyjë në një fazë të re të zhvillimit dhe të avancimit, duke kërkuar nga fermerët e Podujevës por edhe të Kosovës, të përgatiten për tregun e Bashkimit Evropian, dhe të përgatiten për prodhime moderne dhe konkurruese. “Ky prodhim për neve është shumë i rëndësishëm, por dëshirojmë që mos të mbetet vetëm si prodhim primar, të kemi edhe përpunimin e mjedrës këtu. Të kemi edhe përpunimin e produkteve tjera bujqësore, në mënyrë që përmes kësaj, ne të arrijmë efektet e zëvendësimit të importimit të produkteve bujqësore, dhe të arrijmë poashtu efektin në zhvillimin e bujqësisë dhe shtimit ekonomik. Unë ju uroj shumë suksese për punën që e keni bërë, dhe poashtu ju premtoj se do ta keni përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këto aktivitete shumë të rëndësishme për ne”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, theksoi se investimi në fushën e kultivimit të frutave malore në përgjithësi, e të mjedrës në veçanti, përkon me programin për zhvillim ekonomik lokal, i mbështetur nga qytetarët. “Sot, Komuna e Podujevës jo vetëm që është pikë referente në Kosovë për mjedrën, por mjedra e Llapit është bërë brend i njohur i Kosovës. Falë përkushtimit të fermerëve llapjan, bashkëpunimit me USAID-in dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Komunën e Podujevës sot kemi një hartë plotësisht të re të plantacioneve të mbjella me mjedër. Nga 35 hektarë të mbjella në vitin 2014, sot Komuna e Podujevës ka afër 200 hektarë të mbjella me mjedër, kurse vitin e ardhshëm parashihen edhe 300 hektarë tjerë. Vetëm gjatë vitit 2015, Komuna e Podujevës ka subvencionuar 30 fermerë me 135 mijë fidanë cilësore të mjedrës”, theksoi kryetari Veliu.
Ai po ashtu ka theksoi se Komuna e Podujevës ka paraparë fondin për subvencionim prej 100 mijë euro për vitin 2016, duke bërë ditur se gjatë sezonit të vjeljes, llogaritet që janë punësuar mbi një mijë persona shtesë.

Drejtori i Misionit të USAID-it në Kosovës, James Hope tha se kultivimi i mjedrës është njëra ndër prodhimtarit më fitimprurëse dhe me zhvillim më të hovshëm në Kosovë dhe se ka një interesim në rritje në tregjet ndërkombëtare për mjedrat që rriten në Kosovë. “Pikërisht ky është edhe qëllimi i punës zhvillimore që bënë USAID-it këtu në Kosovë së bashku me partnerët e tij. Ne synojmë që të krijojmë një sektor privat, i cili do të prodhojë prodhime të kualitetit të lartë dhe të gjenerojë vende të punës këtu. Puna jonë është mbështetja e vizionit të Ministrisë së Bujqësisë dhe planit të tyre për rritjen e bujqësisë këtu, dhe rrjedhimisht mbështesim Strategjinë Zhvillimore të Qeverisë së Kosovës, e cila del nga kabineti i Kryeministrit”, theksoi Hope.

Mark Wood, drejtor i Programit të USAID-it “Zhvillimi i Bujqësor dhe Mundësitë Rurale” , vlerësoi rëndësinë e organizimit për herë të dytë të Ditës së Mjedrës, duke e cilësuar si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe shumë të suksesshme.

Drejtori i Shoqatës “Mjedra e Llapit”, Shkelzen Shabani, ka falënderuar kryeministrin Mustafa, kryetarin e Komunës, drejtorin e USAID-it, dhe zëvendësministrin e Bujqësisë për përkrahjen e dhënë. “Mbështetja juaj ka rol kyç për punë sa më të mbarë të shoqatës dhe fermerëve të Podujevës”, u shpreh Shabani.mustafa2

​NATO – Stoltenberg: Shkelja e hapësirës ajrore turke nga Rusia nuk është aksident

0

Shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë këtë fund javë nga dy avionë luftarakë rusë nuk është një aksident, vlerësoi sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërkohë që Moska është justifikuar me kushtet e këqija të motit.

“Informacionet që kemi mbledhur më japin arsye të them se nuk bëhet fjalë për një aksident”, konfirmoi Stoltenberg gjatë një konference për shtyp në selinë e Aleancës në Bruksel.

“Në fakt, kanë ndodhur dy shkelje gjatë fundjavës dhe kjo i shtohet fakteve që tregojnë se nuk bëhet fjalë për një aksident”, insistoi ai.

“Për më tepër, këto incidente kanë zgjatur shumë në raport me shkeljet e mëparshme në hapësirën ajrore evropiane”, vazhdoi Stoltenberg.

“Është për këtë arsye që e kemi marrë këtë shumë seriozisht. Ky lloj incidenti mund të krijojë situata të rrezikshme”, sipas Stoltenberg, që shpreson që kjo të mos ndodhë më.

Çmimi Nobel për Fizikë i jepet një japonezi dhe një kanadezi për studimin e neutrinove

0

Një japonez dhe një kanadez u vlerësuan sot me çmimin Nobel për Fizikë për punimet e tyre mbi neutrinon, grimcë kozmike për të cilën ata zbuluan se kishte masë.

Takaaki Kajita dhe Arthur McDonald janë dalluar për nxjerrjen në pah të “luhatshmërisë së neutrinove”, një zbulim që mundëson të kuptosh funksionimin e brendshëm të lëndës dhe gjithashtu të njohësh më mirë universin, theksoi juria suedeze në motivacionet e saj.

“Zbulimi ka çuar në konkluzionin, me një rëndësi të konsiderueshëm, se neutrinot, të konsideruara për një kohë të gjatë se nuk kanë masë, duhet të kenë një, edhe pse shumë të vogël, shkruan juria duke përshëndetur zbulimin historik.

Molekula elementare e lëndës, që mund ta krahasojmë me një fantazëm ose një kameleon, neutrinoja ka qenë në univers një miliardë herë më shumë e pranishme se çdo përbërës tjetër i atomeve, ndërkohë që është shumë e vështirë për t’u kapur.

83 milionë euro hua nga Banka Botërore për rrugën Rankovcë – Kriva Pallankë

0

Në Ministrinë e Financave sot u nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për kredi prej 83 milionë eurove për rikonstruim të rrugës Rankovc – Kriva Pallankë. Ndërtimi i rrugës do të fillojë në pranverë, ndërsa pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i financave të Maqedonisë, Zoran Stavrevski, drejtorja e zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni, Aneta Naceva dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Aleksandar Stojanov.

Ndërtimi i këtij aksi rrugor me gjatësi prej 26 kilometrave është i rëndësishëm për pjesën verilindore të Maqedonisë dhe lidhjen me Bullgarinë.

 

Bilall Kasami, Lëvizja Besa: Qeveria do të blejë vota me këtë buxhet!

0

Me buxhetin e propozuar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë po tenton të blejë vota, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, në emisionin “10 Minuta” të TV 21.

“Ne vlerësojmë se përmes këtij buxheti ata tentojnë vetëm që të blejnë vota dhe në anën tjetër ta fshehin këtë realitet të zymtë ekonomik, të cilin të gjithë qytetarët e Maqedonisë e ndjejnë në lëkurën e tyre, e veçanërisht bizneset, të cilat janë në një fazë shumë të rëndë të zhvillimit të tyre”, theksoi Kasami.

Sa i përket sistemit zgjedhor, Kasami potencoi se Lëvizja Besa është për modulin me një njesi zgjedhore dhe me lista të hapura. “Ne mendojmë se më së miri do të reflektojë në demokratizimin e shoqërisë në Maqedoni një sistem zgjedhor me një njesi zgjedhore dhe me lista të hapura, sepse u pa se me këtë sistem aktual zgjedhor Maqedonia e krijoi një diktaturë, vetë sistemi krijoi që deputetët të jenë të ndërlidhur drejtpërdrejtë me partinë, më konkretisht me liderin e partisë. Ne vlerësojmë se me një sistem me një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, detyrimisht partitë politike do të jenë të detyruara në lista zgjedhore të ofrojnë individë, të cilët do të mundësojnë që të tërheqin votues me autoritetin  e tyre në shoqëri, por nuk do të jenë të bindur vetëm ndaj kryetarit të partisë”, deklaroi Kasami në “10 Minuta”.

Sipas Kasamit, përmes këtij sistemi edhe Parlamenti do të jetë më frytëdhënës dhe çdo antar, çdo deputet do të japë kontributin direkt në demokratizimin e shoqërisë.

Intervistoi: Artan Nuhiu

Kocijançiq: BE shtyn publikimin e Raportit të Progresit

0

Komisioni Evropian  do të shtyjë për një javë publikimin e Raportit të Progresit për Maqedoninë dhe vendet-kandidate.

Kjo u konfirmua sot pasdite në Bruksel nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq. Shkaku për mospublikimin në kohë të raporteve është fluksi i refugjatëve dhe axhenda e ngjeshur e BE-së mbi këtë çështje javën e ardhshme, që kulmon me mbajtjen e samitit europian më 15 dhe 16 tetor.

Zëdhënsja Koçijançiç deklaroi edhe arsyet e tjera për shtyrjen e publikimit për 21 tetor. “Kjo është paketa e parë e zgjerimit për Komisionin, e njohur si  ‘Junker’. Paketa përfshin për herë të parë një strategji afatmesme dhe raportet për vendet do të kenë një paraqitje të ndryshme nga e kaluara. Ekziston një interes i fortë i Presidentit dhe i gjithë Kolegjit se paketa duhet të marrë vëmendjen e merituar të medias dhe publikut. Në këtë kuadër, meqënëse javën e ardhshme mblidhet Këshilli Europian, i cili do të ketë një fokus të fortë mbi emigracionin, paketa preferohet që të paraqitet një javë më vonë, për të siguruar vëmendjen e merituar publike dhe të medias”, informoi Koçijançiq.

Deri tani nuk dihet se çfarë do të përmbajë Raporti i Progresit për Maqedoninë, edhe pse nga burime jozyrtare në Bruksel paralajmërohet se vendi për herë të shtatë do të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.  Ky vendim do të varet edhe nga procesi i zbatimit së marrëveshjes së 2 qershorit për tejkalimin e krizës politike.

 

Marrëveshja e “Përzhinos” në sprovë – Partitë po luajnë deri në afatet e fundit

0

Sipas dokumentit të miratuar më 2 qershor, i njohur si Marrëveshja e Përzhinos, katër partitë më të mëdha politike u dakorduan që në vend të parë t’i vendosin interesat e shtetit, mbi ato partiake, dhe përmes dialogut të definohen hapat që do të ndërmerren për tejkalimin e krizës.

Protagonistët politik të katër partive politike definuan edhe afate përfundimtare për realizimin e marrëveshjes, por të gjitha marrëveshjet po ndodhin që të finalizohen në minutat e fundit para skadimit të afateve. Edhe pse afati përfundimtar për arritjen e marrëveshjes për kodin zgjedhor ishte 30 shtatori, kanë kaluar edhe pesë ditë më pas dhe nuk dihet ende se si do të jetë zgjidhja lidhur me Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe cilat do të jenë kompetencat e reja të këtij Komisioni.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se partitë nuk mësuan nga leksionet e fundit të shtyrjes së afateve për zgjedhjen e prokurorit special. “Nuk ka më kohë për marrëveshje. Marrëveshja duhet të zbatohet. Kjo që po ndodh në negociata, më shumë është humbje kohe, blerje kohe, kërkesa për pauza, hapje të çështjeve tani më të mbyllura. Gjithçka po ndodh me qëllim që të blihet më shumë kohë nga ana e kundërshtarit tonë politik. Gjithsesi, marrëveshje për ligjin zgjedhor duhet të arrihet më 6 tetor. Nuk ka ikje nga kjo. Më vjen keq që kjo do të ndodhë në momentin e fundit, ashtu siç ishte me prokurorin special“, vlerëson Zaev.

Ai thotë se nuk dihet se kur do të fillojë me punë Komisioni anketues për përgjimin.

Në Bashkimin Demokratik për Integrim gjithashtu komentojnë vonesat lidhur me finalizimin e marrëveshjes për Komisionin Qendror Zgjedhor. „Bisedimet politike për zbatimin e Marrëveshjes së 2 qershorit po vijojnë me afatet e paracaktuara më herët nga komisioni ndërkombëtar dhe unë jam i bindur se të gjitha afatet do të respektohen dhe partitë politike do të merren vesh në lidhje me zbatimin e kodit zgjedhor dhe reformimin e gjithë procesit që ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme të prillit të vitit të ardhshëm”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Koordinatori i grupit të deputetëve të  Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Aliu qëndrimet e partisë së tij i ka shprehur në  emisionin “10 minuta” të TV 21, duke potencuar se problem kyç në bisedime janë marrëdhëniet ndëretnike që po zhvillohen me vështirësi gjatë procesit të negociatave. Në ndërkohë, thotë ai, Qeveria nuk po bën asgjë për realizimin e premtimeve parazgjedhore. “Kjo tregon cila është pozita e përfaqësuesit shqiptar në qeveri. Cilët janë kërkesat e parealizuara nga ana e Shqiptarëve. Mos të harrojmë që kemi edhe gjuhë jozyrtare, përfaqësim katastrofal të shqiptarëve, kriminalizim të shoqërisë si në procesin zgjedhor ashtu edhe në institucionet në përgjithësi, që nënkupton mungesë shprese për tërë qytetarët”, theksoi para disa ditëve deputeti Aliu.

VMRO-DPMNE nuk iu përgjigj thirrjeve të TV 21 për shprehjen e qëndrimit të tyre lidhur me procesin e vështirë të negociatave. Sipas marrëveshjes, nesër është afati i fundit deri kur duhet të definohet mënyra e spastrimit të listës zgjedhore ndërsa 15 tetori është dita e fundit për finalizimin e negociatave për mediat.

Sipas marrëveshjes së 2 qershorit, deri më 20-tin të këtij muaji, LSDM duhet të hyjë në Qeveri me ministër për punë të brendshme dhe ministër për punë dhe politikë sociale. Në qeverinë kalimtare, LSDM do të ketë tre zëvendësministra që do të kenë të drejtë vetoje, përderisa është paraparë që kryeministri Gruevski dorëhiqet nga funksioni më 1 janar 2016.

Sipas marrëveshjes, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 24 prill 2016.

Iskra Opetçeska