Komisioni Evropian do të shtyjë për një javë publikimin e Raportit të Progresit për Maqedoninë dhe vendet-kandidate.
Kjo u konfirmua sot pasdite në Bruksel nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq. Shkaku për mospublikimin në kohë të raporteve është fluksi i refugjatëve dhe axhenda e ngjeshur e BE-së mbi këtë çështje javën e ardhshme, që kulmon me mbajtjen e samitit europian më 15 dhe 16 tetor.
Zëdhënsja Koçijançiç deklaroi edhe arsyet e tjera për shtyrjen e publikimit për 21 tetor. “Kjo është paketa e parë e zgjerimit për Komisionin, e njohur si ‘Junker’. Paketa përfshin për herë të parë një strategji afatmesme dhe raportet për vendet do të kenë një paraqitje të ndryshme nga e kaluara. Ekziston një interes i fortë i Presidentit dhe i gjithë Kolegjit se paketa duhet të marrë vëmendjen e merituar të medias dhe publikut. Në këtë kuadër, meqënëse javën e ardhshme mblidhet Këshilli Europian, i cili do të ketë një fokus të fortë mbi emigracionin, paketa preferohet që të paraqitet një javë më vonë, për të siguruar vëmendjen e merituar publike dhe të medias”, informoi Koçijançiq.
Deri tani nuk dihet se çfarë do të përmbajë Raporti i Progresit për Maqedoninë, edhe pse nga burime jozyrtare në Bruksel paralajmërohet se vendi për herë të shtatë do të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky vendim do të varet edhe nga procesi i zbatimit së marrëveshjes së 2 qershorit për tejkalimin e krizës politike.
