Marrëveshja e “Përzhinos” në sprovë – Partitë po luajnë deri në afatet e fundit

TË FUNDIT

Sipas dokumentit të miratuar më 2 qershor, i njohur si Marrëveshja e Përzhinos, katër partitë më të mëdha politike u dakorduan që në vend të parë t’i vendosin interesat e shtetit, mbi ato partiake, dhe përmes dialogut të definohen hapat që do të ndërmerren për tejkalimin e krizës.

Protagonistët politik të katër partive politike definuan edhe afate përfundimtare për realizimin e marrëveshjes, por të gjitha marrëveshjet po ndodhin që të finalizohen në minutat e fundit para skadimit të afateve. Edhe pse afati përfundimtar për arritjen e marrëveshjes për kodin zgjedhor ishte 30 shtatori, kanë kaluar edhe pesë ditë më pas dhe nuk dihet ende se si do të jetë zgjidhja lidhur me Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe cilat do të jenë kompetencat e reja të këtij Komisioni.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se partitë nuk mësuan nga leksionet e fundit të shtyrjes së afateve për zgjedhjen e prokurorit special. “Nuk ka më kohë për marrëveshje. Marrëveshja duhet të zbatohet. Kjo që po ndodh në negociata, më shumë është humbje kohe, blerje kohe, kërkesa për pauza, hapje të çështjeve tani më të mbyllura. Gjithçka po ndodh me qëllim që të blihet më shumë kohë nga ana e kundërshtarit tonë politik. Gjithsesi, marrëveshje për ligjin zgjedhor duhet të arrihet më 6 tetor. Nuk ka ikje nga kjo. Më vjen keq që kjo do të ndodhë në momentin e fundit, ashtu siç ishte me prokurorin special“, vlerëson Zaev.

Ai thotë se nuk dihet se kur do të fillojë me punë Komisioni anketues për përgjimin.

Në Bashkimin Demokratik për Integrim gjithashtu komentojnë vonesat lidhur me finalizimin e marrëveshjes për Komisionin Qendror Zgjedhor. „Bisedimet politike për zbatimin e Marrëveshjes së 2 qershorit po vijojnë me afatet e paracaktuara më herët nga komisioni ndërkombëtar dhe unë jam i bindur se të gjitha afatet do të respektohen dhe partitë politike do të merren vesh në lidhje me zbatimin e kodit zgjedhor dhe reformimin e gjithë procesit që ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme të prillit të vitit të ardhshëm”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Koordinatori i grupit të deputetëve të  Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Aliu qëndrimet e partisë së tij i ka shprehur në  emisionin “10 minuta” të TV 21, duke potencuar se problem kyç në bisedime janë marrëdhëniet ndëretnike që po zhvillohen me vështirësi gjatë procesit të negociatave. Në ndërkohë, thotë ai, Qeveria nuk po bën asgjë për realizimin e premtimeve parazgjedhore. “Kjo tregon cila është pozita e përfaqësuesit shqiptar në qeveri. Cilët janë kërkesat e parealizuara nga ana e Shqiptarëve. Mos të harrojmë që kemi edhe gjuhë jozyrtare, përfaqësim katastrofal të shqiptarëve, kriminalizim të shoqërisë si në procesin zgjedhor ashtu edhe në institucionet në përgjithësi, që nënkupton mungesë shprese për tërë qytetarët”, theksoi para disa ditëve deputeti Aliu.

VMRO-DPMNE nuk iu përgjigj thirrjeve të TV 21 për shprehjen e qëndrimit të tyre lidhur me procesin e vështirë të negociatave. Sipas marrëveshjes, nesër është afati i fundit deri kur duhet të definohet mënyra e spastrimit të listës zgjedhore ndërsa 15 tetori është dita e fundit për finalizimin e negociatave për mediat.

Sipas marrëveshjes së 2 qershorit, deri më 20-tin të këtij muaji, LSDM duhet të hyjë në Qeveri me ministër për punë të brendshme dhe ministër për punë dhe politikë sociale. Në qeverinë kalimtare, LSDM do të ketë tre zëvendësministra që do të kenë të drejtë vetoje, përderisa është paraparë që kryeministri Gruevski dorëhiqet nga funksioni më 1 janar 2016.

Sipas marrëveshjes, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 24 prill 2016.

Iskra Opetçeska