Gjendja ekonomike, integrimi në arsim dhe shoqëri, diskriminimi, dhuna gjinore, janë pjesë e temave në të cilat do të bisedohet në Konferencën ndërkombëtare disaditore për avancim të të drejtave të grave rome “Avancimi edhe krahas gjithçka!”, që sot filloi në Shkup.
“Besoj se do të arrijmë sinqerisht t’u përgjigjemi shumë çështjeve, por edhe bashkarisht ta përcaktojmë drejtimin e avancimit të statusit të gruas rome gjithkund”, tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale Dime Spasov në hapjen e konferencës.
Konferencës përmes video fjalimit iu drejtua Kryetarja e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Ana Braser, e cila porositi se vazhdimisht duhet të punohet në avancimin e të drejtave të kësaj popullate. “Gratë dhe vajzat rome ballafaqohen me probleme të ngjashme të cilat përfshijnë stereotipe, diskriminim të shumëfishtë dhe braktisje e hershme e shkollës, martesa të hershme, sterilizimin dhe prë fat të keq lista vazhdon”, potencoi Braser.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni Luiza Uinton u shpreh se konferenca është edhe një mundësi që të diskutohet progresi i arritur dhe të theksohen sfidat të cilat ekzistojnë për gratë rome.
