Bilall Kasami, Lëvizja Besa: Qeveria do të blejë vota me këtë buxhet!

TË FUNDIT

Me buxhetin e propozuar, Qeveria e Republikës së Maqedonisë po tenton të blejë vota, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami, në emisionin “10 Minuta” të TV 21.

“Ne vlerësojmë se përmes këtij buxheti ata tentojnë vetëm që të blejnë vota dhe në anën tjetër ta fshehin këtë realitet të zymtë ekonomik, të cilin të gjithë qytetarët e Maqedonisë e ndjejnë në lëkurën e tyre, e veçanërisht bizneset, të cilat janë në një fazë shumë të rëndë të zhvillimit të tyre”, theksoi Kasami.

Sa i përket sistemit zgjedhor, Kasami potencoi se Lëvizja Besa është për modulin me një njesi zgjedhore dhe me lista të hapura. “Ne mendojmë se më së miri do të reflektojë në demokratizimin e shoqërisë në Maqedoni një sistem zgjedhor me një njesi zgjedhore dhe me lista të hapura, sepse u pa se me këtë sistem aktual zgjedhor Maqedonia e krijoi një diktaturë, vetë sistemi krijoi që deputetët të jenë të ndërlidhur drejtpërdrejtë me partinë, më konkretisht me liderin e partisë. Ne vlerësojmë se me një sistem me një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, detyrimisht partitë politike do të jenë të detyruara në lista zgjedhore të ofrojnë individë, të cilët do të mundësojnë që të tërheqin votues me autoritetin  e tyre në shoqëri, por nuk do të jenë të bindur vetëm ndaj kryetarit të partisë”, deklaroi Kasami në “10 Minuta”.

Sipas Kasamit, përmes këtij sistemi edhe Parlamenti do të jetë më frytëdhënës dhe çdo antar, çdo deputet do të japë kontributin direkt në demokratizimin e shoqërisë.

Intervistoi: Artan Nuhiu