Organizata joqeveritare “CIVIL” sot promovoi projektin e titulluar “E drejta ime e votimit” për të edukuar dhe mobilizuar qytetarët për mbrojtjen e të drejtës së votimit.
Kryetari i kësaj organizate, Xhabir Deralla theksoi se askush nuk ka të drejtën të tregtojë apo kushtëzojë të drejtën apo dëshirën e lirë të zgjedhësve. “Kjo është pjesë e përpjekjeve tona, që t’i mobilizojmë sa më shumë qytetarët. Ata të bëhen vëzhgues aktiv të procesit zgjedhor. Qytetarët duhet të jenë vëzhgues aktiv, pavarësisht preferencave të tyre politike. Ne do të gjejmë mënyra për të dëgjuar mendimet e tyre”, informoi Deralla.
Sipas tij, një numër i madh i qytetarëve nuk janë të lirë gjatë votimit, për shkak të ndikimeve, shantazheve apo kërcënimeve politike. “Një numër i madh nga trupi votues është nën presion, nën kërcënim, ose janë subjekt i praktikave korruptuese të pushtetit, respektivisht partive në pushtet. Është momenti që të ndërpritet kjo praktikë dhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të kemi një proces zgjedhor të lirë, duke ndryshuar praktikat e deritanishme”, vlerësoi Deralla.
Organizata “CIVIL” fton qytetarët që t’i bashkëngjiten këtij projekti që ka si qëllim mbrojtjen e të drejtës së votës dhe anashkalimin e çdo lloj keqpërdorimi.
Miradije Hasani
