Zulfi Adili, Uniteti në "10 minuta": Ideja jonë është ta përmbysim regjimin dhe BDI-në!

0

Partia “Uniteti”, si subjekt i ri politik në Maqedoni, është formuar për të realizuar konceptin e një barabarësie të plotë qytetare. Kështu ka deklaruar deputeti Zulfi Adili në emisionin “10 minuta” të TV21. Ideja e kësaj partie, siç u shpreh ai, është për ta përmbysur regjimin që ka kapluar Maqedoninë.

“Ideja e partisë “Uniteti” është që ta përmbysë këtë regjim, gjegjësisht këtë pushtet, duke përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim”, theksoi Adili.

Përplasjet mes Adilit dhe BDI-së filluan para disa muajve. Për pakënaqësitë lidhur me politikën kadrovike të BDI-së, ish komandanti i UÇK-së tha se kjo parti erdhi në një pozitë absurde, që të vriten njerëz për një pozitë të kryetari të degës. “Njerëzit, të cilët në fakt e ngulfatën politikën, gjegjësisht votuesin shqiptar, ata arritën që të vijë BDI-ja deri në një situatë, kur është gati se absurd ose e pamundur, që për një pozitë të kryetari të degës të vritet njeri”, potencoi ai.

Adili hodhi poshtë të gjitha spekulimet rreth asaj se “Uniteti” ka dalë në skenë sikur opozitë e rrejshme e krijuar nga BDI për të amortizuar pakënaqësinë opozitare në ngritje te shqiptarët.”Janë spekulime klasike , se nuk do të kishte kuptim, të ndodhte një lojë e tillë. Për mendimin tim – jo korrekte dhe jo reale, pasi që edhe unë, edhe gjeneral Ostreni si kryetar i Unitetit, kemi qenë themelues të BDI dhe UÇK. Nuk do ishte korrekte që ta mashtronim opinionin, popullsinë”, shpjegoi ai.

Sipas Adilit, “Uniteti” do të ketë mision që shqiptarëve t’ua heqë frikën, që ata t’i shprehin hapur padrejtësitë që po u bëhen. Sipas tij, Uniteti do të kërkojë barabarësinë e qytetarëve me Kushtetutë, decentralizimin, dhe përdorimin adekuat të gjuhës.

Intervistoi: Artan Nuhiu

 

Tetova pas shirave – rrugët e fshatrave në rrezik, komuna harton projektet

0

Pas shiut i cili zgjati më shumë se dy ditë në Tetovë me rrethinë, rrugët janë mbuluar me gurë e baltë, por në disa fshatra si në Shipkovicë janë bllokuar tërësisht. Banorët kërkojnë nga komuna t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut vërshuan Reçicen dhe rrugët që lidhin me fshatin Brodec dhe Shipkovicë kanë bllokuar banorët. Ata ndjehen të rrezikuar dhe kërkojnë që komuna dhe institucionet qendrore sa më shpejt të ndërmarrin masa për sanimim e dëmeve. E shihni vet rrugën si është , duhet të rregullohet edhe këtu edhe atje më lartë, nëse nuk ndërtohet kjo gjatë dimrit ne nuk mund të kalojmë këtu”…Shumë këtu po, edhe atje ende më shumë ka rrezik ,ka edhe shkëputje të rrugës ende më shumë. Un kam ndjetë prej ne ora7 deri ne 1 te natës  me rast urgjent që kemi pasur, nuk kemi mundur të kalojmë edhe kemi kthyer pas”, shprehen banorët e kësaj ane.

Pas reshjeve të shiut në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zyrtarët e Komunës së Tetovës për të parë nga afër pasojat e vërshimeve. Ata u premtuan banorëve të dëmtuar ndihmë dhe angazhim që rruga të jetë e kalueshme sa më shpejt që është e mundur.

Gjendja vazhdon të jetë e vështirë edhe në Reçicë. Banorët thonë se kanali i hapur nuk i përmbush kërkesat e banorëve, për shkak se tash ka dhjetëra herë më shumë banorë se kur është vendosur rrjeti i kanalizimit. Ai mbetet fyt i ngushtë për këtë numër të popullatës. Sipas banorëve nëse komuna nuk ndërmerr hapa konkret për ti ndihmuar banorët e këtushëm ata janë të vendosur që të shpërngulen. ” Të rrezikuar po, mendohet edhe për t’u shpërngulur, për këtë lagje nuk mendon askush. Rrezikun vet e shihni edhe kamera juaj e tregon. Nuk mendon askush, se ne që 2 muaj rrimë pa punë.  Tash Komuna kanë thënë se do të bëjnë një kanal të hapur dhe të jetë më i madh se ky, për ta bartur ujin, se përndryshe kjo na rrezikon edhe më keq“, thotë një banor i këtij fashti.

Në anën tjetër, komuna e Tetovës premton se do të intervenohet në rregullimin e shtretërve të proçkave por edhe rrugët e dëmtuara. Komuna ka filluar të hartoj projekte konkrete që pritet të realizohen vitin e ardhshëm. “Këto janë dëme, të cilat kërkojnë projekte nga ekspertë, që të gjendet një zgjidhje afatgjate. Prandaj, komuna ka porositur projekte, të cilat punohen nga ekspertët. Kur them projektet – janë punë që pak zgjasin, mirëpo shpresoj do të kenë zgjidhje afatgjate”, informoi Hysein Demiri, drejtor i Sektorit Për Komunikacion në Komunën e Tetovës.

Banorët e Reçicës, Shipkovicës dhe fshatrave tjera druajnë se reshjet e ditëve në vazhdim mund të rrezikojnë sërish banorët e këtushëm, andaj kërkojnë nga pushteti lokal intervenim të shpejtë për të hapur kanalet për parandalimin e vërshimeve.

Besian Leka

Kontrabanduesit e druve në aksion – rritet trefish prerja ilegale e pyjeve në Maqedoni!

0

Ditë e qetë në malet e Kumanovës. Kah mbrëmja, fillon zhurma e motorëve për prerjen e druve në mënyrë ilegale. Rojet e pyjeve të pamjaftueshëm për të mbuluar terrenin e hapur me pyje. Drutë prehen edhe në pikë të ditës pa u penguar nga askush.

Një prerës ilegal thotë se këtë e bënë për të mbajtur familjen e tij.”Jam i papunë dhe për arsye familjare duhet të merrem me prerjen e druve”, thotë ai.

Hiç më mirë gjendja nuk është as në malet e Tetovës. Vëzhguesit janë në terren, për të parë se mos po lëviz policia e maleve, apo rojet e pyjeve. Kur sigurohen se nuk ka asnjë rrezik, fillon aksioni i prerjes. Drutë nga mali vendosen skaj rrugës, e më pastaj barten për shitje në Tetovë e vende tjera. Një shpat i tërë i mbuluar vetëm me trungje drush. Kjo po bëhet për shkak se prerja e druve është biznes i madh në Maqedoni.

“Në këto rrugë bëhet kontrabandë me dru të pyjeve të Kërçovës. Kështu i nxjerrin në rrugë drutë e pastaj..drutë 1 meter kub e shesin prej 40 euro, kurse në Shkup pastaj I shesin nga 70 euro. Transporti bëhet me traktorë, qerre, rimorkio e pastaj nisen për destinacionin e caktuar. Janë të lidhur kontrabanduesit me policinë e pyjeve. Më tepër dru ka të lisit dhe ahut”…”Po, këtu bëhet kontrabandë me dru në malet e Kërçovës. Kjo bëhet për shkak se nuk ka ekzistencë, nuk kemi me çka të merremi. Për ta mbajtur familjen duhet të punosh diçka, e ne merremi me dru për të mbijetuar. Është edhe rrezik i madh, policia,shteti, ëpo bashkëpunojnë si jo. Edhe ata djegin dru”, thonë disa prej banorëve që merren me këtë aktivitet.

Rojtarët e pyllit që folën nën kushte të anonimitetit, thanë se janë të detyruar të patrullojnë qindra hektarë dhe te përballen me kriminelë të dhunshëm të organizuar, e me vete kanë vetëm librat për gjoba.

Në Maqedoni, shifrat zyrtare të vitit 2013 tregojnë një humbje të madhe nga prerja ilegale e pyjeve, e cila ka shënuar rritje të trefishtë që nga viti 2008. Sipas vlerësimeve të publikuara nga Qendra Rajonale e Mjedisit në vitin 2010, shifra reale për Maqedoninë është rreth 6 mijë kamionë të ngarkuar me dru gjatë një viti. E për kontrabandë të druve shfrytëzohen edhe këto rrugë që po i shihni.

Bahtir Cakolli

Kumanova akoma nën ujë!

0

Gjendje alarmante vazhdon të jetë edhe më tutje në Kumanovë, pas reshjeve të shiut që zgjasin tash e dy ditë. Mbi 50 familje jetojnë nën ethet e ujit, që në çdo moment mund të futet edhe në objektet e banimit. Në disa familje po përballën me largimin e ujit nga shtëpitë e tyre edhe evakuim në vende më të sigurta.  Në gjendje më të vështirë janë banorët në lagjet Dardania, Bedinjë dhe Dobroshanë.

Familja Ibishi me 10 anëtarë të familjes nuk e di si të kaloj natën e sotme me që uji ka depërtuar në dhomat e banimit.”Shtëpinë tonë nga ora 23:00 ka nisur të futet ujë në bodrum ,duke hequr imtësirat. Kur dolëm në oborr,uji ka nisur të vij pas shtëpie. Frigoriferët ,hidrofori i ujit, dhe gjërat teknike u dogjën totalisht. Deri tani askush s ka ardhur të na vizitojë”, thotë një anëtar i kësaj familjeje.

Në gjendje hiç më të mirë nuk është as familja Nazmije  Ibishi e cila po lufton me vërshimet.“Deri në oren 8 të mëngjesit s’kemi fjetur duke pastruar, ka hyre ujë dhe s’kemi mundur të largojmë asgjë ,sepse sasia e ujit ka qenë shumë e madhe”, tregon ky banor. “Gjithë çka që sheh është vërshuar brenda. Bahçja, e gjithë rrethina e Kumanovës është nën ujë dhe askush nuk po merr masa. Të gjithë ia hedhin fajin njëri-tjëtrit. Turp”, ankohet një banor tjetër.

Komuna e Kumanovës pas përmbytjeve të fundit ka formuar edhe shtabin e krizës dhe pritet që t’i evakuojë familjet e rrezikuara  dhe t’u sigurojë kushte për banim. Familjet e rrezikuara në Kumanovë sot i vizitoi edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski. Ai premtoi se qeveria do të angazhohet që këto familje të përballojnë këtë fatkeqësi natyrore. “Apeloj deri te pushteti lokal, sa më shpejt ta krijojë komisionin për mbrojtje. Të dalë në terren, sepse banorët kanë pasur dëme të caktuara, pompim të ujërave, sepse ky është momenti kur ne duhet t’ju japim mbështetje qytetarëve. Qeveria e Maqedonisë, përmes organeve të saj, kuptohet edhe përmes deputetëve si dhe këshilltarëve komunal, aktualisht e ndjekin gjendjen në teren dhe, nëse kanë nevojë, nga intervenime të rëndësishme në periudhën që vijon, gjithçka që është e nevojshme – Qeveria do ta marrë përsipër”, deklaroi Peshevski.

Nëse moti me shi vazhdon edhe ditët në vazhdim atëherë mund të rrezikohen edhe familje tjera në Komunën e Kumanovës. Banorët thonë se duhet kujdestaruar gjatë natës me që rreziku nga vërshimet është i pranishëm në çdo moment.

Zimer Jashari

Mançevski, LSDM: Nuk jemi kundër votimit të diasporës, po kundër shfrytëzimit të saj!

0

Partitë politike assesi të përmbyllin pakon zgjedhore si pjesë e marrëveshjes së 2 qershorit. Në klubin e deputetëve gjatë pasdites ka nisur takimi i grupeve të punës me praninë edhe të përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Piter Van Hojte.

Një pjesë e  partive refuzuan të deklarojnë qëndrimet e tyre partiake. Ndërkohë, siç mësohet, kërkohet kompromis për votimin e diasporës, për të përfunduar tekstin final ligjor për reformat zgjedhore.

Nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski tha se diaspora duhet të shfrytëzojë të drejtën e votës, dhe se kryeministri Nikola Gruevski po gënjen opinionin rreth qëndrimit të LSDM për këtë çështje “Sado që të dëshirojë të tregojë se LSDM-ja është kundër votimit të njerëzve tanë nga diaspora, kjo thjesht nuk është e vërtetë. Kundërargumenti më i madh është se diaspora DO TË votojë. E drejta për të votuar e bashkëkombësve tanë qe rrezikuar nga Nikolla Gruevski, i cili dëshiron që në mënyrë të lirë, me vetëm disa qindra vota, me ambasada të shndërruara në shtabe, të fitojë deputetë. LSDM-ja nuk e kupton diasporën si mjet për të fituar vota. Ne u angazhuam për lidhje thelbësore të të shpërngulurve tanë me shtetin e tyre amë dhe për këtë arsye, menjëherë pas ndërrimit të qeverisë, do të formojmë ministri për diasporën”, theksoi sot Mançevski.

 

Prokuroria e Nju Jorkut për rastin “Magyar Telekom” akuzon: Drejtorët kanë korruptuar politikanët!

0

Prokuroria e Nju Jorkut  ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorëve të “Magyar Telekom” për dhënien e ryshfetit politikanëve në Maqedoni, lajmëroi portali NovaTV.

Në aktakuzë, siç shkruan ky portal, është marrë parasysh dëshmia e paradokohshme e ish-kundërzbuluesit Sllobodan Bogoevski, si dhe një sërë dokumentesh që duhet të dëshmojnë se kompania ka dhënë ryshfet për të vazhduar monopoli i saj në tregun e telekomunikimeve në Maqedoni.  Në aktakuzë, sipas dokumenteve që i publikoi Nova TV, jepet skema e mashtrimit, që është zhvilluar mes viteve 2004 deri në vitin 2006.

Siç transmetoi portali, Prokuroria e Nju Jorkut në aktakuzë thotë se “ryshfeti i premtuar ka qenë në vlerë prej 19,6 milionë euro dhe është dashur t’u paguhet ish kryeministrit Vllado Buçkovski dhe funksionarëve të lartë të partnerit shqiptar të koalicionit, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi. Të akuzuarit kanë paguar rreth 4,8 milionë euro nga shuma e premtuar për ryshfet para se të zbulohet skema në vitin 2006”.

Marrëveshja e Përzhinos në pikëpyetje, Maqedonia rrezikon rekomandimin për BE!

0

Katër partitë kryesore në Maqedoni, si pjesë e bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike,  po vazhdojnë të zvarrisin procesin e realizimit të pikave të marrëveshjes së 2 qershorit. Vonesat për implementimin e marrëveshjes u reflektuan që me zgjidhjen e Prokurores Speciale, ndërsa ato u thelluan me pakon zgjedhore, me ç’rast kaloi afati i përcaktuar për finalizimin e kësaj çështje, që ishte paraparë më 6 tetor.

Zvarritja e procesit dhe mungesa e kompromisit po rrezikon procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Sinjalet paralajmëruese të ditëve të fundit nga Brukseli ishin që protagonistët politik në Shkup duhet që sa më shpejt të finalizojnë marrëveshjen.

Analisti politik, Alajdin Demiri thotë se zvarritja e marrëveshjes po e rrezikon procesin e eurointegrimeve.”Në këtë fazë nëse edhe kjo injorohet atëherë mundësitë ekzistimit të Maqedonisë si shtet i pavarur janë të vogla. Që do të thotë në një mënyrë do të bëhet një pjesë e protektoratit e në atë fazë nuk do të mund të bisedohet as për anëtarësim në BE, as në anëtarësim në NATO, kjo është reale. Mirëpo, ekziston një mundësi e vogël, që kooperimi i oligurive politike, në këtë rast, këto katër parti politike, të jetë pak më i madh në fazat që vijojnë”, vlerëson Demiri.

Por, pas arritjes së marrëveshjes për pakon zgjedhore, në tryezën e bisedimeve do të jetë çështja e mediave dhe sipas agjendës së paraparë do të rregullohet funksionimi i servisit publik Radiotelevizionit të Maqedonisë, Agjencia për shërbime Audio dhe Audiovizuale si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me mediat.

Gazetari Branko Geroski thotë se duhet të bëhet ndryshim thelbësor në servisin publik dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse ekziston vullnet politik.”Мe rëndësi është që në Maqedoni të bëhen zgjidhje sistemore për rolin mediave, duke kyçur servisin publik. Kam frikë se negociatat do të kalojnë në çështje kadrovike, në çështjet se kush do ta kontrollojë servisin publik dhe nuk do të vijmë te ajo kryesorja, a ajo është deri te ndryshime thelbësore të servisit publik dhe të gjithë sektorin mediatik. Ne kemi një problem sistemor, probleme infrastrukturore edhe në mediat e shkruara edhe në internet mediat, e veçmas në serisin publik.  Mendoj se në këtë moment është kyçe që të ka vullnet politik dhe bilanc politik, para se gjithash për ndryshim të servisit publik që duhet të duket në mënyrë drastike, më ndryshe se kjo që është tani”, tha Geroski.

Zëvendëskryeministri për integrime evropiane, Fatmir Besimi deklaroi dje se Maqedonia do të rrezikojë rekomandimin për anëtarësim, në rast se partitë politike nuk arrijnë të realizojnë marrëveshjen e Përzhinos.

Arbana Qerimi

LSDM me masa të reja për luftë kundër varfërisë dhe korrupsionit

0

LSDM-ja po propozon masa me të cilat, siç po sqarojnë, do t’i nxjerrin qytetarët nga varfëria. Partia opozitare po vë re se Maqedonia ka sistem të dobët dhe të varfër të mbrojtjes sociale. Për këtë qëllim, do të ndërfusin program për të ardhura minimale e të dinjitetshme. Me këtë sistem, personat që jetojnë në varfëri do të marrin kompensim në të holla, si shtim i të ardhurave që i kanë.

“Sistemi social nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e qytetarëve të varfër, por edhe me mbrojtjen e prindërve vetushqyes, të personave me aftësi të kufizuara, të atyre pa shtëpi, të personave të moshuar të cilët nuk kanë ndihmë nga familjet e tyre dhe të fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, deklaroi Milla Carovska nga Komisioni për punë dhe politikë sociale të LSDM.

Sipas saj, duhet të financohet ndërtim i çerdheve të reja, si dhe i shërbimeve falas për familjet me një prind me të ardhura nënmesatare. “Banesat sociale po bëhen bashkësi kolektive për banim të drejtuara nga vetëqeverisja lokale. Po mundësojmë integrim të tërësishëm për personat me nevoja të veçanta. Po ndërfusim pension shtetëror social”, tha Carovska.

Qëllimi i LSDM-së, siç thonë ata, është zvogëlimi i pabarazisë në shoqëri dhe kthimi i klasës së mesme. Sipas analizave të tyre, në Maqedoni ka pabarazi të madhe në shpërndarjen e të ardhurave. Për këtë arsye, siç tha Dragan Tevdovski, partia e tyre sot do ta ngrerë shtyllën e dytë të Vizionit të Maqedonisë. Përmes sigurimit të një sistemi tatimor më të drejtë, partia opozitare dëshiron të mundësojë mbrojtje sociale sipas nevojave të qytetarëve.

Objekt montazh – për dukje të re të Bit Pazarit

0

Dukje e re, kushte më të mira, më pak tollovi dhe më shumë stenda – do të mundësojë objekti i ri montazh, që po paralajmërohet për modernizimin e Bit Pazarit të Shkupit. Nuk është e hijshme të manipulohet me data, por, siç njoftoi edhe Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve, Ekrem Dolek, finalizimi i projektit dhe ndërtimi i tij do të zgjasë një vit.

“Pritet që në një të ardhme, pra këto ditë, brenda një jave ose dy Komuna e Çairit t’i japë leje ndërtimi firmës “Tregu i Shkupit”që menaxhon me Bit Pazarin, që në ndërkohë paralelisht punonin edhe në përgatitjen e projektit të përgjithshëm të dukjes së Bit Pazarit dhe pas dhënies së lejes për ndërtim, mbetet vetëm procesi i tenderit për firmën që do t’i kryejë punët dhe procedurat tjera të tenderit”, informoi Dolek.

Objekti do të shtrihet në sipërfaqe prej 10.000 metrash katrorë dhe do të përfshijë 240 vende për parkim veturash. Në fazën e parë do të mbulohet objekti, do të punohet në rregullimin e parkingut mbi të dhe në mbyllje të tërësishme të tregut me qëllim që shitësit të jenë të mbrojtur nga ndryshimet klimatike. Në fazën e dytë do të vijojë rregullim i brendshëm i tregut, ndërrim i stendave që janë më të vjetra se 30 vjet dhe rregullim i objekteve për shitje që janë përreth.

Tregtarët, jashtë kamerës, ankohen se materiali mbulues i stendave është vetëm 20 centimetra mbi ta dhe se dielli u bie drejt në kokë. Nuk dëshironin të flasin para kamerës, po qëndruan prapa përfaqësuesit të tyre.

Përndryshe, investimi i paraparë është i Tregut të Shkupit, në pronësinë e të cilit është toka, kurse ideja për rinovimin është punuar në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe vetë tregtarëve.

Vesna Jaqimovska

Kombëtarja në EURO 2016, atmosferë festive kudo që ka shqiptarë!

0

Kombëtarja shqiptare mbrëmë ka shkruar historinë në futbollin shqiptar, duke bërë ëndrrën realitet. Me fitoren 0-3 kundër Armenisë, Kombëtarja e Shqipërisë për herë të parë siguroi pjesëmarrje në kampionat evropian. Ky sukses i madh dhe historik për pjesëmarrje në “Euro 2016” në Francë u arrit falë golave të Berat Xhimishitit, Armando Sadikut dhe autogolit të Hovhanisanit.

Kjo fitore madhështore u festua edhe në rrugët e Shkupit.  Festa filloi nëpër rrugicat e Çarshisë së Vjetër, numri i tifozëve dhe qytetarëve me flamuj në dorë, pas çdo orë shënonte rritje.“Është historike, kualifikimi i Shqipërisë në Evropian është moment i rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithsesi tifozët kuqezi dhe gjithë shqiptarët kudo që janë e gëzojnë me shumë hare këtë kualifikim dhe shpresojmë se suksesi do të vazhdon edhe në kampionat. Forca jonë nuk përfundon këtu,  vetëm se ka filluar, forca Shqipëria”, shprehet një nga tifozët.

Dy biciklistat shkupjanë Loriku dhe Jetoni, të cilët me biçikletat e tyre udhëtuan për në Elbasan Arena,  për TV21 deklaruan që kualifikimi i kombëtares në evropianin në Francë 2016 është dhurata më e bukur për çdo shqiptar. Njëkohësisht, ata paralajmëruan edhe surprizën e radhës. “Ne kemi një mesazh për gjithë, me plis për Paris, qoftë me biçikletë, qoftë me aeroplan, apo me veturë. Ne, unë bashkë edhe Jetoni, besuam në Kombëtaren, prej Elbasanit u kthyem kokulur dhe ishim të tronditur pak, por festa nuk do të mbarojë sonte, festa do të mbarojë në Paris. Ju faleminderit, Televizioni 21, për përkrahjen dhe gjithë tifozëve shqiptarë për përkrahjen që na e dhanë. Shihemi në Paris, me plis në Paris, kjo është marshuta dhe kampanja jonë deri atje”, theksuan dy çiklistët e rinj.

Kampioni olimpik shqiptar në mundje nga Los Anxhelosi 1984, Shaban Tërstena thotë se fitorja është historike. “Këta 11 lojtarë, heronjtë e kombit shqiptar, janë ata që e kryen obligimin, me shpirt e me zemër luftuan për të shkuar aty ku duhet, 2016 në Francë. Ju lumtë 11 lojtarëve që janë në fushën e gjelbërimit atje në Armeni që i bëri të gjithë gëzueshëm popullin shqiptar”, deklaroi Tërstena.

Në festimet në Shkup ishte edhe Haxhi Sina, kampioni i Shqipërisë në mundje. “Mesazhi im për të gjithë tifozët shqiptarë është që gjithmonë të përkrahin Shqipërinë, në çdo moment sepse është kombi i tyre, janë të gjithë shqiptar, janë kuq e zi, dhe një mesazh për ekipin e kombëtares që gjithmonë duhet të mendojnë se pas atij stadiumi edhe brenda atij stadiumi, gjithmonë ka shqiptarë që lënë zemrën e tyre vetëm për të brohoritur për kombëtaren, për ekipin tonë që na përfaqëson”, theksoi mundësi Sina.

Ndërkohë, festime madhështore ka pasur edhe në qytetet e tjera, si Kumanovë, Dibër, Strugë, Gostivar, Kërçovë dhe në vendbanime të tjera.

Blerim Ismaili