Prokuroria e Nju Jorkut për rastin “Magyar Telekom” akuzon: Drejtorët kanë korruptuar politikanët!

TË FUNDIT

Prokuroria e Nju Jorkut  ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorëve të “Magyar Telekom” për dhënien e ryshfetit politikanëve në Maqedoni, lajmëroi portali NovaTV.

Në aktakuzë, siç shkruan ky portal, është marrë parasysh dëshmia e paradokohshme e ish-kundërzbuluesit Sllobodan Bogoevski, si dhe një sërë dokumentesh që duhet të dëshmojnë se kompania ka dhënë ryshfet për të vazhduar monopoli i saj në tregun e telekomunikimeve në Maqedoni.  Në aktakuzë, sipas dokumenteve që i publikoi Nova TV, jepet skema e mashtrimit, që është zhvilluar mes viteve 2004 deri në vitin 2006.

Siç transmetoi portali, Prokuroria e Nju Jorkut në aktakuzë thotë se “ryshfeti i premtuar ka qenë në vlerë prej 19,6 milionë euro dhe është dashur t’u paguhet ish kryeministrit Vllado Buçkovski dhe funksionarëve të lartë të partnerit shqiptar të koalicionit, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi. Të akuzuarit kanë paguar rreth 4,8 milionë euro nga shuma e premtuar për ryshfet para se të zbulohet skema në vitin 2006”.