LSDM-ja po propozon masa me të cilat, siç po sqarojnë, do t’i nxjerrin qytetarët nga varfëria. Partia opozitare po vë re se Maqedonia ka sistem të dobët dhe të varfër të mbrojtjes sociale. Për këtë qëllim, do të ndërfusin program për të ardhura minimale e të dinjitetshme. Me këtë sistem, personat që jetojnë në varfëri do të marrin kompensim në të holla, si shtim i të ardhurave që i kanë.
“Sistemi social nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e qytetarëve të varfër, por edhe me mbrojtjen e prindërve vetushqyes, të personave me aftësi të kufizuara, të atyre pa shtëpi, të personave të moshuar të cilët nuk kanë ndihmë nga familjet e tyre dhe të fëmijëve pa përkujdesje prindërore”, deklaroi Milla Carovska nga Komisioni për punë dhe politikë sociale të LSDM.
Sipas saj, duhet të financohet ndërtim i çerdheve të reja, si dhe i shërbimeve falas për familjet me një prind me të ardhura nënmesatare. “Banesat sociale po bëhen bashkësi kolektive për banim të drejtuara nga vetëqeverisja lokale. Po mundësojmë integrim të tërësishëm për personat me nevoja të veçanta. Po ndërfusim pension shtetëror social”, tha Carovska.
Qëllimi i LSDM-së, siç thonë ata, është zvogëlimi i pabarazisë në shoqëri dhe kthimi i klasës së mesme. Sipas analizave të tyre, në Maqedoni ka pabarazi të madhe në shpërndarjen e të ardhurave. Për këtë arsye, siç tha Dragan Tevdovski, partia e tyre sot do ta ngrerë shtyllën e dytë të Vizionit të Maqedonisë. Përmes sigurimit të një sistemi tatimor më të drejtë, partia opozitare dëshiron të mundësojë mbrojtje sociale sipas nevojave të qytetarëve.
