Kombëtarja në EURO 2016, atmosferë festive kudo që ka shqiptarë!

TË FUNDIT

Kombëtarja shqiptare mbrëmë ka shkruar historinë në futbollin shqiptar, duke bërë ëndrrën realitet. Me fitoren 0-3 kundër Armenisë, Kombëtarja e Shqipërisë për herë të parë siguroi pjesëmarrje në kampionat evropian. Ky sukses i madh dhe historik për pjesëmarrje në “Euro 2016” në Francë u arrit falë golave të Berat Xhimishitit, Armando Sadikut dhe autogolit të Hovhanisanit.

Kjo fitore madhështore u festua edhe në rrugët e Shkupit.  Festa filloi nëpër rrugicat e Çarshisë së Vjetër, numri i tifozëve dhe qytetarëve me flamuj në dorë, pas çdo orë shënonte rritje.“Është historike, kualifikimi i Shqipërisë në Evropian është moment i rëndësishëm historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithsesi tifozët kuqezi dhe gjithë shqiptarët kudo që janë e gëzojnë me shumë hare këtë kualifikim dhe shpresojmë se suksesi do të vazhdon edhe në kampionat. Forca jonë nuk përfundon këtu,  vetëm se ka filluar, forca Shqipëria”, shprehet një nga tifozët.

Dy biciklistat shkupjanë Loriku dhe Jetoni, të cilët me biçikletat e tyre udhëtuan për në Elbasan Arena,  për TV21 deklaruan që kualifikimi i kombëtares në evropianin në Francë 2016 është dhurata më e bukur për çdo shqiptar. Njëkohësisht, ata paralajmëruan edhe surprizën e radhës. “Ne kemi një mesazh për gjithë, me plis për Paris, qoftë me biçikletë, qoftë me aeroplan, apo me veturë. Ne, unë bashkë edhe Jetoni, besuam në Kombëtaren, prej Elbasanit u kthyem kokulur dhe ishim të tronditur pak, por festa nuk do të mbarojë sonte, festa do të mbarojë në Paris. Ju faleminderit, Televizioni 21, për përkrahjen dhe gjithë tifozëve shqiptarë për përkrahjen që na e dhanë. Shihemi në Paris, me plis në Paris, kjo është marshuta dhe kampanja jonë deri atje”, theksuan dy çiklistët e rinj.

Kampioni olimpik shqiptar në mundje nga Los Anxhelosi 1984, Shaban Tërstena thotë se fitorja është historike. “Këta 11 lojtarë, heronjtë e kombit shqiptar, janë ata që e kryen obligimin, me shpirt e me zemër luftuan për të shkuar aty ku duhet, 2016 në Francë. Ju lumtë 11 lojtarëve që janë në fushën e gjelbërimit atje në Armeni që i bëri të gjithë gëzueshëm popullin shqiptar”, deklaroi Tërstena.

Në festimet në Shkup ishte edhe Haxhi Sina, kampioni i Shqipërisë në mundje. “Mesazhi im për të gjithë tifozët shqiptarë është që gjithmonë të përkrahin Shqipërinë, në çdo moment sepse është kombi i tyre, janë të gjithë shqiptar, janë kuq e zi, dhe një mesazh për ekipin e kombëtares që gjithmonë duhet të mendojnë se pas atij stadiumi edhe brenda atij stadiumi, gjithmonë ka shqiptarë që lënë zemrën e tyre vetëm për të brohoritur për kombëtaren, për ekipin tonë që na përfaqëson”, theksoi mundësi Sina.

Ndërkohë, festime madhështore ka pasur edhe në qytetet e tjera, si Kumanovë, Dibër, Strugë, Gostivar, Kërçovë dhe në vendbanime të tjera.

Blerim Ismaili