Pas shiut i cili zgjati më shumë se dy ditë në Tetovë me rrethinë, rrugët janë mbuluar me gurë e baltë, por në disa fshatra si në Shipkovicë janë bllokuar tërësisht. Banorët kërkojnë nga komuna t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut vërshuan Reçicen dhe rrugët që lidhin me fshatin Brodec dhe Shipkovicë kanë bllokuar banorët. Ata ndjehen të rrezikuar dhe kërkojnë që komuna dhe institucionet qendrore sa më shpejt të ndërmarrin masa për sanimim e dëmeve. ”E shihni vet rrugën si është , duhet të rregullohet edhe këtu edhe atje më lartë, nëse nuk ndërtohet kjo gjatë dimrit ne nuk mund të kalojmë këtu”…“Shumë këtu po, edhe atje ende më shumë ka rrezik ,ka edhe shkëputje të rrugës ende më shumë. Un kam ndjetë prej ne ora7 deri ne 1 te natës me rast urgjent që kemi pasur, nuk kemi mundur të kalojmë edhe kemi kthyer pas”, shprehen banorët e kësaj ane.
Pas reshjeve të shiut në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zyrtarët e Komunës së Tetovës për të parë nga afër pasojat e vërshimeve. Ata u premtuan banorëve të dëmtuar ndihmë dhe angazhim që rruga të jetë e kalueshme sa më shpejt që është e mundur.
Gjendja vazhdon të jetë e vështirë edhe në Reçicë. Banorët thonë se kanali i hapur nuk i përmbush kërkesat e banorëve, për shkak se tash ka dhjetëra herë më shumë banorë se kur është vendosur rrjeti i kanalizimit. Ai mbetet fyt i ngushtë për këtë numër të popullatës. Sipas banorëve nëse komuna nuk ndërmerr hapa konkret për ti ndihmuar banorët e këtushëm ata janë të vendosur që të shpërngulen. ” Të rrezikuar po, mendohet edhe për t’u shpërngulur, për këtë lagje nuk mendon askush. Rrezikun vet e shihni edhe kamera juaj e tregon. Nuk mendon askush, se ne që 2 muaj rrimë pa punë. Tash Komuna kanë thënë se do të bëjnë një kanal të hapur dhe të jetë më i madh se ky, për ta bartur ujin, se përndryshe kjo na rrezikon edhe më keq“, thotë një banor i këtij fashti.
Në anën tjetër, komuna e Tetovës premton se do të intervenohet në rregullimin e shtretërve të proçkave por edhe rrugët e dëmtuara. Komuna ka filluar të hartoj projekte konkrete që pritet të realizohen vitin e ardhshëm. “Këto janë dëme, të cilat kërkojnë projekte nga ekspertë, që të gjendet një zgjidhje afatgjate. Prandaj, komuna ka porositur projekte, të cilat punohen nga ekspertët. Kur them projektet – janë punë që pak zgjasin, mirëpo shpresoj do të kenë zgjidhje afatgjate”, informoi Hysein Demiri, drejtor i Sektorit Për Komunikacion në Komunën e Tetovës.
Banorët e Reçicës, Shipkovicës dhe fshatrave tjera druajnë se reshjet e ditëve në vazhdim mund të rrezikojnë sërish banorët e këtushëm, andaj kërkojnë nga pushteti lokal intervenim të shpejtë për të hapur kanalet për parandalimin e vërshimeve.
Besian Leka
