Gjendje alarmante vazhdon të jetë edhe më tutje në Kumanovë, pas reshjeve të shiut që zgjasin tash e dy ditë. Mbi 50 familje jetojnë nën ethet e ujit, që në çdo moment mund të futet edhe në objektet e banimit. Në disa familje po përballën me largimin e ujit nga shtëpitë e tyre edhe evakuim në vende më të sigurta. Në gjendje më të vështirë janë banorët në lagjet Dardania, Bedinjë dhe Dobroshanë.
Familja Ibishi me 10 anëtarë të familjes nuk e di si të kaloj natën e sotme me që uji ka depërtuar në dhomat e banimit.”Shtëpinë tonë nga ora 23:00 ka nisur të futet ujë në bodrum ,duke hequr imtësirat. Kur dolëm në oborr,uji ka nisur të vij pas shtëpie. Frigoriferët ,hidrofori i ujit, dhe gjërat teknike u dogjën totalisht. Deri tani askush s ka ardhur të na vizitojë”, thotë një anëtar i kësaj familjeje.
Në gjendje hiç më të mirë nuk është as familja Nazmije Ibishi e cila po lufton me vërshimet.“Deri në oren 8 të mëngjesit s’kemi fjetur duke pastruar, ka hyre ujë dhe s’kemi mundur të largojmë asgjë ,sepse sasia e ujit ka qenë shumë e madhe”, tregon ky banor. “Gjithë çka që sheh është vërshuar brenda. Bahçja, e gjithë rrethina e Kumanovës është nën ujë dhe askush nuk po merr masa. Të gjithë ia hedhin fajin njëri-tjëtrit. Turp”, ankohet një banor tjetër.
Komuna e Kumanovës pas përmbytjeve të fundit ka formuar edhe shtabin e krizës dhe pritet që t’i evakuojë familjet e rrezikuara dhe t’u sigurojë kushte për banim. Familjet e rrezikuara në Kumanovë sot i vizitoi edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Vladimir Peshevski. Ai premtoi se qeveria do të angazhohet që këto familje të përballojnë këtë fatkeqësi natyrore. “Apeloj deri te pushteti lokal, sa më shpejt ta krijojë komisionin për mbrojtje. Të dalë në terren, sepse banorët kanë pasur dëme të caktuara, pompim të ujërave, sepse ky është momenti kur ne duhet t’ju japim mbështetje qytetarëve. Qeveria e Maqedonisë, përmes organeve të saj, kuptohet edhe përmes deputetëve si dhe këshilltarëve komunal, aktualisht e ndjekin gjendjen në teren dhe, nëse kanë nevojë, nga intervenime të rëndësishme në periudhën që vijon, gjithçka që është e nevojshme – Qeveria do ta marrë përsipër”, deklaroi Peshevski.
Nëse moti me shi vazhdon edhe ditët në vazhdim atëherë mund të rrezikohen edhe familje tjera në Komunën e Kumanovës. Banorët thonë se duhet kujdestaruar gjatë natës me që rreziku nga vërshimet është i pranishëm në çdo moment.
Zimer Jashari
