Marrëveshja e Përzhinos në pikëpyetje, Maqedonia rrezikon rekomandimin për BE!

TË FUNDIT

Katër partitë kryesore në Maqedoni, si pjesë e bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike,  po vazhdojnë të zvarrisin procesin e realizimit të pikave të marrëveshjes së 2 qershorit. Vonesat për implementimin e marrëveshjes u reflektuan që me zgjidhjen e Prokurores Speciale, ndërsa ato u thelluan me pakon zgjedhore, me ç’rast kaloi afati i përcaktuar për finalizimin e kësaj çështje, që ishte paraparë më 6 tetor.

Zvarritja e procesit dhe mungesa e kompromisit po rrezikon procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Sinjalet paralajmëruese të ditëve të fundit nga Brukseli ishin që protagonistët politik në Shkup duhet që sa më shpejt të finalizojnë marrëveshjen.

Analisti politik, Alajdin Demiri thotë se zvarritja e marrëveshjes po e rrezikon procesin e eurointegrimeve.”Në këtë fazë nëse edhe kjo injorohet atëherë mundësitë ekzistimit të Maqedonisë si shtet i pavarur janë të vogla. Që do të thotë në një mënyrë do të bëhet një pjesë e protektoratit e në atë fazë nuk do të mund të bisedohet as për anëtarësim në BE, as në anëtarësim në NATO, kjo është reale. Mirëpo, ekziston një mundësi e vogël, që kooperimi i oligurive politike, në këtë rast, këto katër parti politike, të jetë pak më i madh në fazat që vijojnë”, vlerëson Demiri.

Por, pas arritjes së marrëveshjes për pakon zgjedhore, në tryezën e bisedimeve do të jetë çështja e mediave dhe sipas agjendës së paraparë do të rregullohet funksionimi i servisit publik Radiotelevizionit të Maqedonisë, Agjencia për shërbime Audio dhe Audiovizuale si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me mediat.

Gazetari Branko Geroski thotë se duhet të bëhet ndryshim thelbësor në servisin publik dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse ekziston vullnet politik.”Мe rëndësi është që në Maqedoni të bëhen zgjidhje sistemore për rolin mediave, duke kyçur servisin publik. Kam frikë se negociatat do të kalojnë në çështje kadrovike, në çështjet se kush do ta kontrollojë servisin publik dhe nuk do të vijmë te ajo kryesorja, a ajo është deri te ndryshime thelbësore të servisit publik dhe të gjithë sektorin mediatik. Ne kemi një problem sistemor, probleme infrastrukturore edhe në mediat e shkruara edhe në internet mediat, e veçmas në serisin publik.  Mendoj se në këtë moment është kyçe që të ka vullnet politik dhe bilanc politik, para se gjithash për ndryshim të servisit publik që duhet të duket në mënyrë drastike, më ndryshe se kjo që është tani”, tha Geroski.

Zëvendëskryeministri për integrime evropiane, Fatmir Besimi deklaroi dje se Maqedonia do të rrezikojë rekomandimin për anëtarësim, në rast se partitë politike nuk arrijnë të realizojnë marrëveshjen e Përzhinos.

Arbana Qerimi