Qytetarët nga Maqedonia dhe Kosova, për ta kaluar kufirin mes dy shteteve, duhet patjetër të kenë me vete pasaportën. Ndonëse të dyja shtetet paraprakisht kanë zhvilluar takime për këtë çështje, marrëveshja për kalimin vetëm me letërnjoftime ende nuk është arritur. Problemi është më i madh për ata qytetarë të cilët kufirin e kalojnë pothuajse çdo ditë. Ata ankohen se pa nevojë po u mbushen pasaportat me vula kufitare.
“Po gjithsesi, sot isha në kalim, më treguan se duhet ta ndërroj pasaportën, sepse kam shumë vula. Mendoj se duhet të na lejojnë, ndoshta as me letërnjoftime, po diçka sa ma lehtë”…“Normal që duhet me e bë me letërnjoftime, e kanë pasur një marrëveshje por u shty, se di pse, sa ma shpejt, ma lehtë për ne”…“Ata e dinë vet për këtë punë, mirë është me letërnjoftim por ata e dinë më mirë” – janë mendimet e disa qytetarëve, të cilët i pyetëm për këtë çështje.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Zimri Qamili, tha se versioni i kësaj marrëveshjeje është formuluar është dërguar te autoritetet kosovare, dhe se për një kohë shumë të shpejtë kjo marrëveshje do të nënshkruhet. “Në bazë të dhënëve të cilat unë disponoj, mendoj se draft versioni i kësaj marrëveshje është formuluar dhe i është dorëzuar palës kosovare, aty nuk besoj se do të ketë ndonjë problem, besoj se për një kohë shumë të shpejtë edhe si marrëveshje kjo do të nënshkruhet dhe do të realizohet. Besoj se është në interes të dyja shteteve që kjo si marrëveshje të realizohet, për atë arsye se është në dobi edhe për shtetasit e Kosovës edhe për shtetasit e Maqedonisë, që të lehtësohet udhëtimi i të dyja shteteve. Ne si ministri e punëve të brendshme jemi të gatshëm, nuk do të ketë asnjë problem për realizimin e kësaj marrëveshje, ne kemi përvojë edhe me shtete tjera që Republika e Maqedonisë ka nënshkruar marrëveshje për udhëtim me letërnjoftime si me Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi”, informoi Qamili.
Nga ana tjetër, ambasadori i Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa, për shtyrjen e marrëveshjes tha se të dyja palët nuk kanë gjetur momentin e duhur, për shkak të zgjedhjeve që janë zhvilluar në të dy vendet.“Siç e dini dy palët nuk kanë gjetur momentin e duhur për arsye të kalendarit të tyre të brendshëm. Në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet, pastaj ka pasuar një përudhë e gjatë për formimin e qeverisë, pastaj këtu njësoj ka pasur zgjedhje, dhe ka pas ndërkohë edhe ngjarje të tjera të cilët kanë dominuar në agjendë. Tani siç e dini Maqedonia është në një fazë tjetër të qeverisjes. Sa na përket neve në momentin e parë që të dyja palët do të akordohen teknikisht për tu takuar, kjo do të jetë në rend të ditës së parë. Kjo është në interes të të dyja anëve, sidomos i qytetarëve, por është edhe benifit edhe i Kosovës por edhe i Maqedonisë”, deklaroi ambasadori Hysa.
Qytetaret e Kosovës tashmë janë pajisur me letërnjoftime biometrike, sipas standardeve më të larta, dhe kjo nuk është më një problem. Si ambasadori Hysa, ashtu edhe zëvendësministri Qamili, theksuan se do të insistojnë që kjo çështje të kryhet sa më herët.
Artan Nuhiu
