Popovska për "10 Minuta": Në zgjedhje e pavarur

0

Një njësi zgjedhore, në të cilën çdo parti do të mund të paraqitet si e pavarur është mënyra më e mirë për zgjedhje të Qeverisë, deklaroi sot kryetarja e Rimëkëmbjes Demokratike të Maqedonisë, Liljana Popovska, në emisionin “10 minuta” të TV21. Sipas saj, nëse ka vullnet të mirë, do të ketë edhe kohë që vendi të përgatitet për zgjedhjet e 24 prillit.

“Nëse ka vullnet të mirë do të ketë edhe kohë, sepse nëse nuk shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me listë votuesish të cilës të gjithë i besojmë, atëherë të mjerët ne, atëherë nuk do të kemi as zgjedhje normale e as demokratike, por as paqe dhe avancim në vend. Sa i përket modelit zgjedhor, ne dolëm publikisht dhe mbajmë qëndrimin tonë për një njësi zgjedhore. Mendoj se kjo është mënyrë e vetme për t’i shmangur kurthet e bipartizmit dhe këtë ‘klik-kllak’ ndërrim të dy partive më të mëdha dhe mendoj se është e rrugës të bëhet një njësi zgjedhore, që të mund çdo parti të paraqitet e pavarur“, tha Popovska.

Përndryshe, në pastrimin e sotshëm të deponisë në Gjorçe Petrov morri pjesë edhe zëvendësministri i Ekologjisë, Stevo Temellkovski, cili është nga radhët e RDM-së. E pyetën kryetaren e partisë se kë përfaqëson zëvendësministri i Ekologjisë. “Nuk e di kë e përfaqëson, e di ai, ndoshta VMRO-në, neve nuk na përfaqëson më, defintivisht“, u përgjigj Popovska

Partia e Liljana Popovskës tani më gjashtë muaj nuk është në koalicion me partinë në pushtet dhe paralajmëron se do të marrë pjesë si e pavarur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Intervistoi: Aleksandra Smilevska

Policia gjen autorët e helmimit në “Arseni Jovkov”

0

48 orë pas ndodhi rasti me helmimin e nxënësve në shkollën e mesme “Arseni Jovkov”, policia ka zbuluar autorët dhe spërkatësin e përdorur. Ata mësohet se janë nxënës të shkollës, kurse kanë përdorur të ashtuquajturin “sprej piperi” për të spërkatur nxënësit.

“Në këtë moment punohet në dokumentimin e plotë të rastit. Në pajtueshmëri me provat e siguruara është vërtetuar përgjegjësia e 3 personave, të moshës prej 16 deri më 20 vjet. 2 prej tyre janë nxënës të shkollës së mesme “Arseni Jovkov”, ndërsa i dyshuari i tretë ka qenë deri vitin e kaluar nxënës i po të njëjtës shkollë. Sipas të dhënave të deritanishme, 3 personat akuzohen për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Sipas të dhënave që kemi, personat kanë ardhur deri tek spërkatësi i ashtuquajtur “Peper Sprej” me të cilin fillimisht kanë filluar të spërkatën në mes vete e më pas edhe tjerët”, informoi zëdhënësi i MPB, Kotevski.

Ministri i Arsimit shprehet i kënaqur nga puna e policisë. Ai gjithashtu apelon deri tek drejtorët dhe arsimtarët që të mendojnë më shumë për sigurinë e nxënësve. “Jam i lumtur që MPB dhe organet hetuese shpejtë arritën deri tek fajtorët. Kjo ngjarje duhet të na shtyjë që të përmirësojmë sigurinë në shkollat. Gjithashtu, kjo ngjarje duhet t’i shtyjë edhe profesorët që të mendojnë më shumë për sigurinë e nxënësve brenda në shkolla. Apeloj, të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të gjithë Maqedonisë, që të punojnë më shumë edhe me prindërit edhe me arsimtarët edhe me nxënësit, por edhe me personat që i kanë të angazhuar për të siguruar shkollat. Do të përsëris edhe një herë, shkollat nuk janë institucione në të cilat duhet të kontrollohet gjithçka. Ato u takojnë edhe arsimtarëve dhe drejtorëve, por edhe nxënësve dhe prindërve. Shkollat janë shtëpi të përbashkëta për të gjithë, dhe të gjithë ne duhet të përkujdesemi që fëmijët tanë aty të ndjehen të sigurte, si në shtëpi”, theksoi ministri Ademi.

Përndryshe, të enjten mbrëma, dhjetëra nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov “ kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata janë ankuar në djegie të syve dhe të fytit, si dhe probleme me frymëmarrjen.

Furkan Saliu

"Uniteti" i shtohet skenës politike – Ostreni me alternativë të re

0

Ishin bashkë në luftë e në paqe, por të shtunën u ndanë përfundimisht. Gëzim Ostreni zyrtarizoi sot largimin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe hapi partinë e re “Uniteti”. Bashkë me komandant Ostrenin, me partinë e re u promovua edhe Zylfi Adili dhe disa anëtarë të tjerë. Qëllimi i Unitetit, sipas asaj që u tha, është hapja e një alternative të re për zhvillimet e mëtejme demokratike në vend, duke i larguar pengesat që qëndrojnë para komuniteteve në sigurimin e dinjitetit, lirive dhe të drejtave të tyre.

“Analiza e gjendjes në Maqedoni tregon se ajo ka arritur në krizë institucionale. Në një gjendje ku shtyllat e demokracisë janë deformuar, ngase disa pushtetarë dhe pjesëmarrës të pushtetit aktual janë ngritur mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe kanë kontribuar të sundojë presioni, frika dhe rreziku nga burgosja, nga rrahja e njerëzve që janë të “fajshëm” vetëm pse janë shqiptarë, ose e maqedonasve pse janë oponentë politikë, rrahja e gazetarëve, djegia dhe rrënimi i objekteve të shqiptarëve dhe të tjerëve, mito dhe korrupsioni, nepotizmi që mbretëron gjatë punësimit dhe leverdive tjera”, theksoi Ostreni.

Për dallim prej Ostrenit, Adili nuk foli para medieve për kalimin e tij. Madje nuk u sqarua nëse do të veprojë si deputet i BDI-së apo Unitetit. “Adili është qytetar i lirë, ai ka fituar me votat e qytetarëve shqiptarë, tani e tutje do të përcaktohet dhe kur do të përcaktohet do t’ju tregojë vetë ai”, shpjegoi Ostreni.

Gëzim Ostreni, në vitin 2001 gjatë luftës në Maqedoni, ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Maqedoni.  Më 5 qershor të vitit 2002, ai iu bashkëngjit Bashkimit Demokratik për Integrim, ku nga shkurti i vitit 2003 u emërua sekretar i përgjithshëm i partisë. Në Zgjedhjet Presidenciale 2004 ishte kandidat i BDI për kryetar të Republikës së Maqedonisë.

Zimer Jashari 

Ndryshon ligji për komunikacion – dënime më të larta, shpejtësi më të vogla

0

Gjoba më të larta, dhe shpejtësi më të vogël. Kështu parasheh ligji i ndryshuar për komunikacionin, i cili u shpjegua më në detaje të shtunën nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski tha se risia kryesore në këtë legjislacion është zvogëlimi i shpejtësisë në vendbanime dhe gjobat prej 100 euro për automjetet, të cilat baltosin rrugën. Kurse, prej të mërkurës, do të jetë e obligueshme për familjet që kanë fëmijë të vegjël të kenë ulëset e posaçme për ta. “Në ligjin i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare më 30 shtator, dhe hyn në fuqi prej 7 tetorit, shpejtësia maksimale në vendbanime do të jetë 50 kilometra në orë.  Në varësi se për çfarë dënimi bëhet fjalë, do të përshtaten edhe dënimet, që do të thotë nëse vozitësi nget veturën 100 km/h në vendbanime, atëherë në pajtueshmëri më ligjin është parashikuar dënim prej 400 euro, dhe 60 pikë negative. Parashihet edhe konfiskimi i patent – shoferit prej 6 deri në 12 muaj”, theksoi Kotevski.

Ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Komunikacion do të reflektohen edhe tek auto-shkollat. Ligji i ri i obligon ato që të xhirojnë gjithë procesin e pajisjes me patentë shoferi, prej mësimit teorik e deri tek provimi i fundit.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se është punuar 1 vit në hartimin e ligjit, kurse ai është bazuar në modelet sllovene dhe kroate. Ndryshimet në këtë ligj do të hyjnë në fuqi nga data 7 tetor.

Furkan Saliu

Mungesa e hapësirave rekreative në Tetovë – Komuna zotohet të dëgjojë ankesat e qytetarëve

0

Përmbytjet që goditën Tetovën në gusht lanë shumë pasoja në hapësirat publike, ankohen qytetarët, duke vënë theks edhe mbi mungesën e hapësirave rekreative, të cilat po ashtu u prekën apo vërshuan nga lumi Shkumbin. Në komunë ndërkaq thonë se do të sanojnë dëmet, dhe të përmbushin premtimet e dhëna më parë!

“Po shihe mungesën, krejt bërllok, s`merr vesh askush, nuk na marrin nëpër dorë. Shihe, bërlloku i madh, edhe incizoje atë, nxjerre“. Ankesa e këtij qytetari të Tetovës, ka të bëjë me rrugën që çon për në Banjë. Ai kishte dalë këtë pasdite për rekreacion, por ofshante përse nuk po pastrohet lumi Shkumbin, që vërshoi këtë anë në muajin gusht. Qasje të njëjtë si ai, kanë edhe banorë tjerë të zonës. “Kjo është mëkat i madh ta shohësh këtë, unë për vete mendoj se shumë keq është kjo“, vlerëson një banor tjetër i Tetovës.

Por nuk është papastërtia halli i vetëm i vizitorëve të Banjës, sepse edhe rruga e dëmtuar po paraqet problem. “U bë katastrofë krejt, siç po i shihni edhe vetë gërmadhat”, tregon një prej qytetarëve.

Mungesa e hapësirave rekreative në Tetovë, po del të jetë goxha preokupim për banorët e këtushëm. Madje edhe shoqëria civile tërheq vërejtjen se për këtë gjë janë dhënë premtime, të cilat ende nuk janë realizuar. Ambientalisti Arianit Xhaferri nga “Eko Guerila”, thotë për Televizionin 21 se problemi i hapësirave për rekreacion në Tetovë, është real. “Mungesa e hapësirave të gjelbërta por edhe qendrave për rekreacion është me të vërtet një problem shumë i madh në Tetovë. Kemi qendrën e sporteve që gjendet në hyrje të qytetit, por e cila është krejtësisht jashtë përdorimit. Me sa mbaj mend, kryetarja e komunës ka pasur në programin parazgjedhor një pjesë ku fliste për sanimin e kësaj qendre dhe për krijimin e qendrave tjera rekreative, por gjëra të tilla nuk kemi parë deri në këtë moment. As nuk është sanuar qendra sportive, dhe as nuk është krijuar diçka e re”, thekson Xhaferri.

Në komunë ndërkaq kujtojnë se nuk u mungon vullneti për të përmbushur zotimet, por mjetet financiare. Drejtori i urbanizmit në Tetovë, Nexhadi Zylbehari, shpjegon se rruga për tek banja e qytetit, do të bëhet medoemos. “Sa i përket rrugës për tek Banja, këtë vit kemi filluar zgjerimin e rrugës dhe asfaltimin, duke i shtuar edhe një trotuar, sepse rruga ka qenë jashtëzakonisht e ngushtë dhe një pjesë që është e frekuentuar shumë nga këmbësorë. Aty kryqëzoheshin lëvizjet e këmbësorëve me automjetet dhe pengonin njëri – tjetrin. Me zgjerimin e rrugës dhe shtimin e trotuarit, tash do të mundësohet së paku ai trotuar. Por shpresojmë të gjemë mjete ta përfundojmë, nuk e di sa do të kemi sukses deri lartë te Banja”, spjegon Zylbehari.

Sipas drejtorit të urbanizmit, kryetarja Teuta Arifi nuk shkel premtimet e dhëna. Por, nga “Eko Guerila” janë paksa skeptikë, vallë do të zbatohet gjithçka siç është thënë. Në komunën e Tetovës përmendin edhe çështjen e investimit në Kodrën e Diellit, për të cilën ankohen se po hasin në pengesa nga pushteti qendror.

Ilir Kamberi

Më pak mbeturina në Gostivar, pastrohet rruga deri te deponia kryesore

0

Një natyrë e bukur, e ndarë vetëm nga një rrugicë prej vendit ku ndodhen mbeturinat që nuk e kanë vendin aty. Kjo gjë do të ndryshohej sot. Pastrimi i rrugës që çon për në deponinë kryesore  “Rusino’’ filloi që me mëngjes, e për vëzhgim aty ishte edhe kryetari i Komunës së Gostivarit,  i cili në shenjë respekti  i dha fjalën së pari z. Nurhan Izairit, ministrit për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Izairi tha se nevojitet një vetëdijesim më i madh i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve që mbeturinat të mos hidhen kudo, vend e pa vend. Kohë më parë ishte premtuar se do të ndërtohej një fabrikë për riciklimin e mbeturinave, në deponinë kryesore të rajonit të Pollogut. Konkursi ishte hapur, por pa sukses. Se në cilën fazë janë autoritetet, për zgjidhjen e këtij problemi, u përgjigj ministri Izairi. “Thashë, ka qenë iniciativë e mëhershme për dhënie më koncesion. Për shume arsye u ndërpre dhe tani po e presim studimin, i cili do të na tregojë neve dhe udhëheqësve të  rajonit, se cila do të jetë forma do të jetë përsëri me koncesion, apo do të jetë ne ndonjë forme tjetër’’, informoi Izairi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta  tha se ky aksion nuk do të mund të realizohej  pa mbështetjen e Ministrisë dhe të më shumë njerëzve.“Këtë rrugë mbi dhjetë herë e kemi pastruar dhe vazhdojmë ta pastrojmë, por kemi disa qytetarë dhe pronarë të papërgjegjshëm, të cilët i hedhin mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin. Prandaj ne kemi punuar shumë që qyteti i Gostivarit të jetë sa më i pastër, prandaj bëj një  apel që pas këtij aksioni t’i hedhin mbeturinat ku e kanë vendin, deri sa të zgjidhim  problemin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave”, theksoi Bejta.

Sipas kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe ministrit Izairi, aksioni “Për një Maqedoni më të pastër”  do të vazhdojë pandërprerë dhe shpresojnë se mbështetje me e  madhe do të vijë edhe nga qytetarët.

Evi Shkopi

Pastrohet deponia e zezë në Gjorçe Petrov, Fushë Tophana e mbuluar nga bërlloku

0

Është pastruar pothuajse e tërë deponia e mbeturinave pranë shtegut të lumit Vardar në Gjorçe Petrov. Në aksionin “Maqedonia pa mbeturina 2015”, që u zhvillua të shtunën gjithandej Shkupit, u angazhua ndërrmarrja publike Higjiena Komunale, të cilët gjatë pastrimit të deponisë edhe sharruan një numër të konsiderueshëm të degëve.

Nga organizata “Hajde” thonë se sharrimi i degëve ka qenë me qëëlim që kamionët të kenë qasje për të pastruar deponinë. “Ne lejuam që të sharrohen degët, por nuk lejuam që të prehet asnjë dru, degët kanë qenë të sharruar që të mund të hyjë mekanizimi dhe të ndihmojë. Në këtë rast nuk do të dëmtohen drutë në asnjë mënyrë”, thotë Bllazhe Josifovski.

Zëvëndësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Stevo Temellkovki tha se sot të gjithë janë në këmbë, për ta bërë më të pastër mjedisin ku jetojnë. “Për momentin po pastrohet çdo kund, janë të kyçur të gjithë,  Ministria e Shëndetësisë, Arsimit, e Vetëqeverisë lokale, organizatat joqeveritare, mbi 30 organizata të cilat janë duke pastruar në tërë Maqedoninë”, informoi Temellkovski .

Kamera e televizionit 21 xhiroi gjendjen e mjerueshme që po mbizotëron në Fushën e Tophanës. Ministri ndërkaq nuk deshi të komentojë, përse këtë vendbanim e kanë lënë pa pastruar. Gishtin preferoi ta drejtojë kah udhëheqësit e Komunës së Çairit, që ata të pyeten përse s’po ndërmarrin masa.

Zëdhënësja e komunës se Çairit, Kaltrina Zekolli tha se sot është bërë vetëm pastrimi i terreneve sportive në Fushën e Tophanës, ndërkaq, pjesët tjera të kësaj komune do të pastrohen ditëve në vijim.

Kryetari i Qytetit të Shkupit tha se ata kanë kujdes të vazhdueshëm për pastrimin e ambientit jetësor. “Qëllimi i këtij aksioni është që të japim theks në pastërtinë në mjedisin jetësor në qytetin e Shkupit. Ajo nuk duhet të jetë vetëm në aksione si kampanja por ajo për neve është kujdes permanent. Në qytetin e Shkupit tash ka më pak deponi shkaku është që Higjiena komunale dhe ndërmarrjet komunale janë aktive”, theksoi Trajanovski.

Ky aksion mbahet në 112 shtete në Evropë, ndërkaq në Maqedoni janë të kyçura 60 komuna.

Arbana Qerimi

Qytetarët pa informata të mjaftueshme për sëmundjen Uilson

0

Të rritur e fëmijë, kishin këtë të shtunë në Parkun e Qytetit të Shkupit, buzë Vardarit.

Ata më të fuqishmit e sprovuan veten në vrapim prej 5000 metrash. Por, nuk bënin garë për të fituar, por për të qenë pjesë e një nisme humanitare. Krejt kjo për të vetëdijësuar opinionin për një sëmundje të rrallë gjenetike, e quajtur Uilson, që ndikon në çrregullim të metabolizmit.

“Njerëzit nuk janë vetëdijshëm për këtë sëmundje. Sëmundja është e rrallë, një deri në katër nga 100mijë pacientë vuajnë nga kjo sëmundje, kështu që njohuritë për këtë sëmundje nuk ka fare”, thotë Mja Dimq, kryetare e Shoqatës për të prekurit me Vilson

Gara humanitare u bë për të mbledhur fonde, të cilat janë të nevojshme për t’i siguruar të prekurit me këtë sindrom, si dhe që të përcillet sëmundja e tyre përmes testeve të nevojshme, e që janë të kushtueshme.

Për qytetarët që ishin mbledhur në park, qëllimi i ardhjes ishte të mësojnë më shumë për sëmundjen e rrallë Uilson, por edhe të dëfrehen në këtë fundjavë. Në garë morën pjesë shumë qytetarë që e përkrahën këtë nismë. Shumë prej tyre, edhe pse nuk morën pjesë në garë, dhuruan para, për t’u ndihmuar njerëzve me sëmundje të tillë. Si shpërblim, disa prej tyre fituan si dhuratë edhe fanella nga organizatori.

Fëmijët me porosi: ”Dashuria e fëmijëve nuk ka kufij, jeta e fëmijëve nuk ka çmim“

0

Fushata e Këshillit Republikan për Siguri në Trafik “T`i mbrojmë fëmijët në trafik” vazhdon me një tempo të forcuar. Përveç personaliteteve të njohura të paralajmëruara, porosi për rritjen e sigurisë së fëmijëve në trafik dërgoi edhe manekenja Katerina Ivanovska dhe kitaristi Vladimir Çetkar, transmeton zhurnal.mk.

Përskaj tyre, në fushatë kontribut të tyre dhanë edhe fëmijët, për të cilët po bëhet kjo kampanjë. Më të vegjëlit nga kopshti “Nikolla Karev” nga Кomuna e Karposhit, të veshur me tesha të verdha, duke i mbajtur fort porositë në duar, shëtiteshin në rrugët e Karposhit dhe duke dërguar porosi deri të vozitësit.

Disa prej porosive të fuqishme ishin:”Secili fëmijë meriton që t`i gëzohet jetës”,”Vozit me kujdes, ti je i përgjegjshëm”,” Dashuria e fëmijëve nuk ka kufij, jeta e fëmijëve nuk ka çmim”, etj.

Fillon Festivali i tetë i pantomimës dhe teatrit fizik "Panfiz"

0

Sonte, në Teatrin Komedia në Shkup, me shfaqjen “Burrat janë më ndryshe, por edhe gratë gjithashtu” të artistit të pantomimës Damir Dantes nga Zvicra, hapet Festivali i tetë internacional i pantomimës dhe teatrit fizik “Panfiz 2015”.

Festival, i cili do të zgjasë deri më 7 tetor, do të sjellë tri shfaqje nga sfera e teatrit fizik dhe dy shfaqje nga fusha e pantomimës. Shfaqjet do të luhen edhe në Teatrin e Dramës dhe në skenën e vogël të Operës dhe Baletit të Maqedonisë.

Festivali  do të përmbyllet me shfaqjen “Piesa për dy” e Aleksandros Mihail nga Greqia, pas së cilës do të ndahet edhe çmimi i Festivalit.