Si është të ecësh mbi urën më të frikshme në botë?(FOTO)

0

Një aventurë e re në perëndim të Gjermanisë po tërheq mijëra turistë guximtarë çdo ditë nga e gjithë bota falë pamjeve të mrekullueshme e njëkohësisht drithëruese në gati 100 metra lartësi në kanionit.Vizitorë të pafrikësuar kalojnë nga njëra anë në tjetrën mbi urën e përkulur. Nga lart shihet një pamje mahnitëse pemësh në kanionin Geierley.

Me gjatësi 365 metra, ajo është ura me litarë më e gjata në Gjermani. Ideja e ndërtimit të kësaj ure u propozua në vitin 2006 por planet u braktisën pasi në fillim një urë e tillë konsiderohej e parealizueshme.

5 vjet më vonë, projekti u rivu në punë, dhe këtë herë me rezultate më të mira.

Ndërtimi i saj filloi më 26 maj të këtij viti dhe përfundoi në kohë rekord brenda 130 ditëve. Deri tani atë e kanë vizituar 170 mijë vetë.

Shkolla e parë për majmunë në Kinë

0

Kina ka hapur shkollën e parë për majmunë. E veçantë e kësaj shkolle është se majmunët mësojnë ngjashëm si njerëzit, në banka shkollore, megjithatë ata nuk mësojnë shkrim e lexim, por akrobacione të ndryshme.

Stuhitë në Francë, 16 të vdekur e mijëra shtëpi të shkatërruara(FOTO)

0

Stuhitë “apokaliptike” dhe përmbytjet në jug-lindje të Francës kanë lënë 16 viktima dhe mijëra shtëpi pa energji elektrike.

Qindra pushues gjithashtu kanë mbetur të bllokuar. Shiu i pothuajse dy muajve ra vetëm në pak orë të shtunën (3 tetor) në darkë në Cote d’Azur.

Shirat bënë që lumi Brague të dilte nga shtrati, lum i cili shtrihet në qyteza të populluara të Kanës dhe Nisës.

Rrugë të tëra janë përfshirë nga dallgë me ujë me baltë që kanë shkatërruar shtëpitë e makinat e njerëzve në rivierën franceze.

Disa të prej të vdekurve janë dhe personat që u strehuan në makinat e tyre duke menduar se mund të jenë më të sigurt.

Presidenti francez, François Hollande u takua me banorët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar nga fatkeqësia natyrore.

6 milion denarë për 7 makina dhe 1.5 milion denarë për 5 elektro-trotinetë në qendrën e Shkupit

0

Prej sot, kush dëshiron të shëtisë në qendër e Shkupit pa u lodhur, do të mund ta bëjë këtë me makina elektrike.

Autoritetet lokale kanë sjellur edhe kontingjentin e dytë të këtyre mjeteve transportuese që nuk shkaktojnë ndotje. Tani, numri i këtyre mjeteve është 12 makina elektrike, si dhe 17 elektro-trotineta.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski tha për mediet të dielën se këto mjete alternative transporti kanë për qëllim që t’ua lehtësojnë njerëzve shëtitjen nëpër qendër të kryeqytetit.

“Prej sot këto makina mund të shfrytëzohen për vizitorët e qytetit të Shkupit, nga qytetarët tanë, nga turistët. Kjo është një mundësi dhe përparësi për qytetin e Shkupit që të jetë në nivel të njëjtë me vendet evropiane”, theksoi Trajanovski.

Këshilli komunal i Shkupit ka ndarë 6 milionë denarë për makinat elektrike dhe 1.5 milionë denarë për elektro-trotinetët. Për çmimin që është paguar, nuk e thanë asnjë fjalë.

“Për ata që dëshirojnë të marrin makina elektrike dhe t’i shohin vendet më atraktive në rajonin e qendrës së Shkupit, oferta është zmadhuar dhe është pasuruar edhe me pesë elektro-trotinetë, të cilët qysh sot do të vihen në funksion; dhe të gjithë të interesuarit për t’i marrë ato, do të mund ta bëjnë këtë gjë menjëherë”, informoi Borçe Jakimovski, drejtori i NP ”Parkingu i qytetit”.

Makinat do të jenë të parkuara në Sheshin Maqedonia, dhe do të menaxhohen nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Shkupit”.

Çmimi për to mbetet i njëjtë: bileta për shfrytëzimin e automjeteve elektrike është 50 denarë, ndërsa për elektro-trotinetët 100 denarë për një orë.

Elektro-makinat kanë 4 ulëse, kurse me një mbushje të baterisë mund të qarkullojnë 50 deri në 70 km.

Zimer Jashari

Janko Baçev: "MPB nuk e heton rastin e atentatit kundër Gligorovit"

0

Ndihmës-ministri i punëve të brendshme, Ivo Kotevski gënjen tinëzisht kur thotë se hetimi për atentatin ndaj kryetarit Kiro Gligorov po vazhdon, akuzoi sot kryetari i Lëvizjes Popullore për Maqedoninë, Janko Baçev. Ai në konferencën për shtyp tregoi një dokument të datës 6 shtator 1999, për të cilin thotë se është autentik. Në të, personat përgjegjës i njoftojnë njësitë e policisë sekrete se aksioni operativ “Automobil”  më nuk ekziston si tërësi organizative e veçantë.

“Kur ka një aksion operativ, nënkuptohet veprim i organizuar dhe i sinkronizuar me përfshirje të një numri të madh agjentësh të policisë sekrete dhe një zbatim më të gjerë të mjeteve dhe metodave operative-teknike. Ndërsa në rastin e këtij dokumenti skandaloz, shohim se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është hequr ky aksion operativ dhe se nuk është punuar në mënyrë të organizuar dhe sistematike. Pra, gjithçka i është lënë rastësisë.”, deklaroi Baçev.

Baçev kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme  që t’i përgjigjet opinionit se për ç‘arsye policia edhe më tutje vazhdon të gënjejë se kinse po punohet në zbardhjen e atentatit ndaj Gligovorit.

Kotevski ndërkaq, në një bisedë telefonike me TV 21-shin, thotë se nuk mund të komentojë për një dokument që daton para 16 viteve, në një kohë kur ai nuk ka qenë i punësuar në polici. Për pohimet e Baçevit se MPB gënjen se ende po hetohet rasti i atentatit, ai thotë se deri më tani MPB edhe po të dojë, nuk mund të hetojë çdo lloj rasti, sepse kjo është punë e Prokurorisë.

„Është shumë e vështirë të kompensohen të gjitha lëshimet që qëllimisht apo jo janë bërë në hetimin e atëhershëm. Për fat të keq, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka momente të reja rreth atentatit. Sa më shumë që kalon koha, aq më të vogla janë shpresat për zbardhje dhe për njohje të plotë të asaj që ka ndodhur para 20 viteve”, thotë Kotevski.

Informatat më të reja të lidhura me atentatin ndaj kryetarit të atëhershëm Gligroov janë të muajit shkurt të këtij viti, kur Izet Haxhija, ish-truprojë i kryetarit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha, në një intervistë për gazetën “Dita” deklaroi se ka qenë pikërisht Berisha ai që i ka pritur në Shqipëri grupet terroriste, të cilat e kanë vendosur bombën kundër Gligorovit. Baçev konsideron se, përveç këtyre, policia maqedonase duhet t’i ketë  parasysh edhe informatat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.

 „Është interesante se deri më sot, Maqedonia akoma nuk i ka kërkuar stenogramet e bisedës mes Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Gligorovit të zhvilluar më 2 tetor, një ditë para atentatit. Është me interes të dihet se çka është biseduar në katër sy. Kjo është një bazë e mirë që të hetohet atentati. Çka është edhe më interesante, ai takim është mbajtur jashtë gjithë kornizave protokollare, sepse nuk është zhvilluar në pallatin presidencial, siç kërkojnë rregullat, por është zhvilluar në një bunker ushtarak në periferi të Beogradit”, potencon Baçev.

Dje u mbushën 20 vjet nga atentati ndaj kryetarit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov. Asnjëri edhe sot nuk mund të thotë se kush u përpoq t’i bënte atentat atij dhe cilat mund të jenë motivet e mundshme për këtë. Në këtë sulm humbën jetën shoferi i tij Aleksandër Spirovski dhe një kalimtar i rastit, Hristo Hristomanov. I lënduar mbeti truproja e kryetarit – Ilço Teovski, si dhe kalimtarët Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski. Kiro Gligorovi ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012.

Fushatë vetëdijësimi për kancerin në gji

0

Në Shkup u shënua Dita e Luftës Kundër Kancerit në Gji, me moton “Përpara rozë 2015, hapa kundër kancerit të gjirit”. Shoqata joqeveritare “Luftë- për çdo ditë të re”, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, organizuan kampanjën e shtatë me radhë. Shumë qytetarë ishin pjesëmarrës në shëtitjen me ngjyrë rozë, përfshirë edhe vullnetarët e organizatës.

Shoqatat që mbrojnë këtë kauzë kërkuan përkrahje nga qytetarët. Për këtë gjë edhe kishin nxjerrë në shitje fanella dhe bylyzykë. Me paratë e grumbulluara duan të bëjnë një gjë fisnike, të blenë paruka për ato paciente, të cilave u bien flokët nga kemoterapia. “Tek ne në shoqatë, nuk vijnë vetëm njerëz me kancer në gji, por edhe me kancerë të ndryshëm, kështu që  nevoja për paruke është e madhe, sepse e dimë se kanceri është si epidemi , kështu që paratë shkojnë për blerjen e parukave”, informoi Atina Sazdova, vullnetare e Shoqatës “Luftë- për çdo ditë të re”.

Edhe ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ishte pjesë e këtij aktiviteti. Ai tha se duhet përkrahur nismat të tilla, për t’u dhënë kurajo atyre që preken nga sëmundjet e tilla dhe familjeve të tyre.

“Shumë njerëz anë e mbanë botës  nuk kanë nënë, motër, gjyshe, shoqe ose vajzë sepse ka vuajtur nga kanceri i gjirit. Pra është diçka që na bashkon neve të gjithëve. Por sot, ne nuk jemi mbledhur për të vuajtur, por për të marshuar përpara në përkrahje të trajtimit dhe diagnostikimit të hershëm, sepse në fund kjo është ajo që shpëton jetën”, theksoi ambasadori Bejli.

Pjesë e turmës ishte edhe zonja e parë e shtetit, Maja Ivanova. Edhe këtë herë, tha se përkrahja e saj për këtë kauzë nuk do të mungojë, që të mundësohet diagnostifikimi i hershëm. “Kur ecim së bashku, atëherë e japim atë mbështetjen tonë të pakushtueshme, për ato të cilat janë më në nevojë, të sëmura nga kanceri i gjirit”, tha Ivanova.

Kryetarja e Shoqatës “Lufta për çdo ditë të re” Biba Dodeva u shpreh e kënaqur me rezultatin që kanë arritur ajo dhe organizatat simotra për të çuar përpara kauzën e tyre.

“Të gjithë shoqatat në Maqedoni, të cilat kanë luftuar për këtë, arritëm që ministria të dëgjojë dhe të gjejë mundësi për implementimin e skriningut dhe konsiderojmë se mu në këtë mënyrë do të inkurajohen më shumë gra që me sukses të shërohen nga kjo sëmundje”, vlerëson Dodeva. Sipas saj, vetëdijesimi te femrat është shtuar dhe shumë prej tyre duan t’i bëjnë kontrollet preventive, që mund të ndikojë në uljen e numrit të vdekjeve nga kjo sëmundje.

Miradije Hasani

Kujdes i pamjaftueshëm për kafshët endacakë në Shkup

0

Në “Ramstore Mall” u shënua Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve. U mbajtën disa aktivitete, ndër të cilat ishte edhe përzgjedhja e kafshës më të bukur. Organizatori tha se shpreson që kjo të përsëritet çdo vit dhe të bëhet traditë në të mirë të kafshëve. Disa të pranishëm u ankuan për kujdesin ndaj kafshëve në vendin tonë dhe thanë se kujdesi për kafshët endacake duhet shtuar.

Njëri nga organizatorët, Jordan Kolevski, tha se qëllimi i revysë është që të rritet vetëdija e njerëzve për mbajtjen dhe kujdesin ndaj kafshëve. “E shënojmë Ditën botërore të kafshëve në Ramstor Mall, me një konkurs interesant që mbahet për herë të parë në një ambient të mbyllur tregtar. Do të ketë defile të kafshëve të përkëdhelura dhe ato më sharmantët që do të përzgjidhen nga juria, do të fitojnë çmime të vlefshme. Qëllimi ynë është ta rritim vetëdijen për edukimin dhe mbrojtjen e kafshëve, nëpërmjet stendave promovuese dhe organizimit të një eventi të këtillë”, informoi Kolevski.

Një nga pjesëmarrëset e konkursit, Aleksandra Trajkovska, ankohet se po bëhet pak për kafshët, si ato shtëpiake, po ashtu edhe ato endacake. Ajo madje kërkoi edhe rregullim ligjor, për të ashpërsuar masat për pronarët që lënë vetëm kafshët në rrugë.

“Qyteti duhet të ketë më shumë vëmendje edhe për kafshët e përkëdhelura shtëpiake, por edhe për ato që janë lënë rrugëve. Mendoj se duhet të hapen qendra më të shumta dhe më të mëdha për mbrojtjen dhe strehimin e kafshëve dhe jo vetëm për qentë dhe macet, por gjithashtu edhe për kafshët e tjera. Duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje sigurimit të më shumë mjeteve për këtë gjë, me qëllim që këto kafshë të mos ngelin rrugëve. Gjithashtu mendoj se dënimet kundër pronarëve që i braktisin kafshët e tyre, duhet të jenë më rigoroze”, vlerëson Trajkovska.


Një pjesëmarrës tjetër, ka qëndrim të kundërt. Sipas tij, Qyteti i Shkupit, në krahasim me kryeqytetet tjera të rajonit, është shumë përpara në lëminë e kujdesit ndaj kafshëve. Lazar Banov thotë se është i kënaqur, pasi që ka shumë shëtitore dhe vende për të luajtur me kafshët. “Unë jam i kënaqur për mënyrën se si Qyteti i Shkupit kujdeset për kafshët tona. Gjithnjë e më shpesh krijohen hapësira të veçanta për qentë. Të tilla ka në Park, në Karposh, në Aerodrom dhe mendoj se kështu gjërat shkojnë duke u përmirësuar”, thekson Banov.

Mirëpo, është fakt se në qendër të qytetit të Shkupit çdo ditë shihen qentë endacak, që nganjëherë dinë të jenë agresiv. Autoritetet komunale tentojnë të vënë në kontroll edhe këtë segment, duke i shënjuar dhe trajtuar kafshët endacake.

 

Shkëndija më e mirë se KF Shkupi

0

Derbi shqiptar i takoi ekipi nga Tetova i cili tregoi maturi edhe lojë më të mirë fizike, arkitekt i fitores së Shkendisë ishin Ferhid Hasani edhe Besart Ibrahimi. Shkendija eksperiencën më të madhe në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni e materializoi me fitore 2:0 kundër nikoqirit FC Shkupi.

Ekipi tetovar vazhdon me formën solide.

Shkëndija shënoi fitoren e radhës kundër FK Shkupit në stadiumin e Çairit.

As tribunat përplot me tifoz në stadiumin e Çairit, nuk ndihmuan që Shkupi të mos pësoj humbje.

Me këtë fitore të radhës, Shkendija promovohet si kandidat bashkë me Vardarin për titullin në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni.
Shkëndija me probleme të shumta arriti që në fund të pjesës së dytë të hap rezultatin kundër Shkupit fal golit të Hasanit në minutën e 63-të.

Goli i dytë arriti me shumë lehtësi, pasi që skuadra nga Shkupi disi u lodh.

Golashënuesi i dytë për Shkëndinë ishte Besart Ibrahimi.

Tifozët mysafir u shprehën të lumtur me fitoren e Shkendisë, meqw ekipi i tyre i zemrws, mbetet në garë për titullin kampion në futbollin e Maqedonisë.


“Shkendija e meritoi fitoren, është kampion absolut këtë sezonë”

Me këtë fitore Shkëndija grumbullon 24 pikë në tabelën e ligës së parë të futbollit në Maqedoni, ndërsa Shkupi mbetet në vendin e pestë me 11 pikë.

 

Kolibare: Fshati luksoz, por i braktisur i Kërçovës

0

Banorët e një fshati piktoresk në Kërçovë frikësohen se nëse rrethanat e jetesës nuk ndryshojnë, do të shuhet fshati i tyre. Shifrat që japin banorët për migrimin e bashkëfshatarëve të tyre janë të frikshme, meqë po del se 8 nga 10 banorë kanë ikur përtej oqeanit.

Janë të reja dhe goxha luksoze shtëpitë e fshatit Kolibar kur i sheh nga larg. Pamja nuk ndryshon as kur i afrohesh këtij vendbanimi piktoresk të Kërçovës, sepse vëren se me sa mund është punuar për të rregulluar jetesën në këtë fshat. Por, kjo po del se nuk u ka mjaftuar banorëve të këtushëm, të cilët braktisën gjithçka që ndërtuan dhe ikën jashtë vendit, në kërkim të një jete dhe perspektive më të mirë.

Fshati ka një histori në vete. Emri i tij rrjedh nga fjala e vjetër popullore “Koliba” që domethënë shtëpizë e vogël. Numëron afro 250 shtëpi, kurse gati gjysma e tyre janë pa njeri brenda, pasi familjet vendosën të largohen përtej oqeanit.

Mirëpo, në kontrast me këtë, në Kolibar as shtëpitë e reja nuk po arrijnë ta mbajnë rininë në fshat. “Njerëz s’ka, të gjithë kanë ikur në mërgim, shtëpitë janë gjithë zbrazur siç po shihni. Mjerimi ka kapluar tërë fshatin dhe Kërçovën”, thotë një prej banorëve.

Të dhënat që jap kryetari i fshatit flasin për një ikje masive të banorëve, e cila e shqetëson atë, sepse druan që trendi i migrimit nuk ka shenja se po ndalet. “Në përgjithësi, si Kërçova, edhe ky fshat ka problemet e veta. Disa janë rregulluar, por ka ende që duhen të rregullohen. Banimi i fshatit është shumë i dobët, migrimi është jashtëzakonisht i theksuar. Të thuhet në shifra, do të ishte shumë banale, sepse janë me të vërtetë katastrofale. Kjo shihet nga numri i nxënësve, i cili ka rënë në mënyrë drastike. Është e rrezikuar klasa e parë, një ditë a do të ketë një nxënës apo jo, edhe pse fshati ka rreth 250-300 shtëpi. 70-80 shtëpi janë të pabanuara, migrimi dihet që është një plagë e të gjithëve, ai shkon në rritje dhe jo në zvogëlim. Mandej, kushtet për punësim janë shumë të rënda, punësimet janë të rralla për të rinjtë. Punësimet janë më tepër në administratë”, thotë ai.

Ata pak banorë që kanë vendosur të mbeten në Kolibar, ankohen se kanë telashe për t’u furnizuar rregullisht me ujë, edhe pse fshati është i lidhur me ujësjellës. Jam nga fshati Kolibar, Komuna e Kërçovës. Pikësëpari, kemi problem me ujin e pijshëm, ky problem është i moçëm, me vite të tëra, edhe nuk kemi ujë, mungesa e ujit është çdo ditë. Shkollimi është i mirë, por nxënës nuk ka. Papunësia është e madhe, s’ka punësim. Ka me fakultete të mbaruar, rreth 15 studentë me fakultet të mbaruar”, thotë një banor tjetër.

Të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë, po kanë vështirësi të gjejnë punë në fushën që kanë studiuar, dhe kjo ka ndikuar që të njëjtit të marrin rrugën e gurbetit. Njëri prej tyre, shpjegon se banorët e mbetur në fshat punojnë kryesisht në bujqësi për të siguruar të ardhura, e që nuk është se u shkon për shtati profesionit për të cilin janë formuar. Rinia po shkon, shkollat kanë mbetur zbrazur. Edhe ne që jemi këtu, dikush punon me punë private, dikush merret me aktivitete tjera private. Mendoj që jashtë do të ishte më mirë për të përparuar”, mendon një i ri nga ky fshat.

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari thotë është në dijeni për problemin e Kolibarit, i cili sipas tij nuk dallon në vete, sepse, siç thotë ai, është i të gjithëve. Mirëpo, thotë se ka një shpresë për banorët e kësaj ane, sepse i janë dhënë premtime të fuqishme nga një investitor.

“Punojmë në çdo aspekt që të krijojmë kushte për investime dhe fatmirësisht të kemi dy zona ekonomike lokale: njëra që menaxhohet nga ne si Komunë dhe tani kemi krijuar rrethana të reja për t’u ofruar investitorëve parcela ndërtimore për fabrika të vogla për të nxitur edhe sipërmarrësit, sipërmarrjet dhe njëkohësisht në zonën ekonomike që menaxhohet nga Qeveria, nga Ministria Ekonomisë dhe institucioneve tjera, kemi tanimë rezultate konkrete. Kemi një investitor amerikan, një kompani amerikane që premton deri një mijë vende pune dhe kjo është një mundësi e mirë të ndikuar në zbutjen e papunësisë”, informon Dehari.

Fshati Kolibar është i njohur edhe shkaku i lokalitetit arkeologjik Kokale si dhe varrezave romake, të cilat gjenden vetëm disa kilometra larg këtij vendbanimi. Fshati ndërkaq gjendet 6 kilometra larg Kërçovës.

Spitali i Kërçovës në gjendje të rëndë

0

Ky është objekti i Qendrës Medicinale e Qytetit të Kërçovës. Këto pamje flasin vetë për gjendjen e rëndë në të cilën gjendet ky spital.

Përveç problemeve me hapësirën, Spitali i Kërçovës ka problem edhe me kuadrin. Shumë mjekë të këtij qyteti, për arsye të ndryshme, kanë kaluar në sektorin privat. Edhe drejtori i spitalit, Lupçe Risteski pranon se kushtet në spital nuk janë të mira. “Kushtet në të cilat punojmë janë shumë të rënda, atë do ta shihni edhe vetë, është e rëndë edhe për ne, por edhe për pacientët. Deri sa të ndërtohet spitali i ri, sigurisht që qytetarët e Kërçovës nuk do të mund t’i fitojnë të gjitha tretmanët. Por atë qe ne e punojmë është maksimumi që ne mund ta ofrojmë. Në sektorin privat kemi 3 internistë, të cilët kanë shkuar për shkak të reformave të ndarjes në medicinë primare dhe sekondare. 3 gjinekologë janë larguar në sektorin privat, nuk mund të ju them një numër të saktë, por një numër i madh janë larguar. Ne nuk kemi personel që të mbulojmë 24 orë kujdestari, organizohemi me thirrje nga shtëpitë, organizohemi me mjekë nga vendbanimet tjera, këtu vijnë kolegë në kujdestari nga Prilepi, Ohri, Manastiri, që nuk është në rregull as për pacientët , dhe as për mjekët që vijnë këtu”, thekson Risteski.

Drejtori i spitalit thotë se shpresat e tij janë në 16 mjekët e ri, që gjenden në specializim në klinikat në Shkup. Me kthimin e tyre ai pret që të përmirësohet kualiteti i shërbimit.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë dijeni për gjendjen, në të cilën ndodhet Spitali i Kërçovës. Ata thonë se po punohet që sa më shpejtë të përfundohet me objektin që ndërtohet prej vitit 1985. “E përmenda edhe unë se ky objekt është i ndërtuar qysh herët, përafërsisht viteve 1985-89, dhe asnjëherë nuk është vënë në funksion. Kjo është ajo që e thashë, data përfundimtare nuk është, sepse është projekt i ndarë në dy faza – faza e parë e ndërtimit dhe projektimit të spitalit bashkë me rikonstruimin e objektit aktual është dhjetori, ndërsa jemi në përgatitje e sipër të bëhet hapja e fazës së dytë të tenderimit, që do ta kompletojë spitalin për ta vënë në funksion në 2017”, thotë sekretari shtetëror në këtë ministri, Nasuf Ipçe.

Objekti i ri do të kushtojë 3,7 milion euro pritët, kurse pritet të lëshohet për përdorim në vitin 2017, deri atëherë Kërçovarët do të ridrejtohen në spitalet e Gostivarit, Manastirit dhe spitalet e tjera përreth.

Furkan Saliu