Prej sot, kush dëshiron të shëtisë në qendër e Shkupit pa u lodhur, do të mund ta bëjë këtë me makina elektrike.
Autoritetet lokale kanë sjellur edhe kontingjentin e dytë të këtyre mjeteve transportuese që nuk shkaktojnë ndotje. Tani, numri i këtyre mjeteve është 12 makina elektrike, si dhe 17 elektro-trotineta.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski tha për mediet të dielën se këto mjete alternative transporti kanë për qëllim që t’ua lehtësojnë njerëzve shëtitjen nëpër qendër të kryeqytetit.
“Prej sot këto makina mund të shfrytëzohen për vizitorët e qytetit të Shkupit, nga qytetarët tanë, nga turistët. Kjo është një mundësi dhe përparësi për qytetin e Shkupit që të jetë në nivel të njëjtë me vendet evropiane”, theksoi Trajanovski.
Këshilli komunal i Shkupit ka ndarë 6 milionë denarë për makinat elektrike dhe 1.5 milionë denarë për elektro-trotinetët. Për çmimin që është paguar, nuk e thanë asnjë fjalë.
“Për ata që dëshirojnë të marrin makina elektrike dhe t’i shohin vendet më atraktive në rajonin e qendrës së Shkupit, oferta është zmadhuar dhe është pasuruar edhe me pesë elektro-trotinetë, të cilët qysh sot do të vihen në funksion; dhe të gjithë të interesuarit për t’i marrë ato, do të mund ta bëjnë këtë gjë menjëherë”, informoi Borçe Jakimovski, drejtori i NP ”Parkingu i qytetit”.
Makinat do të jenë të parkuara në Sheshin Maqedonia, dhe do të menaxhohen nga Ndërmarrja Publike “Parkingu i Shkupit”.
Çmimi për to mbetet i njëjtë: bileta për shfrytëzimin e automjeteve elektrike është 50 denarë, ndërsa për elektro-trotinetët 100 denarë për një orë.
Elektro-makinat kanë 4 ulëse, kurse me një mbushje të baterisë mund të qarkullojnë 50 deri në 70 km.
Zimer Jashari
