Në “Ramstore Mall” u shënua Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve. U mbajtën disa aktivitete, ndër të cilat ishte edhe përzgjedhja e kafshës më të bukur. Organizatori tha se shpreson që kjo të përsëritet çdo vit dhe të bëhet traditë në të mirë të kafshëve. Disa të pranishëm u ankuan për kujdesin ndaj kafshëve në vendin tonë dhe thanë se kujdesi për kafshët endacake duhet shtuar.
Njëri nga organizatorët, Jordan Kolevski, tha se qëllimi i revysë është që të rritet vetëdija e njerëzve për mbajtjen dhe kujdesin ndaj kafshëve. “E shënojmë Ditën botërore të kafshëve në Ramstor Mall, me një konkurs interesant që mbahet për herë të parë në një ambient të mbyllur tregtar. Do të ketë defile të kafshëve të përkëdhelura dhe ato më sharmantët që do të përzgjidhen nga juria, do të fitojnë çmime të vlefshme. Qëllimi ynë është ta rritim vetëdijen për edukimin dhe mbrojtjen e kafshëve, nëpërmjet stendave promovuese dhe organizimit të një eventi të këtillë”, informoi Kolevski.
Një nga pjesëmarrëset e konkursit, Aleksandra Trajkovska, ankohet se po bëhet pak për kafshët, si ato shtëpiake, po ashtu edhe ato endacake. Ajo madje kërkoi edhe rregullim ligjor, për të ashpërsuar masat për pronarët që lënë vetëm kafshët në rrugë.
“Qyteti duhet të ketë më shumë vëmendje edhe për kafshët e përkëdhelura shtëpiake, por edhe për ato që janë lënë rrugëve. Mendoj se duhet të hapen qendra më të shumta dhe më të mëdha për mbrojtjen dhe strehimin e kafshëve dhe jo vetëm për qentë dhe macet, por gjithashtu edhe për kafshët e tjera. Duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje sigurimit të më shumë mjeteve për këtë gjë, me qëllim që këto kafshë të mos ngelin rrugëve. Gjithashtu mendoj se dënimet kundër pronarëve që i braktisin kafshët e tyre, duhet të jenë më rigoroze”, vlerëson Trajkovska.
Një pjesëmarrës tjetër, ka qëndrim të kundërt. Sipas tij, Qyteti i Shkupit, në krahasim me kryeqytetet tjera të rajonit, është shumë përpara në lëminë e kujdesit ndaj kafshëve. Lazar Banov thotë se është i kënaqur, pasi që ka shumë shëtitore dhe vende për të luajtur me kafshët. “Unë jam i kënaqur për mënyrën se si Qyteti i Shkupit kujdeset për kafshët tona. Gjithnjë e më shpesh krijohen hapësira të veçanta për qentë. Të tilla ka në Park, në Karposh, në Aerodrom dhe mendoj se kështu gjërat shkojnë duke u përmirësuar”, thekson Banov.
Mirëpo, është fakt se në qendër të qytetit të Shkupit çdo ditë shihen qentë endacak, që nganjëherë dinë të jenë agresiv. Autoritetet komunale tentojnë të vënë në kontroll edhe këtë segment, duke i shënjuar dhe trajtuar kafshët endacake.
