Banorët e një fshati piktoresk në Kërçovë frikësohen se nëse rrethanat e jetesës nuk ndryshojnë, do të shuhet fshati i tyre. Shifrat që japin banorët për migrimin e bashkëfshatarëve të tyre janë të frikshme, meqë po del se 8 nga 10 banorë kanë ikur përtej oqeanit.
Janë të reja dhe goxha luksoze shtëpitë e fshatit Kolibar kur i sheh nga larg. Pamja nuk ndryshon as kur i afrohesh këtij vendbanimi piktoresk të Kërçovës, sepse vëren se me sa mund është punuar për të rregulluar jetesën në këtë fshat. Por, kjo po del se nuk u ka mjaftuar banorëve të këtushëm, të cilët braktisën gjithçka që ndërtuan dhe ikën jashtë vendit, në kërkim të një jete dhe perspektive më të mirë.
Fshati ka një histori në vete. Emri i tij rrjedh nga fjala e vjetër popullore “Koliba” që domethënë shtëpizë e vogël. Numëron afro 250 shtëpi, kurse gati gjysma e tyre janë pa njeri brenda, pasi familjet vendosën të largohen përtej oqeanit.
Mirëpo, në kontrast me këtë, në Kolibar as shtëpitë e reja nuk po arrijnë ta mbajnë rininë në fshat. “Njerëz s’ka, të gjithë kanë ikur në mërgim, shtëpitë janë gjithë zbrazur siç po shihni. Mjerimi ka kapluar tërë fshatin dhe Kërçovën”, thotë një prej banorëve.
Të dhënat që jap kryetari i fshatit flasin për një ikje masive të banorëve, e cila e shqetëson atë, sepse druan që trendi i migrimit nuk ka shenja se po ndalet. “Në përgjithësi, si Kërçova, edhe ky fshat ka problemet e veta. Disa janë rregulluar, por ka ende që duhen të rregullohen. Banimi i fshatit është shumë i dobët, migrimi është jashtëzakonisht i theksuar. Të thuhet në shifra, do të ishte shumë banale, sepse janë me të vërtetë katastrofale. Kjo shihet nga numri i nxënësve, i cili ka rënë në mënyrë drastike. Është e rrezikuar klasa e parë, një ditë a do të ketë një nxënës apo jo, edhe pse fshati ka rreth 250-300 shtëpi. 70-80 shtëpi janë të pabanuara, migrimi dihet që është një plagë e të gjithëve, ai shkon në rritje dhe jo në zvogëlim. Mandej, kushtet për punësim janë shumë të rënda, punësimet janë të rralla për të rinjtë. Punësimet janë më tepër në administratë”, thotë ai.
Ata pak banorë që kanë vendosur të mbeten në Kolibar, ankohen se kanë telashe për t’u furnizuar rregullisht me ujë, edhe pse fshati është i lidhur me ujësjellës. “Jam nga fshati Kolibar, Komuna e Kërçovës. Pikësëpari, kemi problem me ujin e pijshëm, ky problem është i moçëm, me vite të tëra, edhe nuk kemi ujë, mungesa e ujit është çdo ditë. Shkollimi është i mirë, por nxënës nuk ka. Papunësia është e madhe, s’ka punësim. Ka me fakultete të mbaruar, rreth 15 studentë me fakultet të mbaruar”, thotë një banor tjetër.
Të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë, po kanë vështirësi të gjejnë punë në fushën që kanë studiuar, dhe kjo ka ndikuar që të njëjtit të marrin rrugën e gurbetit. Njëri prej tyre, shpjegon se banorët e mbetur në fshat punojnë kryesisht në bujqësi për të siguruar të ardhura, e që nuk është se u shkon për shtati profesionit për të cilin janë formuar. “Rinia po shkon, shkollat kanë mbetur zbrazur. Edhe ne që jemi këtu, dikush punon me punë private, dikush merret me aktivitete tjera private. Mendoj që jashtë do të ishte më mirë për të përparuar”, mendon një i ri nga ky fshat.
Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari thotë është në dijeni për problemin e Kolibarit, i cili sipas tij nuk dallon në vete, sepse, siç thotë ai, është i të gjithëve. Mirëpo, thotë se ka një shpresë për banorët e kësaj ane, sepse i janë dhënë premtime të fuqishme nga një investitor.
“Punojmë në çdo aspekt që të krijojmë kushte për investime dhe fatmirësisht të kemi dy zona ekonomike lokale: njëra që menaxhohet nga ne si Komunë dhe tani kemi krijuar rrethana të reja për t’u ofruar investitorëve parcela ndërtimore për fabrika të vogla për të nxitur edhe sipërmarrësit, sipërmarrjet dhe njëkohësisht në zonën ekonomike që menaxhohet nga Qeveria, nga Ministria Ekonomisë dhe institucioneve tjera, kemi tanimë rezultate konkrete. Kemi një investitor amerikan, një kompani amerikane që premton deri një mijë vende pune dhe kjo është një mundësi e mirë të ndikuar në zbutjen e papunësisë”, informon Dehari.
Fshati Kolibar është i njohur edhe shkaku i lokalitetit arkeologjik Kokale si dhe varrezave romake, të cilat gjenden vetëm disa kilometra larg këtij vendbanimi. Fshati ndërkaq gjendet 6 kilometra larg Kërçovës.
