Array

Spitali i Kërçovës në gjendje të rëndë

TË FUNDIT

Ky është objekti i Qendrës Medicinale e Qytetit të Kërçovës. Këto pamje flasin vetë për gjendjen e rëndë në të cilën gjendet ky spital.

Përveç problemeve me hapësirën, Spitali i Kërçovës ka problem edhe me kuadrin. Shumë mjekë të këtij qyteti, për arsye të ndryshme, kanë kaluar në sektorin privat. Edhe drejtori i spitalit, Lupçe Risteski pranon se kushtet në spital nuk janë të mira. “Kushtet në të cilat punojmë janë shumë të rënda, atë do ta shihni edhe vetë, është e rëndë edhe për ne, por edhe për pacientët. Deri sa të ndërtohet spitali i ri, sigurisht që qytetarët e Kërçovës nuk do të mund t’i fitojnë të gjitha tretmanët. Por atë qe ne e punojmë është maksimumi që ne mund ta ofrojmë. Në sektorin privat kemi 3 internistë, të cilët kanë shkuar për shkak të reformave të ndarjes në medicinë primare dhe sekondare. 3 gjinekologë janë larguar në sektorin privat, nuk mund të ju them një numër të saktë, por një numër i madh janë larguar. Ne nuk kemi personel që të mbulojmë 24 orë kujdestari, organizohemi me thirrje nga shtëpitë, organizohemi me mjekë nga vendbanimet tjera, këtu vijnë kolegë në kujdestari nga Prilepi, Ohri, Manastiri, që nuk është në rregull as për pacientët , dhe as për mjekët që vijnë këtu”, thekson Risteski.

Drejtori i spitalit thotë se shpresat e tij janë në 16 mjekët e ri, që gjenden në specializim në klinikat në Shkup. Me kthimin e tyre ai pret që të përmirësohet kualiteti i shërbimit.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë dijeni për gjendjen, në të cilën ndodhet Spitali i Kërçovës. Ata thonë se po punohet që sa më shpejtë të përfundohet me objektin që ndërtohet prej vitit 1985. “E përmenda edhe unë se ky objekt është i ndërtuar qysh herët, përafërsisht viteve 1985-89, dhe asnjëherë nuk është vënë në funksion. Kjo është ajo që e thashë, data përfundimtare nuk është, sepse është projekt i ndarë në dy faza – faza e parë e ndërtimit dhe projektimit të spitalit bashkë me rikonstruimin e objektit aktual është dhjetori, ndërsa jemi në përgatitje e sipër të bëhet hapja e fazës së dytë të tenderimit, që do ta kompletojë spitalin për ta vënë në funksion në 2017”, thotë sekretari shtetëror në këtë ministri, Nasuf Ipçe.

Objekti i ri do të kushtojë 3,7 milion euro pritët, kurse pritet të lëshohet për përdorim në vitin 2017, deri atëherë Kërçovarët do të ridrejtohen në spitalet e Gostivarit, Manastirit dhe spitalet e tjera përreth.

Furkan Saliu

TË NGJAJSHME