Në Shkup u shënua Dita e Luftës Kundër Kancerit në Gji, me moton “Përpara rozë 2015, hapa kundër kancerit të gjirit”. Shoqata joqeveritare “Luftë- për çdo ditë të re”, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, organizuan kampanjën e shtatë me radhë. Shumë qytetarë ishin pjesëmarrës në shëtitjen me ngjyrë rozë, përfshirë edhe vullnetarët e organizatës.
Shoqatat që mbrojnë këtë kauzë kërkuan përkrahje nga qytetarët. Për këtë gjë edhe kishin nxjerrë në shitje fanella dhe bylyzykë. Me paratë e grumbulluara duan të bëjnë një gjë fisnike, të blenë paruka për ato paciente, të cilave u bien flokët nga kemoterapia. “Tek ne në shoqatë, nuk vijnë vetëm njerëz me kancer në gji, por edhe me kancerë të ndryshëm, kështu që nevoja për paruke është e madhe, sepse e dimë se kanceri është si epidemi , kështu që paratë shkojnë për blerjen e parukave”, informoi Atina Sazdova, vullnetare e Shoqatës “Luftë- për çdo ditë të re”.
Edhe ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ishte pjesë e këtij aktiviteti. Ai tha se duhet përkrahur nismat të tilla, për t’u dhënë kurajo atyre që preken nga sëmundjet e tilla dhe familjeve të tyre.
“Shumë njerëz anë e mbanë botës nuk kanë nënë, motër, gjyshe, shoqe ose vajzë sepse ka vuajtur nga kanceri i gjirit. Pra është diçka që na bashkon neve të gjithëve. Por sot, ne nuk jemi mbledhur për të vuajtur, por për të marshuar përpara në përkrahje të trajtimit dhe diagnostikimit të hershëm, sepse në fund kjo është ajo që shpëton jetën”, theksoi ambasadori Bejli.
Pjesë e turmës ishte edhe zonja e parë e shtetit, Maja Ivanova. Edhe këtë herë, tha se përkrahja e saj për këtë kauzë nuk do të mungojë, që të mundësohet diagnostifikimi i hershëm. “Kur ecim së bashku, atëherë e japim atë mbështetjen tonë të pakushtueshme, për ato të cilat janë më në nevojë, të sëmura nga kanceri i gjirit”, tha Ivanova.
Kryetarja e Shoqatës “Lufta për çdo ditë të re” Biba Dodeva u shpreh e kënaqur me rezultatin që kanë arritur ajo dhe organizatat simotra për të çuar përpara kauzën e tyre.
“Të gjithë shoqatat në Maqedoni, të cilat kanë luftuar për këtë, arritëm që ministria të dëgjojë dhe të gjejë mundësi për implementimin e skriningut dhe konsiderojmë se mu në këtë mënyrë do të inkurajohen më shumë gra që me sukses të shërohen nga kjo sëmundje”, vlerëson Dodeva. Sipas saj, vetëdijesimi te femrat është shtuar dhe shumë prej tyre duan t’i bëjnë kontrollet preventive, që mund të ndikojë në uljen e numrit të vdekjeve nga kjo sëmundje.
Miradije Hasani
