Ndihmës-ministri i punëve të brendshme, Ivo Kotevski gënjen tinëzisht kur thotë se hetimi për atentatin ndaj kryetarit Kiro Gligorov po vazhdon, akuzoi sot kryetari i Lëvizjes Popullore për Maqedoninë, Janko Baçev. Ai në konferencën për shtyp tregoi një dokument të datës 6 shtator 1999, për të cilin thotë se është autentik. Në të, personat përgjegjës i njoftojnë njësitë e policisë sekrete se aksioni operativ “Automobil” më nuk ekziston si tërësi organizative e veçantë.
“Kur ka një aksion operativ, nënkuptohet veprim i organizuar dhe i sinkronizuar me përfshirje të një numri të madh agjentësh të policisë sekrete dhe një zbatim më të gjerë të mjeteve dhe metodave operative-teknike. Ndërsa në rastin e këtij dokumenti skandaloz, shohim se në Ministrinë e Punëve të Brendshme është hequr ky aksion operativ dhe se nuk është punuar në mënyrë të organizuar dhe sistematike. Pra, gjithçka i është lënë rastësisë.”, deklaroi Baçev.
Baçev kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme që t’i përgjigjet opinionit se për ç‘arsye policia edhe më tutje vazhdon të gënjejë se kinse po punohet në zbardhjen e atentatit ndaj Gligovorit.
Kotevski ndërkaq, në një bisedë telefonike me TV 21-shin, thotë se nuk mund të komentojë për një dokument që daton para 16 viteve, në një kohë kur ai nuk ka qenë i punësuar në polici. Për pohimet e Baçevit se MPB gënjen se ende po hetohet rasti i atentatit, ai thotë se deri më tani MPB edhe po të dojë, nuk mund të hetojë çdo lloj rasti, sepse kjo është punë e Prokurorisë.
„Është shumë e vështirë të kompensohen të gjitha lëshimet që qëllimisht apo jo janë bërë në hetimin e atëhershëm. Për fat të keq, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka momente të reja rreth atentatit. Sa më shumë që kalon koha, aq më të vogla janë shpresat për zbardhje dhe për njohje të plotë të asaj që ka ndodhur para 20 viteve”, thotë Kotevski.
Informatat më të reja të lidhura me atentatin ndaj kryetarit të atëhershëm Gligroov janë të muajit shkurt të këtij viti, kur Izet Haxhija, ish-truprojë i kryetarit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha, në një intervistë për gazetën “Dita” deklaroi se ka qenë pikërisht Berisha ai që i ka pritur në Shqipëri grupet terroriste, të cilat e kanë vendosur bombën kundër Gligorovit. Baçev konsideron se, përveç këtyre, policia maqedonase duhet t’i ketë parasysh edhe informatat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit.
„Është interesante se deri më sot, Maqedonia akoma nuk i ka kërkuar stenogramet e bisedës mes Sllobodan Millosheviqit dhe Kiro Gligorovit të zhvilluar më 2 tetor, një ditë para atentatit. Është me interes të dihet se çka është biseduar në katër sy. Kjo është një bazë e mirë që të hetohet atentati. Çka është edhe më interesante, ai takim është mbajtur jashtë gjithë kornizave protokollare, sepse nuk është zhvilluar në pallatin presidencial, siç kërkojnë rregullat, por është zhvilluar në një bunker ushtarak në periferi të Beogradit”, potencon Baçev.
Dje u mbushën 20 vjet nga atentati ndaj kryetarit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov. Asnjëri edhe sot nuk mund të thotë se kush u përpoq t’i bënte atentat atij dhe cilat mund të jenë motivet e mundshme për këtë. Në këtë sulm humbën jetën shoferi i tij Aleksandër Spirovski dhe një kalimtar i rastit, Hristo Hristomanov. I lënduar mbeti truproja e kryetarit – Ilço Teovski, si dhe kalimtarët Klime Korobar dhe Jovan Atanasovski. Kiro Gligorovi ndërroi jetë më 1 janar të vitit 2012.
