48 orë pas ndodhi rasti me helmimin e nxënësve në shkollën e mesme “Arseni Jovkov”, policia ka zbuluar autorët dhe spërkatësin e përdorur. Ata mësohet se janë nxënës të shkollës, kurse kanë përdorur të ashtuquajturin “sprej piperi” për të spërkatur nxënësit.
“Në këtë moment punohet në dokumentimin e plotë të rastit. Në pajtueshmëri me provat e siguruara është vërtetuar përgjegjësia e 3 personave, të moshës prej 16 deri më 20 vjet. 2 prej tyre janë nxënës të shkollës së mesme “Arseni Jovkov”, ndërsa i dyshuari i tretë ka qenë deri vitin e kaluar nxënës i po të njëjtës shkollë. Sipas të dhënave të deritanishme, 3 personat akuzohen për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Sipas të dhënave që kemi, personat kanë ardhur deri tek spërkatësi i ashtuquajtur “Peper Sprej” me të cilin fillimisht kanë filluar të spërkatën në mes vete e më pas edhe tjerët”, informoi zëdhënësi i MPB, Kotevski.
Ministri i Arsimit shprehet i kënaqur nga puna e policisë. Ai gjithashtu apelon deri tek drejtorët dhe arsimtarët që të mendojnë më shumë për sigurinë e nxënësve. “Jam i lumtur që MPB dhe organet hetuese shpejtë arritën deri tek fajtorët. Kjo ngjarje duhet të na shtyjë që të përmirësojmë sigurinë në shkollat. Gjithashtu, kjo ngjarje duhet t’i shtyjë edhe profesorët që të mendojnë më shumë për sigurinë e nxënësve brenda në shkolla. Apeloj, të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të gjithë Maqedonisë, që të punojnë më shumë edhe me prindërit edhe me arsimtarët edhe me nxënësit, por edhe me personat që i kanë të angazhuar për të siguruar shkollat. Do të përsëris edhe një herë, shkollat nuk janë institucione në të cilat duhet të kontrollohet gjithçka. Ato u takojnë edhe arsimtarëve dhe drejtorëve, por edhe nxënësve dhe prindërve. Shkollat janë shtëpi të përbashkëta për të gjithë, dhe të gjithë ne duhet të përkujdesemi që fëmijët tanë aty të ndjehen të sigurte, si në shtëpi”, theksoi ministri Ademi.
Përndryshe, të enjten mbrëma, dhjetëra nxënës të Shkollës së Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov “ kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ata janë ankuar në djegie të syve dhe të fytit, si dhe probleme me frymëmarrjen.
Furkan Saliu
