Përmbytjet që goditën Tetovën në gusht lanë shumë pasoja në hapësirat publike, ankohen qytetarët, duke vënë theks edhe mbi mungesën e hapësirave rekreative, të cilat po ashtu u prekën apo vërshuan nga lumi Shkumbin. Në komunë ndërkaq thonë se do të sanojnë dëmet, dhe të përmbushin premtimet e dhëna më parë!
“Po shihe mungesën, krejt bërllok, s`merr vesh askush, nuk na marrin nëpër dorë. Shihe, bërlloku i madh, edhe incizoje atë, nxjerre“. Ankesa e këtij qytetari të Tetovës, ka të bëjë me rrugën që çon për në Banjë. Ai kishte dalë këtë pasdite për rekreacion, por ofshante përse nuk po pastrohet lumi Shkumbin, që vërshoi këtë anë në muajin gusht. Qasje të njëjtë si ai, kanë edhe banorë tjerë të zonës. “Kjo është mëkat i madh ta shohësh këtë, unë për vete mendoj se shumë keq është kjo“, vlerëson një banor tjetër i Tetovës.
Por nuk është papastërtia halli i vetëm i vizitorëve të Banjës, sepse edhe rruga e dëmtuar po paraqet problem. “U bë katastrofë krejt, siç po i shihni edhe vetë gërmadhat”, tregon një prej qytetarëve.
Mungesa e hapësirave rekreative në Tetovë, po del të jetë goxha preokupim për banorët e këtushëm. Madje edhe shoqëria civile tërheq vërejtjen se për këtë gjë janë dhënë premtime, të cilat ende nuk janë realizuar. Ambientalisti Arianit Xhaferri nga “Eko Guerila”, thotë për Televizionin 21 se problemi i hapësirave për rekreacion në Tetovë, është real. “Mungesa e hapësirave të gjelbërta por edhe qendrave për rekreacion është me të vërtet një problem shumë i madh në Tetovë. Kemi qendrën e sporteve që gjendet në hyrje të qytetit, por e cila është krejtësisht jashtë përdorimit. Me sa mbaj mend, kryetarja e komunës ka pasur në programin parazgjedhor një pjesë ku fliste për sanimin e kësaj qendre dhe për krijimin e qendrave tjera rekreative, por gjëra të tilla nuk kemi parë deri në këtë moment. As nuk është sanuar qendra sportive, dhe as nuk është krijuar diçka e re”, thekson Xhaferri.
Në komunë ndërkaq kujtojnë se nuk u mungon vullneti për të përmbushur zotimet, por mjetet financiare. Drejtori i urbanizmit në Tetovë, Nexhadi Zylbehari, shpjegon se rruga për tek banja e qytetit, do të bëhet medoemos. “Sa i përket rrugës për tek Banja, këtë vit kemi filluar zgjerimin e rrugës dhe asfaltimin, duke i shtuar edhe një trotuar, sepse rruga ka qenë jashtëzakonisht e ngushtë dhe një pjesë që është e frekuentuar shumë nga këmbësorë. Aty kryqëzoheshin lëvizjet e këmbësorëve me automjetet dhe pengonin njëri – tjetrin. Me zgjerimin e rrugës dhe shtimin e trotuarit, tash do të mundësohet së paku ai trotuar. Por shpresojmë të gjemë mjete ta përfundojmë, nuk e di sa do të kemi sukses deri lartë te Banja”, spjegon Zylbehari.
Sipas drejtorit të urbanizmit, kryetarja Teuta Arifi nuk shkel premtimet e dhëna. Por, nga “Eko Guerila” janë paksa skeptikë, vallë do të zbatohet gjithçka siç është thënë. Në komunën e Tetovës përmendin edhe çështjen e investimit në Kodrën e Diellit, për të cilën ankohen se po hasin në pengesa nga pushteti qendror.
Ilir Kamberi
