Pastrohet deponia e zezë në Gjorçe Petrov, Fushë Tophana e mbuluar nga bërlloku

TË FUNDIT

Është pastruar pothuajse e tërë deponia e mbeturinave pranë shtegut të lumit Vardar në Gjorçe Petrov. Në aksionin “Maqedonia pa mbeturina 2015”, që u zhvillua të shtunën gjithandej Shkupit, u angazhua ndërrmarrja publike Higjiena Komunale, të cilët gjatë pastrimit të deponisë edhe sharruan një numër të konsiderueshëm të degëve.

Nga organizata “Hajde” thonë se sharrimi i degëve ka qenë me qëëlim që kamionët të kenë qasje për të pastruar deponinë. “Ne lejuam që të sharrohen degët, por nuk lejuam që të prehet asnjë dru, degët kanë qenë të sharruar që të mund të hyjë mekanizimi dhe të ndihmojë. Në këtë rast nuk do të dëmtohen drutë në asnjë mënyrë”, thotë Bllazhe Josifovski.

Zëvëndësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Stevo Temellkovki tha se sot të gjithë janë në këmbë, për ta bërë më të pastër mjedisin ku jetojnë. “Për momentin po pastrohet çdo kund, janë të kyçur të gjithë,  Ministria e Shëndetësisë, Arsimit, e Vetëqeverisë lokale, organizatat joqeveritare, mbi 30 organizata të cilat janë duke pastruar në tërë Maqedoninë”, informoi Temellkovski .

Kamera e televizionit 21 xhiroi gjendjen e mjerueshme që po mbizotëron në Fushën e Tophanës. Ministri ndërkaq nuk deshi të komentojë, përse këtë vendbanim e kanë lënë pa pastruar. Gishtin preferoi ta drejtojë kah udhëheqësit e Komunës së Çairit, që ata të pyeten përse s’po ndërmarrin masa.

Zëdhënësja e komunës se Çairit, Kaltrina Zekolli tha se sot është bërë vetëm pastrimi i terreneve sportive në Fushën e Tophanës, ndërkaq, pjesët tjera të kësaj komune do të pastrohen ditëve në vijim.

Kryetari i Qytetit të Shkupit tha se ata kanë kujdes të vazhdueshëm për pastrimin e ambientit jetësor. “Qëllimi i këtij aksioni është që të japim theks në pastërtinë në mjedisin jetësor në qytetin e Shkupit. Ajo nuk duhet të jetë vetëm në aksione si kampanja por ajo për neve është kujdes permanent. Në qytetin e Shkupit tash ka më pak deponi shkaku është që Higjiena komunale dhe ndërmarrjet komunale janë aktive”, theksoi Trajanovski.

Ky aksion mbahet në 112 shtete në Evropë, ndërkaq në Maqedoni janë të kyçura 60 komuna.

Arbana Qerimi