Policia e Shkupit zbuloi dhe sanksionoi 38-vjeçaren nga Shkupi, e cila u filmua duke hedhur mbeturina në lumin Lepenc nga një automjet “Porsche”, përcjell TV21. Nga MPB-ja bëjnë të ditur se sot, më 17 shtator, në orën 11:45, M.I.B. (38) nga Shkupi është thirrur në Stacionin Policor të Karposhit, pasi më herët në rrjetet sociale ishin publikuar video ku shihet një grua duke hedhur mbeturina në lumë në rrugën “Skupi”, pranë urës mbi Lepenc.
Pas masave të ndërmarra, policia ka përcaktuar identitetin e gruas dhe me të është zhvilluar bisedë zyrtare. Pas dokumentimit të rastit, asaj i është shqiptuar gjobë sipas Ligjit për Pastërtinë Publike, për hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara për këtë qëllim. Gjithashtu, ajo është sanksionuar edhe sipas Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, për parkim të parregullt të automjetit në korsinë e qarkullimit.
