Më pak mbeturina në Gostivar, pastrohet rruga deri te deponia kryesore

TË FUNDIT

Një natyrë e bukur, e ndarë vetëm nga një rrugicë prej vendit ku ndodhen mbeturinat që nuk e kanë vendin aty. Kjo gjë do të ndryshohej sot. Pastrimi i rrugës që çon për në deponinë kryesore  “Rusino’’ filloi që me mëngjes, e për vëzhgim aty ishte edhe kryetari i Komunës së Gostivarit,  i cili në shenjë respekti  i dha fjalën së pari z. Nurhan Izairit, ministrit për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.

Izairi tha se nevojitet një vetëdijesim më i madh i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve që mbeturinat të mos hidhen kudo, vend e pa vend. Kohë më parë ishte premtuar se do të ndërtohej një fabrikë për riciklimin e mbeturinave, në deponinë kryesore të rajonit të Pollogut. Konkursi ishte hapur, por pa sukses. Se në cilën fazë janë autoritetet, për zgjidhjen e këtij problemi, u përgjigj ministri Izairi. “Thashë, ka qenë iniciativë e mëhershme për dhënie më koncesion. Për shume arsye u ndërpre dhe tani po e presim studimin, i cili do të na tregojë neve dhe udhëheqësve të  rajonit, se cila do të jetë forma do të jetë përsëri me koncesion, apo do të jetë ne ndonjë forme tjetër’’, informoi Izairi.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta  tha se ky aksion nuk do të mund të realizohej  pa mbështetjen e Ministrisë dhe të më shumë njerëzve.“Këtë rrugë mbi dhjetë herë e kemi pastruar dhe vazhdojmë ta pastrojmë, por kemi disa qytetarë dhe pronarë të papërgjegjshëm, të cilët i hedhin mbeturinat aty ku nuk e kanë vendin. Prandaj ne kemi punuar shumë që qyteti i Gostivarit të jetë sa më i pastër, prandaj bëj një  apel që pas këtij aksioni t’i hedhin mbeturinat ku e kanë vendin, deri sa të zgjidhim  problemin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave”, theksoi Bejta.

Sipas kryetarit të Komunës së Gostivarit dhe ministrit Izairi, aksioni “Për një Maqedoni më të pastër”  do të vazhdojë pandërprerë dhe shpresojnë se mbështetje me e  madhe do të vijë edhe nga qytetarët.

Evi Shkopi