Ishin bashkë në luftë e në paqe, por të shtunën u ndanë përfundimisht. Gëzim Ostreni zyrtarizoi sot largimin nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe hapi partinë e re “Uniteti”. Bashkë me komandant Ostrenin, me partinë e re u promovua edhe Zylfi Adili dhe disa anëtarë të tjerë. Qëllimi i Unitetit, sipas asaj që u tha, është hapja e një alternative të re për zhvillimet e mëtejme demokratike në vend, duke i larguar pengesat që qëndrojnë para komuniteteve në sigurimin e dinjitetit, lirive dhe të drejtave të tyre.
“Analiza e gjendjes në Maqedoni tregon se ajo ka arritur në krizë institucionale. Në një gjendje ku shtyllat e demokracisë janë deformuar, ngase disa pushtetarë dhe pjesëmarrës të pushtetit aktual janë ngritur mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe kanë kontribuar të sundojë presioni, frika dhe rreziku nga burgosja, nga rrahja e njerëzve që janë të “fajshëm” vetëm pse janë shqiptarë, ose e maqedonasve pse janë oponentë politikë, rrahja e gazetarëve, djegia dhe rrënimi i objekteve të shqiptarëve dhe të tjerëve, mito dhe korrupsioni, nepotizmi që mbretëron gjatë punësimit dhe leverdive tjera”, theksoi Ostreni.
Për dallim prej Ostrenit, Adili nuk foli para medieve për kalimin e tij. Madje nuk u sqarua nëse do të veprojë si deputet i BDI-së apo Unitetit. “Adili është qytetar i lirë, ai ka fituar me votat e qytetarëve shqiptarë, tani e tutje do të përcaktohet dhe kur do të përcaktohet do t’ju tregojë vetë ai”, shpjegoi Ostreni.
Gëzim Ostreni, në vitin 2001 gjatë luftës në Maqedoni, ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Maqedoni. Më 5 qershor të vitit 2002, ai iu bashkëngjit Bashkimit Demokratik për Integrim, ku nga shkurti i vitit 2003 u emërua sekretar i përgjithshëm i partisë. Në Zgjedhjet Presidenciale 2004 ishte kandidat i BDI për kryetar të Republikës së Maqedonisë.
Zimer Jashari
