Teuta Arifi në “10 minuta”: Ngecja e marrëveshjes vë në pyetje të arriturat e saja!

0

Në intervistën e saj për “10 minuta”, nënkryetarja e BDI Arifi deklaroi se mosarritja e marrëveshjes mes negociuesve të Përzhinos rrezikon të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

Ajo, prapëseprapë, shprehu besim se me ndihmën e faktorit ndërkombëtar,  marrëveshje do të ketë. “Mosarritja e marrëveshjes vë në pikëpyetje të gjitha të arriturat e deritanishme, dhe kjo është e qartë. Por jam e bindur, si edhe në rastet tjera, ai momenti i presionit që është i rëndësishëm dhe që ndërkombëtarët në mënyrë shumë të saktë e bëjnë realizimin e afateve të çështjeve këtu”, vlerësoi Arifi.

Nënkryetarja e BDI  komentoi edhe largimet e fundit të anëtarëve të shquar prej kësaj partie,  si dhe mundësinë për largimin të anëtarëve të tjerë. Ajo çdo largim nga partia e cilëson si humbje, por se disa procese nuk mund të ndalen. “Unë mendoj që  largimi i çdokujt nga Bashkimi Demokratik për Integrim është normalisht një humbje për ne, për arsye se ne kemi filluar këtë punë, jemi një subjekt. Por, normalisht ashtu si e thashë, nuk mundemi që ndalim procese që dikush i ka menduar”, theksoi Arifi.

E pyetur  për spekulimet se vallë është ajo kandidati kryesor për të trashëguar liderin Ali Ahmeti, Arifi tha se është e koncentruar në problemet e komunës që ajo drejton, dhe se momentalisht nuk ka synim të tillë. 

Intervistoi: Furkan Saliu

Biberaj, drejtor për Euroazi në Zërin e Amerikës, viziton TV 21 në Shkup

0

Drejtori i drejtorisë së Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, Elez Biberaj vizitoi sot TV21 në Shkup. Ai shprehu  falënderimet e tij për bashkëpunimin mbi 10vjeçar me TV21.

Biberaj vizitoi Shkupin, pas Sarajevës dhe Prishtinës, ku u organizuan konferenca për kualifikimin e gazetarëve dhe shkëmbimin e përvojave me gazetarë që punojnë në stacione televizive që transmetojnë programin e Zërit të Amerikës. Ai tha se mediat në dekadën e fundit  kanë një zhvillim të jashtëzakonshëm, por duhet të punojnë sa i përket raportimit objektiv të ngjarjeve.

“Mediat janë zhvilluar, si këtu në Maqedoni, po ashtu edhe në vendet tjera ballkanike kanë pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të fundit. Por, sipas të gjitha organizatave që merren me ligjin e shtypit, mbetet ende shumë për t’u arritur sa i përket raportimit objektiv të ngjarjeve. Dhe, këtu hyn në lojë edhe “Zëri i Amerikës”, sepse ne jemi shumë krenarë për ngjarjet që i mbulojmë këtu në Ballkan, por edhe në SHBA. Mesazhi që ne përpiqemi të transmetojmë është që pasuria më e madhe i një mjeti që transmeton është besueshmëria dhe besoj që ne këtë e kemi”, theksoi Biberaj gjatë kësaj vizite.

Furkan Saliu

Kocijançiq: Bisedimet Kosovë-Serbi, dialog midis dy shteteve

0

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiq, ka deklaruar se hapja e kapitullit 35 të platformës për anëtarësimin e Serbisë në BE, do të varet nga shtetet anëtare.
Në një konferencë për gazetarë në Bruksel, zëdhënësja e përfaqësues së lartë të BE-së për politika të jashtme e siguri, Federica Mogherini, ka thënë se Komisioni Evropian tashmë e ka përfunduar pjesën e vetë të kapitullit dhe presin që shtetet anëtare të vendosin se kur do të fillojnë negociatat për të.

Ajo nuk ka dashur të jep ndonjë përgjigje të saktësuar ndaj pyetjes nëse rreth këtij kapitulli do të diskutojnë Kosova e Serbia si dy shtete, apo pa e paragjykuar statusin.

“Ekziston vetëm një dialog dhe një përfaqësuese e lartë, e cila është sponzoruese e këtij dialogu”, ka thënë zëdhënësja Maja Kocijançiq, transmeton lajmi.net.

Përmbajtja e draftit të kapitullit 35 së platformës së BE-së për integrimin e Serbisë që parasheh bisedime për normalizimin e raporteve me Kosovën, ka ngritur shqetësime të mëdha tek zyrtarët serbë lidhur me faktin se ky aty shkruhet se bisedimet do të bëhen mes dy shteteve, duke pranuar shtetësinë e Kosovës.

Gjuha e urrejtjes – Komiteti Helsinkit vendos “Murin e Turpit”

0

Qytetarët në Maqedoni mendojnë se gjuha e urrejtjes në Maqedoni është prezente më gjatë kohë, dhe se mediet dhe fytyrat publike janë një prej shkaktarëve, por njëkohësisht mind të paraqesin edhe zgjidhje për këtë problem.

Sipas aktivistit qytetar,  Zamir Mehmeti, shkaktar kryesorë të gjuhës së urrejtjes në Maqedoni janë disa persona publik, e se kjo pastaj reflektohet në tribunat e stadiumeve sportive dhe rrjetet sociale.“Në Maqedoni problemi i gjuhës së urrejtjes është një problem i kamotshëm, nuk është tash, vjen prej disa personave që në mënyrë permanente e përdorin gjuhën e urrejtjes. Është prezentë edhe në stadiumet, kohën e fundit po vërehet një trend që po kalon nëpër rrjetet sociale, ato shëndrrohen në betejë ose fushëbeteje për promovim të gjuhës së urrejtjes. Si duhet të parandalohet? Duhet të parandalohet kështu – fillimisht politikanët duhet ta thonë fjalën e tyre që mos të marrin pjesë në emisione debative, ku personat ose redaktorët e emisioneve janë promovues të gjuhës së urrejtjes”, thekson Mehmeti.

Profesori Gjuner Ismail thotë politikanë të caktuar shkaktojnë gjuhën e urrejtjes dhe se largimi i tyre nga jeta politike, sipas tij, është hapi kryesor që do të hapte rrugën për zgjidhje të problemit. “Prej politikës duhet të largohen të gjithë ata që nuk janë të ndjeshëm, ose më saktësisht, ata të cilët gjuhën e urrejtjes e kanë si mirëdita dhe mirë mëngjes. Them që, në Maqedoni kjo do të ndodhë në atë moment kur ata njerëz do të largohen nga skena e politikës dhe atëherë kur shteti nëpërmjet institucioneve do të mbajë llogari edhe për gjuhën e urrejtjes, për të cilën jemi dëshmitarë çdo ditë, dhe do të fillojë sanksionimi i rreptë e saj”, vlerësoi Ismail.

Qytetarët mendojnë se institucionet e vendit i kanë veglat e nevojshme që të zgjidhin problemin, por nuk i përdorin ato.“Mua më vjen keq të them se ndoshta, po mendoj se në një masë është e pranishme, por jo edhe aq sa të vëmë alarmin. Ka metoda me të cilat mund të ndryshohet, mendoj se shkollat duhet të punojnë më shumë, familjet duhet të punojnë më shumë, mediet duhet të punojnë më shumë”…“Mos të lejojmë që populli në këto zgjedhje të bëjë siç dikush dëshiron, por duhet të bëjë ashtu siç vetë dëshiron, mendoj që kjo është zgjidhja” – shprehen ata.

Komiteti i Helsinkit sot në rrugën “Maqedonia” vendosi “Murin e Turpit” me mesazhe të cilët kishin elemente të gjuhës së urrejtjes, të publikuar prej disa mediumeve dhe personave publik.

Koordinatorja e projektit, Elena Bërmbevska deklaroi, duke u bazuar prej rezultateve të analizës së gjendjes për gjuhën e urrejtjes, numri më i madh i parashtesave është gjuhë të urrejtjes në bazë të etnitetit, pastaj në bazë racore dhe fetare. Prej aty po ashtu pohojnë se Komiteti bashkërisht me punojnë në platformë kundër gjuhës së urrejtjes. “Ekziston vetëdije e ulët tek qytetarët se çfarë është gjuha e urrejtjes. Për këtë qëllim, ne kemi ndërmarrë një numër të aktiviteteve për të rritur nivelin e vetëdijes tek qytetarët. Përfundime tjera janë se Prokuroria Publike ka pjesëmarrje të ulët në gjuhën e urrejtjes, e cila është e pranishme në shoqëri. Jo shpesh merr guximin për të ndjekur penalisht ato raste, të cilat praktikojnë gjuhën e urrejtjes. Përfundim i analizës është se kemi kornizë të dobët ligjore”, tha Bërmbevska

Drejtori i LGBTI-së Qendrës për Përkrahje, Koço Andonovski, shtoi se edhe pas dhjetë viteve gjuha urrejtjes në Maqedoni është në rritje dhe është pjesë e më shumë familjeve në vend.“Para 10 viteve, kur për herë të parë deklarova se jam homoseksual në Maqedoni, ashtu siç ishte rrethi ishin edhe reagimet. Kishte reagime negative, mirëpo gjuha e urrejtjes nuk ishte aq shumë e pranishme. Për dallim prej atëherë, sot për fat të keq, në vend që të kemi më pak, ne jemi kthyer pas para dhjetë viteve, dhe sot jo vetëm që gjuha e urrejtjes është bërë përditshmëri, ajo gjithnjë e më tepër bëhet pjesë e familjeve”, shprehet Andonovski.

Andonvoski po ashtu theksoi se shtohen shembujt ku gjuha e urrejtjes verbale transformohet në dhunë fizike, dhe sipas tij, institucionet shtetërore deri më tani nuk kanë treguar interes të veçantë për zgjidhjen e rasteve të tilla.

Blerim Ismaili

Qeveria do të ndihmojë Kumanovën për pastrim të lumit, komuna ankohet në partnerët e koalicionit

0

Një zyrtar i lartë i qeverisë zbriti sërish në Kumanovë për të parë se çfarë pësoi kjo komunë nga shirat e rrëmbyeshëm, që shkaktuan përmbytje dhe me këtë edhe dëme materiale.

Zëvendësministri për transport dhe lidhje, Nimetulla Halimi, gjatë vizitës së tij në këtë qytet, premtoi ndihmën e qeverisë  për të parandaluar katastrofa të tilla natyrore.“Për zgjidhjen e problemit të lumit të Likovës dhe deri te studioni i Bashkimit dhe problemet tjera që i tangoje komunës së Kumanovës. Jemi të gatshëm për të zgjidhur problemin, t’i zgjidhim së bashku bashkë me kryetarin e komunës”, tha Halimi.

Kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, foli pak për ndihmën që po dëshiron t’i ofrojë qeveria në Shkup. Madje preferoi t’i ndajë partnerët e koalicionit qeverisës, dhe për të treguar se kush çka po bën për këtë qytet. “BDI për dallim nga VMRO-DPMNE ka treguar konstruktivitet. Problemi është kronik dhe daton që nga viti 2002, plani i cili më nuk është në përdorim dhe nuk jep mundësi për zgjidhje të problemit të terrenit. Kemi uzurpim të ndërtimeve të paligjshme në atë rajon të cilët me ligjin për legalizimin janë në funksion”.

Komuna e Kumanovës planifikon që ditëve në vijim të nisë me pastrimin e lumit, meqë kjo shihet si një prej arsyeve përse lumi doli nga shtrati dhe vërshoi qindra hektarë tokë bujqësore dhe amvisëri.

Po ashtu së shpejti pritet të nisë edhe evidentimi i dëmeve që u shkaktuan gjatë dy ditëve të kaluara, sa qëndroi uji në oborret e njerëzve. Sipas shifrave të para, të paktën 50 familje janë të prekura direkt nga përmbytjet.

Zimer Jashari

Buxheti në Kuvend – Qeveria: Rritje e BPV dhe deficit i ulët, Opozita: Buxhet parazgjedhor!

0

Me buxhetin për vitin e ardhshëm parashikohet ulje e deficitit prej 3,6 në 3,2 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto. Shpenzimet përgjithshme, sipas propozimit të Qeverisë janë për 4,7 për qind më të larta nga ata të vitit 2015, ndërsa të hyrat e përgjithshme janë rritur për 6 për qind, tha Ministri i financave, duke e arsyetuar buxhetin para komisionit parlamentar.

Sipas Stavreskit, në fokus janë investimet kapitale, qytetarët që u përkasin kategorive shoqërore të rrezikuara, pensionistët dhe bujqit.“Bazuar në supozimet se në vitin 2016, ekonomia evropiane do të përmirësohet, mund të presim rritje më të lartë ekonomike. Duke u thirrur në përvojën e këtij viti, kur kishim rritje solide në kushte të krizës greke, për vitin e ardhshëm buxhetor, buxheti është i projektuar të jetë 4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa shkalla e inflacionit do të ngelet e njëjtë, pra 2%”, tha ministri i financave.

Sipas këtij propozimi, Qeveria për vitin e ardhshëm planifikon të harxhojë 3,18 miliardë euro, që është 6 për qind më shumë sesa këtë vit. Sipas partisë opozitare LSDM, ky buxhet është i parealizueshëm dhe jozhvillimor, sepse është i orientuar për projekte parazgjedhore joreale.

Deputeti Marijanço Nikollov tha se Qeveria, rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto e ka planifikuar në mënyrë joreale dhe se përsëri po krijon deficit të lartë, të cilën gjë, shteti do të duhet ta financojë me kredi.“Atë çokollatë që dëshironi ta mbështillni në formë të buxhetit për vitin 2016, nuk mund ta gatuajnë as qytetarët, e as ekonomia e vendit. Megjithatë, ju e keni shkopin magjik ose përbërësin që quhet “merr kredit”. Prandaj, buxheti i vitit 2016 është joreal, dhe se dorën e Qeverisë e fut thellë në xhepat e qytetarëve dhe të llogarive të kompanive, që t’u marrë atyre sa më shumë para”, deklaroi nga foltorja deputeti Nikollov i LSDM-së

Për projekt-buxhetin janë dorëzuar 418 amendamente. 178 nga PDSH, 3 nga BDI, 1 nga Roza Topuzova-Karevska, 1 nga një grup deputetësh dhe 235 nga opozita e bashkuar e udhëhequr nga LSDM-ja. Seanca në komisionin parlamentar në të cilin u diskutua për buxhetin e vitit të ardhshëm, duhet të përfundojë për më së shumti 10 ditë.

Gabriella Dimkoviq

Prokurorja speciale kërkon 1 milion euro buxhet, a është real apo jo?

0

Prokurorja Speciale, Katica Janeva  në raportin e saj financiar ka kërkuar 1 milion euro për çdo tre muaj, rreth funksionimit të institucionit të saj. Kjo shumë parash është planifikuar për stafin profesional dhe teknik që do të jetë rreth 100 veta, por edhe për harxhime të tjera për hetime brenda dhe jashtë vendit, shërbimet teknike dhe nevoja të tjera.

Buxheti i Prokurores Speciale po pret dritën jeshile nga Këshilli i Prokurorëve Publik. Kryetari i këtij këshilli, Petar Anovski deklaroi për TV 21 se për nesër është caktuar seanca ku në rend dite është edhe buxheti i propozuar nga Prokurorja Speciale. Anovski tha se është herët për të folur për këtë buxhet se a është i madh apo i vogël.

Ish-drejtori i Drejtorisë kundër larjes të parave, Vane Cvetanov theksoi se buxheti i propozuar nga prokurorja Janeva është normal dhe i mjaftueshëm për hetimet e planifikuara.”Për buxhetin e prokurorit special, bazuar në përvojën time personale dhe atë që kam parë në shumë vende të botës, unë mund të them se ai buxhet është tërësisht normal dhe  i mjaftueshëm për të përfunduar të gjitha këto gjëra të mëdha. Nëse marrim parasysh se prokuroria ka për detyrë të hap hetime për një numër të madh të çështjeve, atëherë do të veprohet jo vetëm sipas atyre kallëzimeve penale të LSDM-së, por do të veprohet edhe në bazë të materialeve tjera që janë brenda bombave”, vlerëson Cvetanov.

Ai thotë se buxhetin që e ka kërkuar Janeva është pothuajse i ngjashëm me atë buxhet që e kanë edhe Prokurorët special për Krime të luftës në Serbi dhe Zyra për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci. “Buxheti përafërsisht është i ngjashëm me atë buxhet që e kanë edhe Prokurorët special për Krime të luftës në Serbi. Mund ta shihni edhe buxhetin e Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci. Nëse marrim parasysh vëllimin e materialeve që duhet të punohen, atëherë buxheti është normal dhe çdo kritikë ndaj këtij buxheti do të kuptohet sikur obstruksion ndaj punës se prokurores speciale. Dhe ndoshta është dëshirë e disa grupeve dhe mediave që të mos hapen krimet e disa personave të dyshuar”, thotë Cvetanov.

Prokurorja Speciale ka planifikuar punësimin e një stafi të gjërë si 30 pjesëtarë të sigurimit, 28 hetues, këshilltarë, ekspertë të informatikës, dy shoferë, sekretare dhe staf tjetër teknik. Ajo ka theksuar se një pjesë e buxhetit do të harxhohet edhe për hetime speciale jashtë vendit.

Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane në Shkup sot kanë kërkuar që të miratohet plani i prokurores speciale dhe përkrahja e saj në procesin e hetimeve.

Artan Nuhiu

Pothuajse gjysma e ekonomisë në Maqedoni është joformale!

0

Papunësia e madhe dhe mosbesimi ndaj Qeverisë, i detyron njerëzit që të pranojnë punë në të zezë, informojnë analistët e Ballkanit. Sipas studimit të fundit për ekzistimin e ekonomisë joformale në Maqedoni, ajo më së shumti haset në ndërtimtari, në industrinë e shërbimeve, në turizëm dhe te  shërbimet artizanaleve.

Sipas Emil Shurkov, nga Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave nga Shkupi, ekonomia e hirtë ekziston në të gjitha vendet e botës, por në vendet e pazhvilluara si Maqedonia, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me fitimin e mbijetesës.”Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse këta punëtorë bien në grupin e të prekurve, për arsye se ata, ose për një kohë të gjatë janë të papunë, ose janë pjesë e papunësisë së të rinjve,  ose janë me të ardhura të ulëta. Domethënë, nuk mundeni në mënyrë të drejtpërdrejtë të sulmoni me masa shtypëse vetëm këtë grup të punëtorëve. Për këtë, duhet të rritet niveli i të ardhurave të tyre që të kenë dëshirë të dalin nga sektori joformal në atë formal“, tha Shurkov.

Ai paralajmëron se ekonomia joformale nënkupton edhe qarkullimin e fshehur të parave dhe fshehjen e të ardhurave të kompanive. Këtu bie edhe, siç thotë ai, bërja e truqeve të kontabilitetit për shfaqje më të vogël të të ardhurave, si dhe fshehja e TVSH-së që, sipas tij, është problemi më i madh. Rajoni i Pollogut dhe ai Jugperëndimor janë zonat më kritike, në të cilat mbizotëron ekonomia joformale.

Për Rusllan Stefanov nga Qendra për Studimin e Demokracisë nga Bullgaria, problem tjetër është se ekonomia joformale i shtyn ndërmarrjet në proteksionizëm politik. Kështu, disa nga firmat fitojnë privilegje, siç janë mospagimi i taksave, i akcizave dhe i doganave “Ajo që vërtetuam është se nuk po ndiqen plotësisht rekomandimet e Komisionit Evropian, nga aspekti i luftimit të ekonomisë së hirtë. Dhe, këtu edhe shumë gjëra duhet të punohen, sidomos nga aspekti i partive politike nga të dy blloqet. Edhe nga ai maqedonas edhe ai shqiptar, në mënyrë që të përmirësohet besimi i qytetarëve dhe publikut drejt politikave të Qeverisë dhe Parlamentit, para se gjithash me futje të iniciativave të reja politike për luftë kundër ekonomisë së fshehur“, theksoi Stefanov.

Për profesorin universitar Kolin Villijams, më e rëndësishme është të gjendet arsyeja për përqindjen e madhe të ekonomisë joformale,  e cila vlerësohet të arrijë edhe deri në 47 % nga ekonomia e përgjithshme e Maqedonisë. “Duhet të ndryshojë qëndrimi i publikut, i qytetarëve, i taksapagueseve. Duhet të bëhen përpjekje që të ritet besimi drejt Qeverisë. Dhe, para se gjithash institucionet e sistemit dhe Qeverisë të bëjnë përpjekje të mos i shohin qytetarët si kriminelë, por thjesht t’u afrohen në një mënyrë tjetër, t’u afrohen në mënyrë miqësore. Me qëndrim, me të cilin do t’i ndjekin si konsumatorë, si klientë“, vlerëson ai

Pjesëmarrësit në “Forumin për politika publike për ekonominë e fshehur të Maqedonisë“ janë të njëzëshëm –  deri sa nuk zvogëlohet papunësia dhe nuk rritet standardi, nuk mund të pritet ulje e ekonomisë së fshehtë në vend.

Iskra Opetçeska

11 makina në flakë në Kumanovë, arrestohet një i dyshuar!

0

Banorët e Kumanovës përjetuan akte vandale dhe piromane, me ç’rast 11 makina u përfshinë në flakë. Gjithçka kishte ndodhur mbrëmë gjysmë ore para mesnate, kur makinat u përfshinë në flakë në katër lokacione të ndryshme të qytetit.  Policia ka arritur që të arrestojë një person të dyshuar, por ndërkohë po vijojnë hetimet.

Zëdhënësja e Sektorit të Punëve të Brendshme në Kumanovë, Valentina Nikollovska theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të këtyre akteve vandale.“Nga masat operative që kemi ndërmarrë një person është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit dhe se me të po zhvillohet bisedë informative për të vërtetuar motivet se përse janë kryer këto akte”, theksoi ajo.

Nikollovska tha se i dyshuari është i njohur për policinë edhe për vepra të tjera penale të kryera në të kaluarën.  Sipas policisë, makinave u është vënë flakë në pjesë të ndryshme në pjesën qendrore të qytetit.

Banorët shprehin shqetësime dhe pasiguri pas këtyre ngjarjeve, që sipas tyre po trondisin Kumanovën. “Veç kur dëgjuam një krismë, unë mendova ndonjë derë e banesës, vetëm e dëgjuam, dy të krisme, kur dola, shikoj flaka e madhe. Goma kanë krisur prej ajrit, kur shikoj, makina e djalit vllahut ishte djegur”…“Prej këtij momenti jemi shumë të shqetësuar si qytetarë, se ne nuk kemi siguri në këto momente. Kumanova shumë në kohët e fundit, sikur 9 maji që ndodhi, me terrina po merremi, jemi shumë shqetësuar” – shprehen banorët.

Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski për incidentin me 11 veturat e djegura theksoi se po krijohet panik dhe pasiguri te qytetarët.“Cili është motivi nuk e dimë. Ky është rroli i ministrisë. Si njeriu i parë i qytetit jam i shqetësuar që pas ngjarjeve të 9 majit, edhe kjo ende më shumë krijon konfuzion, frikë dhe panik te qytetarët. Ky është një sulm serioz. Në tre lokacione 11 vetura, informacionet nuk janë të plota. Vet e dhëna flet se një grup serioz, i organizuar e ka bërë këtë gjë. Fuqimisht jam i brengosur për këtë fenomen. Kjo është dëshmi se nuk janë zgjidhur problemet me grupet kriminale në qytet”, deklaroi Damjanovski.

Banorët kërkojnë që sa më shpejt të zbardhet kjo ngjarje dhe se autorët të dalin para drejtësisë. Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë nuk dha detaje se kur pritet zbardhja e të vërtetës se përse dhe si u dogjën 11 makinat brenda një ore.

Zimer Jashari

PDSH:Buxheti eksploatues, paraqet karakterin e qeverisë ndaj qytetarëve të saj!

0

Buxheti i propozuar nga qeveria VMRO-DPMNE dhe BDI në vitin 2016 ashtu si edhe buxhetet paraprake, ruan në thelbin e saj diskriminimin dhe shfrytëzimin e skajshëm ekonomik që u bëhet shqipëtarëve, theksoi deputeti Gazmend Aliu i PDSH. Sipas tij, nga analiza e Departamentit për ekonomi dhe financa të Partisë Demokratike Shqiptare shihet qartë se ky diskriminim ky shfrytëzim i egër ekonomik që u bëhet shqipëtarëve përfshinë të gjithë segmentet.

“Janë shifra dhe fakte se si kjo qeveri VMRO-BDI harton buxhetin, ku në njërën anë përkujdeset për mirëqenien e maqedonasve në kurriz të skamjes dhe shfrytëzimit të egër ekonomik që u bëhet shqipëtarëve. Ky buxhet ku vidhen paratë e shqipëtarëve dhe investohet vetëm në atë maqedonase legjitimohet me miratimin e partnerit shqiptar në qeveri, Bashkimin Demokratik për Integrim”, theksoi deputeti Aliu.