Me buxhetin për vitin e ardhshëm parashikohet ulje e deficitit prej 3,6 në 3,2 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto. Shpenzimet përgjithshme, sipas propozimit të Qeverisë janë për 4,7 për qind më të larta nga ata të vitit 2015, ndërsa të hyrat e përgjithshme janë rritur për 6 për qind, tha Ministri i financave, duke e arsyetuar buxhetin para komisionit parlamentar.
Sipas Stavreskit, në fokus janë investimet kapitale, qytetarët që u përkasin kategorive shoqërore të rrezikuara, pensionistët dhe bujqit.“Bazuar në supozimet se në vitin 2016, ekonomia evropiane do të përmirësohet, mund të presim rritje më të lartë ekonomike. Duke u thirrur në përvojën e këtij viti, kur kishim rritje solide në kushte të krizës greke, për vitin e ardhshëm buxhetor, buxheti është i projektuar të jetë 4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa shkalla e inflacionit do të ngelet e njëjtë, pra 2%”, tha ministri i financave.
Sipas këtij propozimi, Qeveria për vitin e ardhshëm planifikon të harxhojë 3,18 miliardë euro, që është 6 për qind më shumë sesa këtë vit. Sipas partisë opozitare LSDM, ky buxhet është i parealizueshëm dhe jozhvillimor, sepse është i orientuar për projekte parazgjedhore joreale.
Deputeti Marijanço Nikollov tha se Qeveria, rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto e ka planifikuar në mënyrë joreale dhe se përsëri po krijon deficit të lartë, të cilën gjë, shteti do të duhet ta financojë me kredi.“Atë çokollatë që dëshironi ta mbështillni në formë të buxhetit për vitin 2016, nuk mund ta gatuajnë as qytetarët, e as ekonomia e vendit. Megjithatë, ju e keni shkopin magjik ose përbërësin që quhet “merr kredit”. Prandaj, buxheti i vitit 2016 është joreal, dhe se dorën e Qeverisë e fut thellë në xhepat e qytetarëve dhe të llogarive të kompanive, që t’u marrë atyre sa më shumë para”, deklaroi nga foltorja deputeti Nikollov i LSDM-së
Për projekt-buxhetin janë dorëzuar 418 amendamente. 178 nga PDSH, 3 nga BDI, 1 nga Roza Topuzova-Karevska, 1 nga një grup deputetësh dhe 235 nga opozita e bashkuar e udhëhequr nga LSDM-ja. Seanca në komisionin parlamentar në të cilin u diskutua për buxhetin e vitit të ardhshëm, duhet të përfundojë për më së shumti 10 ditë.
Gabriella Dimkoviq
