Papunësia e madhe dhe mosbesimi ndaj Qeverisë, i detyron njerëzit që të pranojnë punë në të zezë, informojnë analistët e Ballkanit. Sipas studimit të fundit për ekzistimin e ekonomisë joformale në Maqedoni, ajo më së shumti haset në ndërtimtari, në industrinë e shërbimeve, në turizëm dhe te shërbimet artizanaleve.
Sipas Emil Shurkov, nga Qendra për Hulumtim dhe Krijim të Politikave nga Shkupi, ekonomia e hirtë ekziston në të gjitha vendet e botës, por në vendet e pazhvilluara si Maqedonia, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me fitimin e mbijetesës.”Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse këta punëtorë bien në grupin e të prekurve, për arsye se ata, ose për një kohë të gjatë janë të papunë, ose janë pjesë e papunësisë së të rinjve, ose janë me të ardhura të ulëta. Domethënë, nuk mundeni në mënyrë të drejtpërdrejtë të sulmoni me masa shtypëse vetëm këtë grup të punëtorëve. Për këtë, duhet të rritet niveli i të ardhurave të tyre që të kenë dëshirë të dalin nga sektori joformal në atë formal“, tha Shurkov.
Ai paralajmëron se ekonomia joformale nënkupton edhe qarkullimin e fshehur të parave dhe fshehjen e të ardhurave të kompanive. Këtu bie edhe, siç thotë ai, bërja e truqeve të kontabilitetit për shfaqje më të vogël të të ardhurave, si dhe fshehja e TVSH-së që, sipas tij, është problemi më i madh. Rajoni i Pollogut dhe ai Jugperëndimor janë zonat më kritike, në të cilat mbizotëron ekonomia joformale.
Për Rusllan Stefanov nga Qendra për Studimin e Demokracisë nga Bullgaria, problem tjetër është se ekonomia joformale i shtyn ndërmarrjet në proteksionizëm politik. Kështu, disa nga firmat fitojnë privilegje, siç janë mospagimi i taksave, i akcizave dhe i doganave “Ajo që vërtetuam është se nuk po ndiqen plotësisht rekomandimet e Komisionit Evropian, nga aspekti i luftimit të ekonomisë së hirtë. Dhe, këtu edhe shumë gjëra duhet të punohen, sidomos nga aspekti i partive politike nga të dy blloqet. Edhe nga ai maqedonas edhe ai shqiptar, në mënyrë që të përmirësohet besimi i qytetarëve dhe publikut drejt politikave të Qeverisë dhe Parlamentit, para se gjithash me futje të iniciativave të reja politike për luftë kundër ekonomisë së fshehur“, theksoi Stefanov.
Për profesorin universitar Kolin Villijams, më e rëndësishme është të gjendet arsyeja për përqindjen e madhe të ekonomisë joformale, e cila vlerësohet të arrijë edhe deri në 47 % nga ekonomia e përgjithshme e Maqedonisë. “Duhet të ndryshojë qëndrimi i publikut, i qytetarëve, i taksapagueseve. Duhet të bëhen përpjekje që të ritet besimi drejt Qeverisë. Dhe, para se gjithash institucionet e sistemit dhe Qeverisë të bëjnë përpjekje të mos i shohin qytetarët si kriminelë, por thjesht t’u afrohen në një mënyrë tjetër, t’u afrohen në mënyrë miqësore. Me qëndrim, me të cilin do t’i ndjekin si konsumatorë, si klientë“, vlerëson ai
Pjesëmarrësit në “Forumin për politika publike për ekonominë e fshehur të Maqedonisë“ janë të njëzëshëm – deri sa nuk zvogëlohet papunësia dhe nuk rritet standardi, nuk mund të pritet ulje e ekonomisë së fshehtë në vend.
Iskra Opetçeska
