Një zyrtar i lartë i qeverisë zbriti sërish në Kumanovë për të parë se çfarë pësoi kjo komunë nga shirat e rrëmbyeshëm, që shkaktuan përmbytje dhe me këtë edhe dëme materiale.
Zëvendësministri për transport dhe lidhje, Nimetulla Halimi, gjatë vizitës së tij në këtë qytet, premtoi ndihmën e qeverisë për të parandaluar katastrofa të tilla natyrore.“Për zgjidhjen e problemit të lumit të Likovës dhe deri te studioni i Bashkimit dhe problemet tjera që i tangoje komunës së Kumanovës. Jemi të gatshëm për të zgjidhur problemin, t’i zgjidhim së bashku bashkë me kryetarin e komunës”, tha Halimi.
Kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, foli pak për ndihmën që po dëshiron t’i ofrojë qeveria në Shkup. Madje preferoi t’i ndajë partnerët e koalicionit qeverisës, dhe për të treguar se kush çka po bën për këtë qytet. “BDI për dallim nga VMRO-DPMNE ka treguar konstruktivitet. Problemi është kronik dhe daton që nga viti 2002, plani i cili më nuk është në përdorim dhe nuk jep mundësi për zgjidhje të problemit të terrenit. Kemi uzurpim të ndërtimeve të paligjshme në atë rajon të cilët me ligjin për legalizimin janë në funksion”.
Komuna e Kumanovës planifikon që ditëve në vijim të nisë me pastrimin e lumit, meqë kjo shihet si një prej arsyeve përse lumi doli nga shtrati dhe vërshoi qindra hektarë tokë bujqësore dhe amvisëri.
Po ashtu së shpejti pritet të nisë edhe evidentimi i dëmeve që u shkaktuan gjatë dy ditëve të kaluara, sa qëndroi uji në oborret e njerëzve. Sipas shifrave të para, të paktën 50 familje janë të prekura direkt nga përmbytjet.
Zimer Jashari
