Biberaj, drejtor për Euroazi në Zërin e Amerikës, viziton TV 21 në Shkup

TË FUNDIT

Drejtori i drejtorisë së Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, Elez Biberaj vizitoi sot TV21 në Shkup. Ai shprehu  falënderimet e tij për bashkëpunimin mbi 10vjeçar me TV21.

Biberaj vizitoi Shkupin, pas Sarajevës dhe Prishtinës, ku u organizuan konferenca për kualifikimin e gazetarëve dhe shkëmbimin e përvojave me gazetarë që punojnë në stacione televizive që transmetojnë programin e Zërit të Amerikës. Ai tha se mediat në dekadën e fundit  kanë një zhvillim të jashtëzakonshëm, por duhet të punojnë sa i përket raportimit objektiv të ngjarjeve.

“Mediat janë zhvilluar, si këtu në Maqedoni, po ashtu edhe në vendet tjera ballkanike kanë pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë dekadave të fundit. Por, sipas të gjitha organizatave që merren me ligjin e shtypit, mbetet ende shumë për t’u arritur sa i përket raportimit objektiv të ngjarjeve. Dhe, këtu hyn në lojë edhe “Zëri i Amerikës”, sepse ne jemi shumë krenarë për ngjarjet që i mbulojmë këtu në Ballkan, por edhe në SHBA. Mesazhi që ne përpiqemi të transmetojmë është që pasuria më e madhe i një mjeti që transmeton është besueshmëria dhe besoj që ne këtë e kemi”, theksoi Biberaj gjatë kësaj vizite.

Furkan Saliu