11 makina në flakë në Kumanovë, arrestohet një i dyshuar!

TË FUNDIT

Banorët e Kumanovës përjetuan akte vandale dhe piromane, me ç’rast 11 makina u përfshinë në flakë. Gjithçka kishte ndodhur mbrëmë gjysmë ore para mesnate, kur makinat u përfshinë në flakë në katër lokacione të ndryshme të qytetit.  Policia ka arritur që të arrestojë një person të dyshuar, por ndërkohë po vijojnë hetimet.

Zëdhënësja e Sektorit të Punëve të Brendshme në Kumanovë, Valentina Nikollovska theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të këtyre akteve vandale.“Nga masat operative që kemi ndërmarrë një person është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit dhe se me të po zhvillohet bisedë informative për të vërtetuar motivet se përse janë kryer këto akte”, theksoi ajo.

Nikollovska tha se i dyshuari është i njohur për policinë edhe për vepra të tjera penale të kryera në të kaluarën.  Sipas policisë, makinave u është vënë flakë në pjesë të ndryshme në pjesën qendrore të qytetit.

Banorët shprehin shqetësime dhe pasiguri pas këtyre ngjarjeve, që sipas tyre po trondisin Kumanovën. “Veç kur dëgjuam një krismë, unë mendova ndonjë derë e banesës, vetëm e dëgjuam, dy të krisme, kur dola, shikoj flaka e madhe. Goma kanë krisur prej ajrit, kur shikoj, makina e djalit vllahut ishte djegur”…“Prej këtij momenti jemi shumë të shqetësuar si qytetarë, se ne nuk kemi siguri në këto momente. Kumanova shumë në kohët e fundit, sikur 9 maji që ndodhi, me terrina po merremi, jemi shumë shqetësuar” – shprehen banorët.

Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski për incidentin me 11 veturat e djegura theksoi se po krijohet panik dhe pasiguri te qytetarët.“Cili është motivi nuk e dimë. Ky është rroli i ministrisë. Si njeriu i parë i qytetit jam i shqetësuar që pas ngjarjeve të 9 majit, edhe kjo ende më shumë krijon konfuzion, frikë dhe panik te qytetarët. Ky është një sulm serioz. Në tre lokacione 11 vetura, informacionet nuk janë të plota. Vet e dhëna flet se një grup serioz, i organizuar e ka bërë këtë gjë. Fuqimisht jam i brengosur për këtë fenomen. Kjo është dëshmi se nuk janë zgjidhur problemet me grupet kriminale në qytet”, deklaroi Damjanovski.

Banorët kërkojnë që sa më shpejt të zbardhet kjo ngjarje dhe se autorët të dalin para drejtësisë. Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë nuk dha detaje se kur pritet zbardhja e të vërtetës se përse dhe si u dogjën 11 makinat brenda një ore.

Zimer Jashari