Analistët: Marrëveshja e Përzhinos ec drejt dështimit!

0

Analistët politikë shprehen me mendime të ndryshme lidhur me të ardhmen e negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik dhe zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos.

Për profesorin universitar Ljubomir Frçkoskin, ky proces është normal sepse në këtë mënyrë ndërrohen, siç tha ai, të gjitha qeveritë diktatoriale në botë. “Ne gjendemi në situatë të fillimit, kushtimisht thënë, të thyerjes së eshtrave ose demontimit të strukturës monstruoze të diktaturës. Dhe, kjo është fazë e dhimbshme, fazë e vështirë, do të bëjnë çmos që të parandalojnë këtë proces. Ne pikërisht po kalojmë këtë fazë, dhe nuk duhet të jemi pesimistë apo të dëshpëruar. Ajo është ashtu, kjo pritet, por duhet deri në fund të rrënohet ky sistem i diktaturës, i cili ka lëshuar rrënjë”, thotë ai.

Për analistin Ismet Ramadani, është evidente nervoza në garniturën qeveritare. “Siç po afrohet fundi në një mënyrë i asaj që do të thotë implementim i marrëveshjes, partitë qeverisëse po i kap nervoza, veçanërisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Gruevski. Dhe, me siguri ato do të vazhdojnë me opstrukcione, me atë që duan të lejnë hapësirë dhe mënyrë për të dalë nga një gjendje e tillë”, vlerëson Ramadani.

Profesori universitar Jove Kekenovski deklaroi që politikanët vendas shumë shpesh kanë mashtruar faktorin ndërkombëtarë duke vërë në pikëpyetje edhe integritetin e shtetit. “Faktori ndërkombëtar shumë herë deri më tani ka qenë i mashtruar, gjegjësisht edhe pse ai në një farë forme është paraqitur si garanci, politikanët tanë vendas, të cilët për fat të keq na sollën në një situatë ku për shkak të shpëtimit të kokës së tyre ta problematizojnë sovranitetin, integritetin dhe karakterin unitar të shtetit tonë, na sjellin në një situatë ku të huajt na tregojnë se çfarë duhet bërë”, theksoi Kekenovski.

Përndryshe, elementi i cili edhe njëherë ka penguar përparimin e bisedimeve ka qenë ligji për publikimin e bombave. Partitë politike vazhdojnë edhe sot bisedimet rreth emrave të mundshëm për ministritë që duhet t’i marrë opozita.

Blerim Ismaili

Forumi i Patriotëve Mendjehapur: VMRO DPMNE-së i nevojiten reforma!

0

Forumi i Patriotëve Mendjehapur ka drejtuar një shpallje për shpëtimin e partisë së tyre, VMRO-DPMNE-së. Në të janë shtruar 19 pika, për, siç thuhet, shpëtimin e partisë.

Samoil Mallçevski, i cili është pjesë e Forumit, thekson se kjo shpallje është një lloj udhërrëfyesi, me anë të të cilit partia duhet të ec në të ardhshmen, në qoftë se me të vërtetë dëshiron të fitojë në zgjedhjet e 22 prillit. “Është e qartë se, gjithë çka dëgjuam në publik dhe më pas, e që asnjë institucion nuk e mohoi vërtetësinë e të gjitha atyre materialeve të publikuara, paraqet nevojë për reforma në VMRO-DPMNE dhe dikush më në fund të ketë përgjegjësi për keqpërdorimin e partisë për qëllime dhe interesa personale”, thotë Mallçevski.

Mallçevski thotë se ka dallim të madh ndërmjet VMRO DPMNE-së së sotme dhe të asaj të viteve ’90-ta. “Në VMRO DPMNE-në e kaluar kishte ideologji. Pra, kishte njerëz që vërtet besonin në ideologjinë e VMRO-së dhe me orientim demokristian, për dallim nga konjuktura aktuale, që i eliminon vmroistët e vërtetë. Duke e eliminuar kësisoj krahun intelektual të partisë, arritën që, nga një parti e njerëzve të dinjitetshëm, të bëjnë parti me njerëz të dëgjueshëm”, thekson ai.

Marrëveshja e Përzhinos vetëm se e thellon krizën, konsideron Mallçevski. Sipas tij, po qe se deri tani do të ishte formuar qeveriа kalimtare, ajo do të kishte zgjidhur shumë çështje dhe nuk do të kishte ardhur deri në këtë situatë.

Përkundër insistimit të televizionit, në VMRO-DPMNE nuk kanë gjetur kohë për t’iu përgjigjur vërejtjeve që i janë bërë nga bashkëpartiakët e mbledhur rreth Forumit të Patriotëve Mendjehapur.

Tribuna “Maqedonia e pas Ohrit”: Marrëveshja nuk është funksionale

0

A patëm sukses dhe ku dështuam? Sa ne e respektojmë Marrëveshjen e Ohrit? Ku jemi tani dhe ku mund të shkojmë më tutje? Këto ishin vetëm një pjesë e pyetjeve nga tribuna “Maqedonia e pas Ohrit – “Unitarizëm, regjionalizëm, federalizëm”. Kjo tribunë u organizua nga PPD-ja.

Kryetari i partisë, Nexhat Bexheti, deklaroi se ngjarjet e mbrëmshme të Përzhinos, në mënyrë plotësuese e kanë imponuar nevojën për diskutim. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit është jofunksionale. Për këtë arsye, në pyetje janë kërkesa të tjera për arritjen e barazisë së shqiptarëve, theksoi Bexheti. “Marrëveshja e Ohrit nuk është funksionale. Duhet të paraqiten kërkesa të tjera, për shembull ose federalizim ose ndonjë opsion tjetër, ose barazi ndërmjet të gjithë qytetarëve”, tha ai.

Ish – deputeti Ismet Ramadani, tha se vjen një kohë kur duhet të zbatohen sanksione për ata që nuk e kanë implementuar Marrëveshjen e Ohrit. “Në këtë rast, më fajtorë janë ata që janë pjesë e qeverisë dhe partitë kryesore: VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, të cilët me vite, assesi të krijojnë ambient për realizimin e asaj që është shkruar në Marrëveshjen e Ohrit dhe e përfshirë në Kushtetutë”, vlerësoi Ramadani.

Marrëveshja e Ohrit është një themel që nuk ndryshohet lehtë. Mbi atë ndërtohet dhe ai është mjaftueshëm i gjerë që të mund qeveria të zhvillojë praktika të mira, thekson një nga formuluesit e marrëveshjes, profesori Lubomir Fërçkoski. “Hapja e çështjeve të mëdha, reformat ose ndryshimet në Marrëveshjen e Ohrit, gjithmonë janë alibi që asgjë të mos bëhet. Më shpesh BDI-ja përdorë argumente të tipit: “ja ne e mbajnë hapur agjendën etnike dhe vazhdojmë me porosinë se nuk po implementohet ‘asgjë’ nga Marrëveshja e Ohrit”. Kjo nuk është çështje vetëm e BDI-së por edhe e partive të tjera”, tha Fërçkoski.

Stojan Andovi, tanimë gjatë kohë politikan, theksoi se në vend të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, në shtet ndodhi një proces kriminalizimi. Rekomandimi i tij është ardhja deri te bashkimi i BDI-së, PDSH-së dhe i opozitës, të drejtuar nga LSDM-ja, me qëllim të zgjidhen çështjet problematike në vend. “Rekomandimi im është që, deputetët e BDI-së, të PDSH-së, bashkë me deputetët e opozitës që e drejton LSDM-ja, të bëjnë një koalicion që këto çështje të zgjidhen. Atëherë, Gruevski nuk do ta ketë shumicën, dhe do të vihet në situatë që të përgjigjet para shtetit”, theksoi Andov.

Përfundimi i përbashkët është se Marrëveshja e Ohrit po zbatohet në mënyrë të papërgjegjshme dhe të ngadalshme. Sipas pjesëmarrësve të tribunës, nevojiten sanksione rigoroze për të gjithë ata që nuk i kanë realizuar premtimet dhe detyrat që dalin nga kjo marrëveshje.

Vesna Jaqimovska

Refugjatët – Bileta e trenit mbetet 25 euro

0

Çmimi i biletës së trenit, për emigrantët mbetet 25 euro. Hekurudhat e Maqedonisë këtë e arsyetojnë me harxhimet jo të rregullta për bartjen e emigrantëve.

Ministri për Transport dhe Lidhje,Vllado Misajllovski, thotë se këto nuk janë linja të rregullta, por janë linja për një qëllim  të caktuar, e për këtë arsye, u është dashur të huazojnë trena prej vendeve të tjera. Ai shtoi se, në qoftë se çmimi do të ishte më i ulët, ndërmarrja do të pësonte humbje.“Kemi harxhime të shumta, sepse këto linja nuk janë të rregullta, por janë jo të zakonshme. Në këto harxhime, një pjesë shkojnë për dezinfektim të brendësisë së trenave, më pas për amortizimin e vagonëve, si edhe për huazim të vagonëve shtesë prej vendeve të tjera, siç është Sllovakia”, informoi Misajllovski.

Rreth çmimit të lartë të biletës për emigrantët, reagoi edhe Avokati i Popullit, duke potencuar se në këtë mënyrë shkelen të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit dorëzoi kërkesë deri te kryeministri Nikolla Gruevski dhe deri te drejtoria e Hekurudhave të Maqedonisë, ku ai rekomandon që Qeveria të marrë pjesë në formimin e çmimit, nëpërmjet refundimit të një pjese të mjeteve të nevojshme.“Kërkuam nga drejtori i “Hekurudhave të Maqedonisë-Transport”, të na e dorëzojë vendimin e sjellë dhe të sqarojë mbi çfarë baze janë rritur çmimet për emigrantët. Në kontekst të kësaj, u thirrëm në parimin e barazisë, prandaj kërkojmë që të ndërmerren masa për trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në përdorimin e transportit publik, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë ose për të huajt”, thekson Vaska Bajramovska – Mustafa, zëvendëse e Avokatit të Popullit.

Përderisa vendet e tjera bëjnë transport falas për refugjatët, ne përfitojmë në llogari të tyre, thonë aktivistët joqeveritarë.“Jemi të vetëdijshëm se në “Hekurudhat e Maqedonisë-Transport” po inkasohet një shumë e madhe parash, edhe atë në llogari të refugjatëve. Prandaj, ne reaguam dhe edhe më tutje do të reagojmë, deri kur të ulet çmimi në një shkallë të pranueshme”, vlerëson Mersiha Smajlloviq, aktiviste e organizatës “Legis”.

Para ca kohësh, reaguan edhe vozitësit e trenave. Gjatë kohës së grevës disaditore, ata pyetën se si është e mundur që një ndërmarrje, e cila grumbullon një shumë të madhe parash, të mos mund rregullisht t’i paguajë punonjësit.“600 udhëtarë për 10 euro, janë gjithsej 6000 euro nga një tren i vetëm. Për një ditë, lëvizen nga pesë trena dhe është gjithsej 30 mijë euro. Edhe pse kjo është një matematikë e thjeshtë,  ne nuk kemi kontroll te paratë. E pyetëm edhe drejtorin, se kjo shumë, a është paraqitur në Ministri, sepse e dimë si merren paratë në terren”, tregon Dushko Çekerovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Makinistëve.

Përndryshe “Hekurudhat e Maqedonisë-Transport” trefish e kanë rritur çmimin e biletës për emigrantët.

Gabriella Dimkoviq

Besimi në Bruksel: Pritet shumë për rekomandim të ri

0

Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, u takua në Bruksel me njerëzit e parë të Drejtorisë për Zgjerim të BE-së, si edhe me eurokomisarin për arsim, Tibor Navraçiç. Tema kryesore ishte raporti i ardhshëm për përparim i Komisionit Evropian dhe pritjet e Komisionit në lidhje me vendin tonë.

Pas këtyre takimeve, Besimi konfirmoi se zbatimi i marrëveshjes politike të 2 qershorit /15 korrikut ishte tema kryesore, dhe do të jetë çështje kryesore lidhur me atë se vallë do të japë Komisioni Evropian rekomandimin e shtatë të njëpasnjëshëm për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në BE.

“Duket se pritjet për Maqedoninë në Bruksel janë të mëdha. Për këtë arsye, vendi detyrimisht dhe në mënyrë efikase duhet të punojë në zbatimin e marrëveshjes politike të 2 qershorit, së bashku me pakon e reformave që duhet të bëjë vendi ynë. Qëllimi i këtij takimi është që në mënyrë përkatëse të reflektohet në raportin e ardhshëm dhe Republika e Maqedonisë të marrë edhe një rekomandim para Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE-në, me raport që do të japë drejtime për periudhën e ardhshme”, theksoi Besimi.

Ekspertët sllovenë: Kriza e refugjatëve ndikon, rritja ekonomike në rrezik

0

Rreziqet për rritjen ekonomike janë të pranishme dhe kjo ndikon në stabilitetin ekonomik në vend. Se sa do të reflektojë kriza e refugjatëve në aspektin ekonomik, për momentin ende nuk mund të dihet.

Por ajo që është e sigurt, është se do të ketë ndikim financiar, theksoi sot profesori Mojmir Mrak nga Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit të Lubjanës, gjatë konferencës për media që u mbajt në Odën ekonomike të Maqedonisë. “Në rajon planifikohen shkallë më të larta të rritjes. Kjo nuk është vetëm në Maqedoni, rreziqet po rriten në gjithë rajonin.  Me rëndësi është të theksohet se për momentin askush nuk e di se si do të jetë ndikimi në ekonomi i krizës së refugjatëve në rajon. Kjo do të ketë ndikim mbi financat publike të çdo shteti që ballafaqohet me këtë krizë. Burim i rrezikut është gjendja në Greqi dhe gjendja në eurozonë, kjo është një situatë jostabile dhe nuk dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha profesori Mrak.

Nga ana tjetër, dekania e Fakultetit Ekonomik në Lubjanë, Metka Takaviç, tha se  Sllovenia u ballafaqua me disa humbje por edhe me përfitime pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kemi pasur disa përfitime dhe disa humbje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Qëndrimi im është se përfitimet prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian janë më të mëdha se sa humbjet që i ka pësuar Sllovenia pas hyrjes si anëtare në BE. Dhe, dua ta shfrytëzoj rastin dhe të them se e mbështes anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, theksoi profesoresha Takaviç.

Në Odën Ekonomike, profesorët nga Lubjana prezantuan mundësitë për studime në institucionin e tyre.

Arbana Qerimi

Banesa të reja sociale: Qira prej 400 deri 1000 denarë në muaj

0

Për 76 banesa në Prilep dhe 25 në Demir Hisar do të mund të aplikojnë qytetarët e shtatë kategorive të prekura sociale. Përparësi do të kenë fëmijët pa prindër dhe të strehuarit në shtëpitë e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Në shpallje, përmes formularit elektronik që do të jetë i hapur deri më 16 nëntor, mund të paraqiten edhe shfrytëzuesit e ndihmës sociale, pastaj persona të prekur nga fatkeqësitë elementare, pjesëtarë të komunitetit të rrezikuar rom, si dhe prindër të vetëm dhe persona të verbër të cilët shfrytëzojnë ndihmë sociale.“Banesat sociale do të ndahen me procedurë transparente përmes shpërndarjes elektronike, në pajtim me metodologjinë për shënim të kandidatëve për marrje të banesës sociale me qira”, deklaroi Vllado Misajlovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Çmimi i qirasë do të jetë simbolik dhe do të shkojë prej 400 deri 1000 denarë në muaj, pavarësisht madhësisë së banesës, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike për Hapësirë Afariste dhe Banesore, Cvetko Grozdanov. “Në pajtim me kriteret që i ka vendosur Ministria, ata të cilët kanë familje më të mëdha do të aplikojnë edhe për banesë me sipërfaqe më të madhe dhe për ata çmimi do të jetë 600 apo 800 denarë. Me shumë më të vogël do të jetë qiraja për një apo dy persona“, informoi Grozdanov.

Sipas projektit për ndërtim të banesave sociale, në periudhën që vijon do të ndërtohen edhe 541 banesa, prej të cilave pjesa më e madhe, mbi 300, do të jenë në Shkup. Për momentin, po punohet në ndërtimin e objekteve në Kërçovë dhe Makedonski Brod, kurse deri në fund të muajit do të fillojë ndërtimi i ndërtesave për persona me rrezik social në Gostivar.

Gabriella Dimkoviq

 

Intervenim i ri kardiologjik: Vdekshmëri më e ulët, komplikime më të vogla

0

Intervenimi i ri kardiologjik,  për të cilin pacientët deri tani kanë shkuar jashtë vendit, i ka shpëtuar jetën një burri 37 vjeçar, i cili ka pësuar në një aksident trafiku. Në kardiologjinë „Axhibadem Sistina“ i është bërë rindërtimi endovaskular i aortës. Në vend të operacionit klasik me hapje të gjoksit, është bërë prerje e vogël tek ija, ku me gyp të hollë, kateter, përmes arteries femorale, është arritur te vendi i zgjerimit i aortës torakale dhe përmes saj drejtpërdrejt është futur stent grafiti.

Sipas kardiokirurgut Salis Taxher, vdekshmëria me këtë intervenim është dukshëm më e ulët, kurse komplikimet janë edhe deri në pesë herë më të vogla, në krahasim me kirurgjinë klasike. Taxher, i cili bëri këtë intervenim, sqaroi se në vend që të shkohet jashtë vendit si deri tani, këtë intervenim tash më pacientët mund ta bëjnë edhe në Maqedoni. “Kjo ishte procedurë e mbuluar nga fondi. Me kërkesë speciale fondi e mbulon, por synimi jonë është që mos të ketë kërkesë speciale, por kjo procedurë të merr kotizimin Di-Er-Xhi, të arrihet një çmim i përshtatshëm që do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet dhe të bëhet një rutinë procedurale pa kërkesa speciale“, tha Taxher.

Ai tha se shumë pak prej pacientëve janë të vetëdijshëm që kanë probleme me aortën deri sa nuk vijnë në një situatë ku duhet të ju skanohet i tërë trupi. Përsëri, ky intervenim bëhet edhe në situatë kur pacientët janë në gjendje të rëndë kritike. “Nuk mund t’ju tregoj çmim, por materiali i një stentgrafi kushton shumë. Disa mijë euro.. rreth dhjetë… vetëm materiali“, informoi Taxher.

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, përmes një njoftimi me shkrim për TV21, sqaruan se në rast se bëhet fjalë për futjen e ndonjë metode të re apo ndonjë shërbimi të ri shëndetësor, institucioni duhet të bëjë kërkesë dhe atë ta dorëzojë me implikimet financiare dhe justifikim për zbatim të asaj metode shëndetësore deri te autoritetet shëndetësore.

Aleksandra Smilevska

 

Instituti i Trashëgimisë: Të ndërtohet shtëpia autentike e Nënë Terezës

0

Numri më i ri i revistës periodike “SCUPI” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare, i cili doli nga shtypi këtyre ditëve, i kushtohet në tërësi Nënë Terezës. Kjo revistë përmban punimet e konferencës shkencore që e organizoi Instituti më në fund të muajit gusht.

“Organizuam një tribunë shkencore me personalitete, të cilët janë marrë me figurën e Nënë Terezës. Ne si Institut kemi hulumtuar arkiva të ndryshme në Maqedoni, dhe kemi nxjerrë dokumente për rininë e Gonxhe Bojaxhiut. Në vitin 1928 ajo ja e la shtëpinë në pronësi të së ëmës Dranës dhe më pas ne kemi një dokument shumë të vlefshëm, revistën e Katolikëve të Jugut të Serbisë, ku nxirret në pah një letër e Nenë Terezës, për ndjenjat e saja për në Kalkutë”, informon Skender Asani, drejtor i ITSHKSH

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi, që në vend të përmendores së planifikuar, të ndërtohet shtëpia autentike e Nënë Terezës. “Ne kemi ngritur iniciativë që të ndërtohet shtëpia autentike aty dhe ku kishte pronësinë e saj në Shkup. Ajo shtëpi të jetë në frymën e Nënë Terezës, ku të pastrehuarit do të ushqehen aty dhe jo të harxhohen në statuja ose shtatore, të cilët janë të vdekura dhe nuk janë në frymën e Nenë Terezës”, theksoi Asani.

Në këtë botim janë përfshirë kontributet e pjesëmarrësve në konferencë, mes të cilëve janë edhe Dom Lush Gjergji, Nebi Dervishi, Sefer Tahiri e shkencëtarë dhe njohës të tjerë të nobelistes dhe humanistes shqiptare.

Zimer Jashari

 

Priten reshje me intensitet të lartë, rënie e temperaturave për 10 gradë celsius

0

Nga Instituti i Hidrometeorologjisë parashikojnë se gjatë ditëve në vijim, do të kemi reshje me intensitet të lartë, që do të shkojnë deri në 25 litra për metër katror.

Në proporcion të zhdrejtë me reshjet do të jetë temperatura, që pritet të bjerë për 5 deri në 8 gradë celsius por sipas institutit është temperaturë e arsyeshme në krahasim me reshjet.