Intervenimi i ri kardiologjik, për të cilin pacientët deri tani kanë shkuar jashtë vendit, i ka shpëtuar jetën një burri 37 vjeçar, i cili ka pësuar në një aksident trafiku. Në kardiologjinë „Axhibadem Sistina“ i është bërë rindërtimi endovaskular i aortës. Në vend të operacionit klasik me hapje të gjoksit, është bërë prerje e vogël tek ija, ku me gyp të hollë, kateter, përmes arteries femorale, është arritur te vendi i zgjerimit i aortës torakale dhe përmes saj drejtpërdrejt është futur stent grafiti.
Sipas kardiokirurgut Salis Taxher, vdekshmëria me këtë intervenim është dukshëm më e ulët, kurse komplikimet janë edhe deri në pesë herë më të vogla, në krahasim me kirurgjinë klasike. Taxher, i cili bëri këtë intervenim, sqaroi se në vend që të shkohet jashtë vendit si deri tani, këtë intervenim tash më pacientët mund ta bëjnë edhe në Maqedoni. “Kjo ishte procedurë e mbuluar nga fondi. Me kërkesë speciale fondi e mbulon, por synimi jonë është që mos të ketë kërkesë speciale, por kjo procedurë të merr kotizimin Di-Er-Xhi, të arrihet një çmim i përshtatshëm që do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet dhe të bëhet një rutinë procedurale pa kërkesa speciale“, tha Taxher.
Ai tha se shumë pak prej pacientëve janë të vetëdijshëm që kanë probleme me aortën deri sa nuk vijnë në një situatë ku duhet të ju skanohet i tërë trupi. Përsëri, ky intervenim bëhet edhe në situatë kur pacientët janë në gjendje të rëndë kritike. “Nuk mund t’ju tregoj çmim, por materiali i një stentgrafi kushton shumë. Disa mijë euro.. rreth dhjetë… vetëm materiali“, informoi Taxher.
Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, përmes një njoftimi me shkrim për TV21, sqaruan se në rast se bëhet fjalë për futjen e ndonjë metode të re apo ndonjë shërbimi të ri shëndetësor, institucioni duhet të bëjë kërkesë dhe atë ta dorëzojë me implikimet financiare dhe justifikim për zbatim të asaj metode shëndetësore deri te autoritetet shëndetësore.
Aleksandra Smilevska
