Rreziqet për rritjen ekonomike janë të pranishme dhe kjo ndikon në stabilitetin ekonomik në vend. Se sa do të reflektojë kriza e refugjatëve në aspektin ekonomik, për momentin ende nuk mund të dihet.
Por ajo që është e sigurt, është se do të ketë ndikim financiar, theksoi sot profesori Mojmir Mrak nga Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit të Lubjanës, gjatë konferencës për media që u mbajt në Odën ekonomike të Maqedonisë. “Në rajon planifikohen shkallë më të larta të rritjes. Kjo nuk është vetëm në Maqedoni, rreziqet po rriten në gjithë rajonin. Me rëndësi është të theksohet se për momentin askush nuk e di se si do të jetë ndikimi në ekonomi i krizës së refugjatëve në rajon. Kjo do të ketë ndikim mbi financat publike të çdo shteti që ballafaqohet me këtë krizë. Burim i rrezikut është gjendja në Greqi dhe gjendja në eurozonë, kjo është një situatë jostabile dhe nuk dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha profesori Mrak.
Nga ana tjetër, dekania e Fakultetit Ekonomik në Lubjanë, Metka Takaviç, tha se Sllovenia u ballafaqua me disa humbje por edhe me përfitime pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kemi pasur disa përfitime dhe disa humbje me anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian. Qëndrimi im është se përfitimet prej anëtarësimit në Bashkimin Evropian janë më të mëdha se sa humbjet që i ka pësuar Sllovenia pas hyrjes si anëtare në BE. Dhe, dua ta shfrytëzoj rastin dhe të them se e mbështes anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, theksoi profesoresha Takaviç.
Në Odën Ekonomike, profesorët nga Lubjana prezantuan mundësitë për studime në institucionin e tyre.
Arbana Qerimi
