Taksë për varrim në Kumanovë, Myftinia: Qytetarët të mos paguajnë

0

Qytetarët e Kumanovës ditëve të fundit janë të befasuar nga taksa komunale për varreza. Ata shprehin shqetësime lidhur me këtë vendim që u miratua nga këshilli komunal, ku për çdo varrim duhet paguar taksa prej 107 eurove. Sipas vendimit të komunës, nëse nuk paguhet kjo taksë, atëherë nuk lejohet varrimi.

“Përse  i kanë ngritur taksat për varrezat, nuk jemi të pajtuar, duhet të ankohemi, deri tash kemi paguar 1800 denarë, deri tash e kemi paguar taksën vetëm për hoxhën”…“Ne shqiptarët nuk mbahemi ndërmjet veti, por vetëm shkatërrohemi, vetëm edhe këpucë më kanë mbetur, edhe këto duan të na I marrin. Është bërë shtrenjtë taksa si në Kumanovë e më gjerë.  S’ka punë. Gjithë ditën rrinë nëpër rrugë, s’ka punë” – shprehen banorët e Kumanovës.

Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski theksoi për TV21 se taksa do të vlejë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. “Ligji i ri për varreza është sjellur në vitin 2013. Ai është në fuqi dhe është sjellë rregullore dhe çmimore nga Këshilli Komunal, sipas të cilës parashikohet që vendi i varrimit të paguhet nga ana e familjes. Ky çmim është sjellë në përputhshmëri me rregullat ligjore të miratuara në Këshill. 3300 denarë kushton vetëm një vendvarrim, ndërsa 6600 për dupleks. Kjo pagesë kryhet vetëm një herë. E shfrytëzoj këtë rast të them që këto janë çmimet më të ulëta në Republikën e Maqedonisë. Unë si kryetar dhe si politikan nuk kam mundësi t’i ndryshoj këto çmime, sepse kjo gjë është e rregulluar me ligj dhe me rregullore të sjellë në Këshill”, theksoi Damjanovski.

Por, Myftinia e Kumanovës ka kundërshtuar këtë vendim komunal, duke bërë thirrje që të mos paguhet kjo taksë, që shkon në llogarinë e ndërmarrjes komunale Pastrim – Gjelbërimi. “Ne deri tani s’kemi asnjë vendim nga komuna, apo ndërmarrja Pastrim- gGjelbërim, për taksat që paguajnë qytetarët e Kumanovës. Qytetarët janë ankuar për taksët e larta në Myftininë tonë, që paguajnë këtë taksë aq lartë. Ne si myftini e Kumanovës jemi kundër këtij vendimi të marrur nga komuna dhe ndërmarrja publike. Ne njoftojmë qytetarët që mos ta bëjnë pagesën e taksës për varreza”, shprehet Sadulla Abdullahu, përfaqësues i BFI në Kumanovë.

Banorët e Kumanovës kërkojnë që komuna të tërheq vendimin, për shkak të pamundësisë për të përballuar edhe një taksë të tillë shtesë, që rëndon xhepin e tyre.

Zimer Jashari

 

Protestë: Dy dekada nga zhdukja e Remzi Hoxhës, familja kërkon zbardhjen e rastit

0

Edhe pse ditë e hënë, Ambasada e Shqipërisë në Shkup ishte e mbyllur. Sigurimi i Ambasadës na informoi se sot ambasada nuk punon. Ndihmë nga ambasada shqiptare pas dy dekadave kishte ardhur të kërkojë familja e biznesmenit Remzi Hoxha, i cili u zhduk në Tiranë në rrethana misterioze.

Familjarët e tij protestuan  nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup deri para dyerve të Ambasadës së Shqipërisë. Ata kërkuan nga institucionet e Shqipërisë që sa më parë të zbardhin rrethanat e  zhdukjes së Remzi Hoxhës. Krahas protestës, familja Hoxha ka organizuar edhe peticion në disa pjesë të Shkupit. “Familja jonë ndjen dhimbje shumë të madhe që edhe mbas 20 viteve, gjegjësisht 3 viteve mbasi ka një fajtor, shteti shqiptar nuk bën asnjë lëvizje për të zbardhur këtë rast. Ne kërkojmë që institucionet relevante, siç janë Parlamenti i Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Interpoli dhe të gjitha mekanizmat shtetërore të futen në funksion menjëherë dhe fati i familjarit tonë të zhdukur të zbardhet sa më parë”, thotë Nexhmedin Hoxha, vëlla i biznesmenit të zhdukur.

Ai prej autoriteteve të Shqipërisë kërkoi ekstradimin e shpejtë të të dyshuarit Ilir Kumbaro dhe me këtë t’i japin fund rastit të familjarit të tyre,  gjë që e presin tash e njëzet vjet. “Kapeni Ilir Kumbaron dhe të merr fund e gjithë kjo histori e dhimbshme për familjen tonë dhe një histori e njollë e zezë për Shqipërinë”, theksoi Hoxha.

Në përkrahje të protestave ishte dhe analisti politik Ismet Ramadani, i cili tha që familja Hoxha ka të drejtë të dijë të vërtetën mbi zhdukjen e familjarit Remzi Hoxha. “Kam pas edhe angazhim personal për të arritur deri te një e vërtetë, në atë kohë kam biseduar disa herë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të ndjerin Ali Spahiu, i cili e morri përsipër që të vijë deri te e vërteta e zhdukjes së Remzi Hoxhës. Mirëpo edhe ai në përgjigjet e tij pas takimeve të njëpasnjëshme që kemi pasur, tekstualisht më thotë kështu: vij deri diku, por diku më paraqitet një pengesë e madhe për të arritur deri te e vërteta”, theksoi Ramadani.

Me qëllim të zbardhjes së rrethanave në të cilat u zhduk Remzi Hoxha, përveç protestës së sotme në Shkup, familjarët e Remzi Hoxhës paralajmëruan protesta të ngjashme nesër në Prishtinë dhe të mërkurën në Tiranë.

Blerim Ismaili

Nesër premierë e filmit “Qershiat e papjekura”, pasqyron konfliktin e 2001-shes

0

Në kohën kur ende nuk ishin pjekur qershiat, në vitin 2001 kishte shpërthyer konflikti i armatosur në Maqedoni. Ky film i metrazhit të shkurtër, ngërthen në vete atë periudhë, kur një grup personash të etniteteve të ndryshme, të gjendur rastësisht në tren duke udhëtuar për Kumanovë, arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët komunikimi. Ky të paktën, është qëllimi i regjisorit Nebojsha Jovanoviq, për filmin e tij 16 minutësh, i cili do të shfaqë premierën në kinemanë e Qendrës kulturore për të rinj në Shkup.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Sunçica Unevska, në konferencën për media, vlerëson se është bërë një punë produktive në përafrimin e vlerave ndër etnike në vend. “”Qershiat e papjekura” është tregimi ku regjisori e pasqyron një ngjarje të kohës së konfliktit në vitin 2001 në Maqedoni. Në film flitet në tri gjuhë dhe marrin pjesë personazhe të etniteteve dhe religjioneve të ndryshme. Pastaj, kasta e aktorëve është shumëetnike, e përbërë nga maqedonas, shqiptar, turq e serb”, informoi Unevska.

Ndërkaq, regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, Nebojsha Jovanoviq, e lidh idenë e filmit me ngritjen e vetëdijes kolektive për evitimin e paragjykimeve ndëretnike në vend. Sipas tij, i gjithë stafi janë munduar të bëjnë një performacë profesionale, duke bartur tek publiku mesazhin e filmit që është në kontekst pozitiv. “Ideja e këtij filmi rrjedh nga ato përvoja të konfliktit të 2001-shit, të cilat janë akoma aktuale. Kjo problematikë e prek të gjithë shoqërinë shumëetnike në Maqedoni. Gjithashtu, aq sa kam mundur të vërej nga kjo periudhë, në shoqërinë tonë emocionet kolektive janë tensionuar me shumë paragjykime. Të lidhura me përvojat e këqija, ku ne të gjithë e dimë se çka ka ndodhur në vitin 2001. Unë vlerësoj se ky film ka një qëllim të sjellë pastrim të vetëdijes së njerëzve, duke dhënë një notë pozitive”, theksoi Jovanoviq.

Filmi është vlerësuar mirë nga kritikët, madje është i përzgjedhur të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit “Grenobel” që do të mbahet në Francë. Në mesin e 46 filmave të metrazhit të shkurtër, “Qershiat e papjekura” do të konkurrojë për filmin më të mirë të vitit. Përveç premierës së nesërme, organizatorët paralajmërojnë se në muajin e ardhshëm, filmi do të shfaqet edhe në kinemanë e qytetit të Kumanovës.

Adnan Qaili

Mustafa: Nuk ka krizë, por ka tentim për bllokim të institucioneve

0

Në vazhdën e takimeve që presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka nisur me liderët e partive që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, sapo ka përfunduar takimi i të parës së shtetit me liderët e partive të koalicionit qeverisës, Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

Pas takimit kryeministri Isa Mustafa tha se në takim vlerësuan se në Kosovë nuk ka krizë, por ka tentim për bllokim të institucioneve. Ai tha se u pajtuan me presidenten që të debllokohet puna në Kuvend dhe të vazhdoj puna e këtij institucioni.

Ndërsa kryetari i PDK-së Hashim Thaçi tha se opozita po e bllokon fizikisht punën e Kuvendit duke mos lejuar debatin.
Nesër presidentja do të takohet edhe me liderët e opozitës.

Han në Shkup në takime me liderët partiakë

0

Komisari për negociata për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Han, sot do të arrijë në Shkup, me qëllim që t’i zhbllokojë negociatat për zbatimin e marrëveshjes politike të 2 qershorit dhe 15 korrikut.

Siç konfirmoi zëdhënësja e tij, Maja Kocijançiç, Komisioni Evropian monitoron nga afër zhvillimet në Republikën e Maqedonisë dhe kërkon që katër partitë politike t’i përmbahen orarit në zbatimin e pikave të marrëveshjes që i dha fund krizës politike në vend.

“Unë mund të konfirmoj se komisari Han, javën e ardhshme, përkatësisht të hënën do të udhëtoj për në Shkup për t’u takuar me të gjitha palët e prekura. Brukseli po vëzhgon nga afër situatën dhe edhe njëherë do të përsërisim se Komisioni Evropian pret që partitë t’i përmbahen orarit në zbatimin e pikave nga marrëveshja e 2 qershorit/15 korrikut”, theksoi Kocijançiç të premten e kaluar.

Petkov: Bullgaria e gatshme që t'i ndihmojë Maqedonisë në rrugën drejt BE-së

0

Bashkëpunimi midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë është shumë i mirë në më shumë sfera, ndërsa posaçërisht është i dobishëm në pjesën e eurointegrimeve ku ka këmbim intensiv midis ekipeve të së dy vendeve. Jemi të gatshëm t’i ndimojmë Maqedonisë në rrugën e saj drejt BE-së. Kemi më shumë se 10 vite përvojë negociata me BE-në, ndërsa tani jemi edhe anëtare e plotfuqishme dhe mundemi shumë gjëra të ndajmë.

Këtë e deklaroi Ivan Petkov, ambasador i Republikës së Bullgarisë në Maqedonisë në fjalimin në seminarin me temë “Politika të BE-së”, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jahstme e Maqedonisë.

“Diplomatët e rinj nuk janë të preokupuar me paragjykime nga e kaluara, kanë pikëpamje bashkëkoore dhe janë të lidhur me botën. Për këtë arsye besoj se janë të gatshëm t’i avancojnë marrëdhëniet e mira bilaterale midis Maqedonisë dhe Bullgarisë”, tha Petkov.

Lidhur me temën e seminarit theksoi se është shumë e dobishme për shkak se çdo vend duhet të dijë se anëtarësimi në BE sjell shumë përgjegjësi dhe kërkon shumë dituri. “Ekzistojnë shumë procedura të komplikuara, institucione të fuqishme dhe me qëllim që vendi t’i mbrojë të drejtat e saj në VE duhet të jetë mirë e përgatitur, sepse kjo nuk është lehtë. Kolegët bullgarë janëkëtu dhe janë të përgatitur që ta ndajnë diturinë e tyre”, tha ambasadori Petkov.

Dragana Kiprijanovska zëvendësministre e Punëve të Jashtme theksoi se është falënderuese për ndihmën nga MPJ-ja bullgare posaçërisht në pjesën e edukimit diplomatik i cili zhvillohet midis Akademive diplomatike të së dy ministrive.

“Republika e Bullgarisë si vend-anëtar e cila e përfundoi procesin inkuadrues në BE për Maqedoninë është shembull i një rrëfimi të suksesshëm në procesin e zgjerimit të Unionit. Përvojat bullgare të fituara në këtë rrugë janë të pazëvendësuese dhe posaçërisht të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë e cila është në pritje që ta fillojë procesin e negociatave inkuadruese”, tha Kiprijanovska.

Para pjesëmarrësve të seminarit foli edhe drejtoresha e Institutit diplomatik bullgar Tanja Mihajllova, e cila vlerësoi se përforcimi i kapaciteteve të  administratës është investim shumë i mirë në resurset njerëzore, ndërsa bashkëpunimi me Maqedoninë në trajnime zhvillohet tashmë dhjetë vite.

“Ky lloj i trajnimeve, posaçërisht në pjesën e politikave të BE-së është pjesë e mirëkuptimit jo vetëm në frymën e bashkëpunimit evropian, por edhe rajonal. Bullgaria në vitin 2018 do të jetë vend kryesues me BE-në dhe tashmë po e përgatit administratën e saj për këtë detyrë”, tha Mihajllova.

Instituti diplomatik bullgar ekziston nga viti 2003 dhe realizon program të shumëllojshëm të trajnimeve në më shumë sfera për avancim të aftësive të diplomatëve të tyre, të punësuar në MPJ dhe në administratën shtetërore, ndërsa realizon edhe aktivitet të pasur publik për popullarizim të punës së saj dhe politikës së jashtme zyrtare të Bullgarisë.

Ndihmësit e zgjedhur të Janevës nuk erdhën të japin deklaratë solemne

0

Shtatë ndihmësit e prokurores speciale Katica Janeva, të cilët janë zgjedhur javën e kaluar, nuk erdhën në seancën e sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ku duhej të japin deklaratë solemne, me të cilën formalisht duhet ta marrin funksionin.

Janeva të premten u bëri thirrje të mos vijnë në seancën e sotme, pasi vendimi i Këshillit me të cilin janë zgjedur vetëm shtatë nga 14-të kandidatët e propozuar, sipas saj është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë Publike.

“Sot 15 minuta pas terminit të caktuar për dhënien e deklaratës solemne të shtatë prokurorëve të zgjedhur të ekipit të prokurores së posaçme Katica Janeva, qartë është se ata nuk do të vijnë dhe të japin deklaratë solemne”, deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevski.

Grupet punuese partiake arritën marrëveshje dhe nënshkruan letër me të cilën kërkuan nga Këshilli t’i zgjedhë edhe shtatë ndihmësit e tjerë të Janevës, ndërsa Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë të prononcohet për kushtetueshmërinë e ligjit.

Anevski në deklaratën e sotme për mediat informoi se paradite në orën 10 e 30 minuta nga ministri i Drejtësisë Adnan Jashari në Këshillin e Prokurorëve Publikë ka ardhur shkresë me kërkesë nga katër partitë më të mëdha politike, ku kërkohet nga Këshilli sot të mbajë seancë dhe t’i zgjedhë prokurorët e tjerë publikë të Prokurorisë Publike Speciale.

“Në orën 11 letrën e dërgova deri te prokurorja  publike speciale Katica Janeva dhe ajo të drejtohet me shkresë deri te Këshilli dhe ne të veprojmë sipas asaj shkrese. Nëse gjatë ditës ose nesër dërgon shkresë me kërkesa të caktuara, ne do t’i shqyrtojmë dhe do të caktojmë seancë urgjente të Këshillit”, tha Petar Anevski.

Ai mbetet në qëndrimin e javës së kaluar të Këshillit se për Prokurorinë Publike Speciale nevojiten shtatë prokurorë publikë plus Katica Janeva respektivisht gjithsej tetë dhe se nuk ka nevojë për ekip aq të madh.

“Në këtë moment duhet të kuptojmë se Prokuroria Publike e RM-së ballafaqohet me një numër të madh të prokurorëve të pazgjedhur publikë. Ka një numër të madh të lëndëve, ndërsa më shumë se 50 prokurorë publikë mungojnë në prokuroritë. Sipas kësaj, derdhja e prokurorëve publikë, repsektivisht ata të shkojnë në këtë prokurori nuk është logjike”, tha Anevski.

Dalje nga kjo situatë, sipas Anevskit, është ndryshimi i Ligjit për prokuroritë publike dhe të Ligjit për gjykatës dhe prokurorë publikë, që të mund, siç tha, të zgjedhen prokuroritë publikë dhe të plotësohen vendet e zbrazëta në prokuroritë themelore, supreme dhe në Prokurorinë Publike Republikane.

Anevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se nuk ndjen nevojë që të japë dorëheqje dhe se nuk e interpreton si humbje kërkesën që të zgjidhen të gjithë prokurorët e Janevës, përballë argumenteve të tyre se nuk heqin dorë nga vendimi për zgjedhje të vetëm shtatë prokurorëve publikë në Prokurorinë Speciale.

Deklaratë solemne sot duhej të japin Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska. Lejla Kadriu, Lubomir Lape, Marija Gjorçeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai, me çka zyrtarisht duhej t’i ndërmarrin detyrat në institucionin e ri.

Janeva kërkoi që në ekipin e saj të ketë 14 prokurorë publikë, por Këshilli me votim të fshehtë javën e kaluar vendosi që vetëm shtatë veta të hyjnë në Prokurorinë e Posaçme.

Seancën e ardhshme e rregullt, Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet ta mbajë nesër, dhe siç tha Anevski, është lënë mundësia që ajo të plotësohet nëse Janeva shtron kërkesë.

Brima Galup: Tetëdhjetë e dy për qind e banorëve të Maqedonisë i lajnë duart pas shkuarjes në toalet

0

Tetëdhjetë e dy për qind e qytetarëve të Maqedonisë i lajnë duart me sapun pas shkuarjes në toalet, tregon hulumtimi i Brima galup internacional.

Në pyetjen “Deri në cilën shkallë dakordoheni ose nuk dakordoheni me deklaratën vijuese: Larja e duarve ne sapun pas shkuarjes në toalet është diçka që automatikisht e bëj”, dhjetë për qind kanë deklaruar se deri diku dakordohen, tre për qind deri diku nuk dakordohen dhe dy për qind nuk dakordohen.

Me këto të dhëna Maqedonia është mbi mesataren globale. Hulumtimi ka treguar se 65 për qind e të anketuarve në 64 vende në të cilat kjo është realizuar kanë deklaruar se dakordohen me deklaratën se larja e duarve me sapun pas shkuarjes në toalet është diçka që automatikisht e bëjnë, 26 për qind e të anketuarve janë prononcuar se deri diku dakordohen, ndërsa diçka më pak se një në 10 persona apo rreth 8 për qind nuk i lajnë duart me sapun dhe ujë.

Në Evropë, grekët kanë deklaruar se janë më të pastërt, gjegjësisht 85 për qind janë prononcuar se automatikisht i lajnë duart me sapun dhe ujë pas shkuarjes në toalet, ndërsa madje më së paku e bëjnë këtë holandezët nga të cilët vetëm 50 për qind kanë deklaruar se i lajnë duart pas shkuarjes në toalet. Në Amerikën Veriore dhe Jugore, kolumbianët janë treguar si më të pastërt. Atje 93 për qind e të anketuarve janë prononcuar se automatikisht i lajnë duart me sapun dhe ujë pas shkuarjes në toalet, ndërsa në Meksikë këtë e bëjnë  vetëm 32 për qind.

Bëhet fjalë për hulumtim global i realizuar në 64 vende në të cilën janë intervistuar 62.398 persona. Në çdo vend ekzemplari kombëtar përfshin një mijë meshkuj dhe femra të cilët janë intervistuar personalisht, përmes telefonit pse on-lajn. Hulumtimi është realizuar gjatë shtatorit-dhjetorit të vitit 2014. Në Maqedoni, Brima ka realizuar anketë terrenike në shtëpitë e të anketuarve në ekzemplar reprezantues kombëtar prej 1.204 personave të moshës mbi 15 vjeç në periudhën nga 1 deri më 24 nëntor të vitit 2014.

Jahjaga: Jo dhunë, por dialog (Video)

0

Presidentja e Atifete Jahjaga do të takojë liderët e subjekteve politike për të kapërcyer situatën e krijuar në Kuvend. Presidentja Jahjaga pas konsultimeve me kryeministrin Mustafa dhe kryeparalmentarin Veseli, në një konferencë për media, tha se shpreson se nisma e saj do të jap rezultate konkrete./ 21 Media

Prishtinë: Studentët nesër në protestë para rektoratit të UP-së

0

Organizata Demokracia Studentore nesër do të organizojnë një protestë para Rektoratit në Prishtinë për të mbrojtur të drejtat e studentëve.

Kjo organizatë nëpërmjet një njoftimi thotë se protesta fillon nga ora 12:00. Kryetari i kësaj organizate, Mexhid Ramusa thotë se do të organizojnë protestë masive pasi që ka kohë që po i vëzhgojnë të gjitha ngjarjet dhe nuk po ka rezultat.

“Ne nuk do të ndalemi derisa të plotësohen kërkesat tona. Të gjithë jemi në dijeni se një numër i madh i studentëve studjojnë me vetfinancim dhe duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në Kosovë këto kritere nuk do të ngrisin cilësinë e arsimimit në Republikën e Kosovës, por do të ndodhë e kundërta. Kjo që po bënë Rektori Zejnullahu nuk është cilësi, por kjo është padrejtësi ndaj studentëve, andaj ne do të reagojmë në të gjitha format që të rikthehet ligji i më parshëm”, ka thënë ai.