Shtatë ndihmësit e prokurores speciale Katica Janeva, të cilët janë zgjedhur javën e kaluar, nuk erdhën në seancën e sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ku duhej të japin deklaratë solemne, me të cilën formalisht duhet ta marrin funksionin.
Janeva të premten u bëri thirrje të mos vijnë në seancën e sotme, pasi vendimi i Këshillit me të cilin janë zgjedur vetëm shtatë nga 14-të kandidatët e propozuar, sipas saj është në kundërshtim me Ligjin për Prokurorinë Publike.
“Sot 15 minuta pas terminit të caktuar për dhënien e deklaratës solemne të shtatë prokurorëve të zgjedhur të ekipit të prokurores së posaçme Katica Janeva, qartë është se ata nuk do të vijnë dhe të japin deklaratë solemne”, deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevski.
Grupet punuese partiake arritën marrëveshje dhe nënshkruan letër me të cilën kërkuan nga Këshilli t’i zgjedhë edhe shtatë ndihmësit e tjerë të Janevës, ndërsa Gjykata Kushtetuese sa më shpejtë të prononcohet për kushtetueshmërinë e ligjit.
Anevski në deklaratën e sotme për mediat informoi se paradite në orën 10 e 30 minuta nga ministri i Drejtësisë Adnan Jashari në Këshillin e Prokurorëve Publikë ka ardhur shkresë me kërkesë nga katër partitë më të mëdha politike, ku kërkohet nga Këshilli sot të mbajë seancë dhe t’i zgjedhë prokurorët e tjerë publikë të Prokurorisë Publike Speciale.
“Në orën 11 letrën e dërgova deri te prokurorja publike speciale Katica Janeva dhe ajo të drejtohet me shkresë deri te Këshilli dhe ne të veprojmë sipas asaj shkrese. Nëse gjatë ditës ose nesër dërgon shkresë me kërkesa të caktuara, ne do t’i shqyrtojmë dhe do të caktojmë seancë urgjente të Këshillit”, tha Petar Anevski.
Ai mbetet në qëndrimin e javës së kaluar të Këshillit se për Prokurorinë Publike Speciale nevojiten shtatë prokurorë publikë plus Katica Janeva respektivisht gjithsej tetë dhe se nuk ka nevojë për ekip aq të madh.
“Në këtë moment duhet të kuptojmë se Prokuroria Publike e RM-së ballafaqohet me një numër të madh të prokurorëve të pazgjedhur publikë. Ka një numër të madh të lëndëve, ndërsa më shumë se 50 prokurorë publikë mungojnë në prokuroritë. Sipas kësaj, derdhja e prokurorëve publikë, repsektivisht ata të shkojnë në këtë prokurori nuk është logjike”, tha Anevski.
Dalje nga kjo situatë, sipas Anevskit, është ndryshimi i Ligjit për prokuroritë publike dhe të Ligjit për gjykatës dhe prokurorë publikë, që të mund, siç tha, të zgjedhen prokuroritë publikë dhe të plotësohen vendet e zbrazëta në prokuroritë themelore, supreme dhe në Prokurorinë Publike Republikane.
Anevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se nuk ndjen nevojë që të japë dorëheqje dhe se nuk e interpreton si humbje kërkesën që të zgjidhen të gjithë prokurorët e Janevës, përballë argumenteve të tyre se nuk heqin dorë nga vendimi për zgjedhje të vetëm shtatë prokurorëve publikë në Prokurorinë Speciale.
Deklaratë solemne sot duhej të japin Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska. Lejla Kadriu, Lubomir Lape, Marija Gjorçeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai, me çka zyrtarisht duhej t’i ndërmarrin detyrat në institucionin e ri.
Janeva kërkoi që në ekipin e saj të ketë 14 prokurorë publikë, por Këshilli me votim të fshehtë javën e kaluar vendosi që vetëm shtatë veta të hyjnë në Prokurorinë e Posaçme.
Seancën e ardhshme e rregullt, Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet ta mbajë nesër, dhe siç tha Anevski, është lënë mundësia që ajo të plotësohet nëse Janeva shtron kërkesë.
