Në kohën kur ende nuk ishin pjekur qershiat, në vitin 2001 kishte shpërthyer konflikti i armatosur në Maqedoni. Ky film i metrazhit të shkurtër, ngërthen në vete atë periudhë, kur një grup personash të etniteteve të ndryshme, të gjendur rastësisht në tren duke udhëtuar për Kumanovë, arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët komunikimi. Ky të paktën, është qëllimi i regjisorit Nebojsha Jovanoviq, për filmin e tij 16 minutësh, i cili do të shfaqë premierën në kinemanë e Qendrës kulturore për të rinj në Shkup.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun, Sunçica Unevska, në konferencën për media, vlerëson se është bërë një punë produktive në përafrimin e vlerave ndër etnike në vend. “”Qershiat e papjekura” është tregimi ku regjisori e pasqyron një ngjarje të kohës së konfliktit në vitin 2001 në Maqedoni. Në film flitet në tri gjuhë dhe marrin pjesë personazhe të etniteteve dhe religjioneve të ndryshme. Pastaj, kasta e aktorëve është shumëetnike, e përbërë nga maqedonas, shqiptar, turq e serb”, informoi Unevska.
Ndërkaq, regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, Nebojsha Jovanoviq, e lidh idenë e filmit me ngritjen e vetëdijes kolektive për evitimin e paragjykimeve ndëretnike në vend. Sipas tij, i gjithë stafi janë munduar të bëjnë një performacë profesionale, duke bartur tek publiku mesazhin e filmit që është në kontekst pozitiv. “Ideja e këtij filmi rrjedh nga ato përvoja të konfliktit të 2001-shit, të cilat janë akoma aktuale. Kjo problematikë e prek të gjithë shoqërinë shumëetnike në Maqedoni. Gjithashtu, aq sa kam mundur të vërej nga kjo periudhë, në shoqërinë tonë emocionet kolektive janë tensionuar me shumë paragjykime. Të lidhura me përvojat e këqija, ku ne të gjithë e dimë se çka ka ndodhur në vitin 2001. Unë vlerësoj se ky film ka një qëllim të sjellë pastrim të vetëdijes së njerëzve, duke dhënë një notë pozitive”, theksoi Jovanoviq.
Filmi është vlerësuar mirë nga kritikët, madje është i përzgjedhur të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar të filmit “Grenobel” që do të mbahet në Francë. Në mesin e 46 filmave të metrazhit të shkurtër, “Qershiat e papjekura” do të konkurrojë për filmin më të mirë të vitit. Përveç premierës së nesërme, organizatorët paralajmërojnë se në muajin e ardhshëm, filmi do të shfaqet edhe në kinemanë e qytetit të Kumanovës.
Adnan Qaili
