Qytetarët e Kumanovës ditëve të fundit janë të befasuar nga taksa komunale për varreza. Ata shprehin shqetësime lidhur me këtë vendim që u miratua nga këshilli komunal, ku për çdo varrim duhet paguar taksa prej 107 eurove. Sipas vendimit të komunës, nëse nuk paguhet kjo taksë, atëherë nuk lejohet varrimi.
“Përse i kanë ngritur taksat për varrezat, nuk jemi të pajtuar, duhet të ankohemi, deri tash kemi paguar 1800 denarë, deri tash e kemi paguar taksën vetëm për hoxhën”…“Ne shqiptarët nuk mbahemi ndërmjet veti, por vetëm shkatërrohemi, vetëm edhe këpucë më kanë mbetur, edhe këto duan të na I marrin. Është bërë shtrenjtë taksa si në Kumanovë e më gjerë. S’ka punë. Gjithë ditën rrinë nëpër rrugë, s’ka punë” – shprehen banorët e Kumanovës.
Kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski theksoi për TV21 se taksa do të vlejë për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. “Ligji i ri për varreza është sjellur në vitin 2013. Ai është në fuqi dhe është sjellë rregullore dhe çmimore nga Këshilli Komunal, sipas të cilës parashikohet që vendi i varrimit të paguhet nga ana e familjes. Ky çmim është sjellë në përputhshmëri me rregullat ligjore të miratuara në Këshill. 3300 denarë kushton vetëm një vendvarrim, ndërsa 6600 për dupleks. Kjo pagesë kryhet vetëm një herë. E shfrytëzoj këtë rast të them që këto janë çmimet më të ulëta në Republikën e Maqedonisë. Unë si kryetar dhe si politikan nuk kam mundësi t’i ndryshoj këto çmime, sepse kjo gjë është e rregulluar me ligj dhe me rregullore të sjellë në Këshill”, theksoi Damjanovski.
Por, Myftinia e Kumanovës ka kundërshtuar këtë vendim komunal, duke bërë thirrje që të mos paguhet kjo taksë, që shkon në llogarinë e ndërmarrjes komunale Pastrim – Gjelbërimi. “Ne deri tani s’kemi asnjë vendim nga komuna, apo ndërmarrja Pastrim- gGjelbërim, për taksat që paguajnë qytetarët e Kumanovës. Qytetarët janë ankuar për taksët e larta në Myftininë tonë, që paguajnë këtë taksë aq lartë. Ne si myftini e Kumanovës jemi kundër këtij vendimi të marrur nga komuna dhe ndërmarrja publike. Ne njoftojmë qytetarët që mos ta bëjnë pagesën e taksës për varreza”, shprehet Sadulla Abdullahu, përfaqësues i BFI në Kumanovë.
Banorët e Kumanovës kërkojnë që komuna të tërheq vendimin, për shkak të pamundësisë për të përballuar edhe një taksë të tillë shtesë, që rëndon xhepin e tyre.
Zimer Jashari
