Instituti i Trashëgimisë: Të ndërtohet shtëpia autentike e Nënë Terezës

TË FUNDIT

Numri më i ri i revistës periodike “SCUPI” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare, i cili doli nga shtypi këtyre ditëve, i kushtohet në tërësi Nënë Terezës. Kjo revistë përmban punimet e konferencës shkencore që e organizoi Instituti më në fund të muajit gusht.

“Organizuam një tribunë shkencore me personalitete, të cilët janë marrë me figurën e Nënë Terezës. Ne si Institut kemi hulumtuar arkiva të ndryshme në Maqedoni, dhe kemi nxjerrë dokumente për rininë e Gonxhe Bojaxhiut. Në vitin 1928 ajo ja e la shtëpinë në pronësi të së ëmës Dranës dhe më pas ne kemi një dokument shumë të vlefshëm, revistën e Katolikëve të Jugut të Serbisë, ku nxirret në pah një letër e Nenë Terezës, për ndjenjat e saja për në Kalkutë”, informon Skender Asani, drejtor i ITSHKSH

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi, që në vend të përmendores së planifikuar, të ndërtohet shtëpia autentike e Nënë Terezës. “Ne kemi ngritur iniciativë që të ndërtohet shtëpia autentike aty dhe ku kishte pronësinë e saj në Shkup. Ajo shtëpi të jetë në frymën e Nënë Terezës, ku të pastrehuarit do të ushqehen aty dhe jo të harxhohen në statuja ose shtatore, të cilët janë të vdekura dhe nuk janë në frymën e Nenë Terezës”, theksoi Asani.

Në këtë botim janë përfshirë kontributet e pjesëmarrësve në konferencë, mes të cilëve janë edhe Dom Lush Gjergji, Nebi Dervishi, Sefer Tahiri e shkencëtarë dhe njohës të tjerë të nobelistes dhe humanistes shqiptare.

Zimer Jashari