Banesa të reja sociale: Qira prej 400 deri 1000 denarë në muaj

TË FUNDIT

Për 76 banesa në Prilep dhe 25 në Demir Hisar do të mund të aplikojnë qytetarët e shtatë kategorive të prekura sociale. Përparësi do të kenë fëmijët pa prindër dhe të strehuarit në shtëpitë e fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Në shpallje, përmes formularit elektronik që do të jetë i hapur deri më 16 nëntor, mund të paraqiten edhe shfrytëzuesit e ndihmës sociale, pastaj persona të prekur nga fatkeqësitë elementare, pjesëtarë të komunitetit të rrezikuar rom, si dhe prindër të vetëm dhe persona të verbër të cilët shfrytëzojnë ndihmë sociale.“Banesat sociale do të ndahen me procedurë transparente përmes shpërndarjes elektronike, në pajtim me metodologjinë për shënim të kandidatëve për marrje të banesës sociale me qira”, deklaroi Vllado Misajlovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Çmimi i qirasë do të jetë simbolik dhe do të shkojë prej 400 deri 1000 denarë në muaj, pavarësisht madhësisë së banesës, tha drejtori i Ndërmarrjes Publike për Hapësirë Afariste dhe Banesore, Cvetko Grozdanov. “Në pajtim me kriteret që i ka vendosur Ministria, ata të cilët kanë familje më të mëdha do të aplikojnë edhe për banesë me sipërfaqe më të madhe dhe për ata çmimi do të jetë 600 apo 800 denarë. Me shumë më të vogël do të jetë qiraja për një apo dy persona“, informoi Grozdanov.

Sipas projektit për ndërtim të banesave sociale, në periudhën që vijon do të ndërtohen edhe 541 banesa, prej të cilave pjesa më e madhe, mbi 300, do të jenë në Shkup. Për momentin, po punohet në ndërtimin e objekteve në Kërçovë dhe Makedonski Brod, kurse deri në fund të muajit do të fillojë ndërtimi i ndërtesave për persona me rrezik social në Gostivar.

Gabriella Dimkoviq