Forumi i Patriotëve Mendjehapur ka drejtuar një shpallje për shpëtimin e partisë së tyre, VMRO-DPMNE-së. Në të janë shtruar 19 pika, për, siç thuhet, shpëtimin e partisë.
Samoil Mallçevski, i cili është pjesë e Forumit, thekson se kjo shpallje është një lloj udhërrëfyesi, me anë të të cilit partia duhet të ec në të ardhshmen, në qoftë se me të vërtetë dëshiron të fitojë në zgjedhjet e 22 prillit. “Është e qartë se, gjithë çka dëgjuam në publik dhe më pas, e që asnjë institucion nuk e mohoi vërtetësinë e të gjitha atyre materialeve të publikuara, paraqet nevojë për reforma në VMRO-DPMNE dhe dikush më në fund të ketë përgjegjësi për keqpërdorimin e partisë për qëllime dhe interesa personale”, thotë Mallçevski.
Mallçevski thotë se ka dallim të madh ndërmjet VMRO DPMNE-së së sotme dhe të asaj të viteve ’90-ta. “Në VMRO DPMNE-në e kaluar kishte ideologji. Pra, kishte njerëz që vërtet besonin në ideologjinë e VMRO-së dhe me orientim demokristian, për dallim nga konjuktura aktuale, që i eliminon vmroistët e vërtetë. Duke e eliminuar kësisoj krahun intelektual të partisë, arritën që, nga një parti e njerëzve të dinjitetshëm, të bëjnë parti me njerëz të dëgjueshëm”, thekson ai.
Marrëveshja e Përzhinos vetëm se e thellon krizën, konsideron Mallçevski. Sipas tij, po qe se deri tani do të ishte formuar qeveriа kalimtare, ajo do të kishte zgjidhur shumë çështje dhe nuk do të kishte ardhur deri në këtë situatë.
Përkundër insistimit të televizionit, në VMRO-DPMNE nuk kanë gjetur kohë për t’iu përgjigjur vërejtjeve që i janë bërë nga bashkëpartiakët e mbledhur rreth Forumit të Patriotëve Mendjehapur.
