Refugjatët – Bileta e trenit mbetet 25 euro

TË FUNDIT

Çmimi i biletës së trenit, për emigrantët mbetet 25 euro. Hekurudhat e Maqedonisë këtë e arsyetojnë me harxhimet jo të rregullta për bartjen e emigrantëve.

Ministri për Transport dhe Lidhje,Vllado Misajllovski, thotë se këto nuk janë linja të rregullta, por janë linja për një qëllim  të caktuar, e për këtë arsye, u është dashur të huazojnë trena prej vendeve të tjera. Ai shtoi se, në qoftë se çmimi do të ishte më i ulët, ndërmarrja do të pësonte humbje.“Kemi harxhime të shumta, sepse këto linja nuk janë të rregullta, por janë jo të zakonshme. Në këto harxhime, një pjesë shkojnë për dezinfektim të brendësisë së trenave, më pas për amortizimin e vagonëve, si edhe për huazim të vagonëve shtesë prej vendeve të tjera, siç është Sllovakia”, informoi Misajllovski.

Rreth çmimit të lartë të biletës për emigrantët, reagoi edhe Avokati i Popullit, duke potencuar se në këtë mënyrë shkelen të drejtat e njeriut. Avokati i Popullit dorëzoi kërkesë deri te kryeministri Nikolla Gruevski dhe deri te drejtoria e Hekurudhave të Maqedonisë, ku ai rekomandon që Qeveria të marrë pjesë në formimin e çmimit, nëpërmjet refundimit të një pjese të mjeteve të nevojshme.“Kërkuam nga drejtori i “Hekurudhave të Maqedonisë-Transport”, të na e dorëzojë vendimin e sjellë dhe të sqarojë mbi çfarë baze janë rritur çmimet për emigrantët. Në kontekst të kësaj, u thirrëm në parimin e barazisë, prandaj kërkojmë që të ndërmerren masa për trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve në përdorimin e transportit publik, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë ose për të huajt”, thekson Vaska Bajramovska – Mustafa, zëvendëse e Avokatit të Popullit.

Përderisa vendet e tjera bëjnë transport falas për refugjatët, ne përfitojmë në llogari të tyre, thonë aktivistët joqeveritarë.“Jemi të vetëdijshëm se në “Hekurudhat e Maqedonisë-Transport” po inkasohet një shumë e madhe parash, edhe atë në llogari të refugjatëve. Prandaj, ne reaguam dhe edhe më tutje do të reagojmë, deri kur të ulet çmimi në një shkallë të pranueshme”, vlerëson Mersiha Smajlloviq, aktiviste e organizatës “Legis”.

Para ca kohësh, reaguan edhe vozitësit e trenave. Gjatë kohës së grevës disaditore, ata pyetën se si është e mundur që një ndërmarrje, e cila grumbullon një shumë të madhe parash, të mos mund rregullisht t’i paguajë punonjësit.“600 udhëtarë për 10 euro, janë gjithsej 6000 euro nga një tren i vetëm. Për një ditë, lëvizen nga pesë trena dhe është gjithsej 30 mijë euro. Edhe pse kjo është një matematikë e thjeshtë,  ne nuk kemi kontroll te paratë. E pyetëm edhe drejtorin, se kjo shumë, a është paraqitur në Ministri, sepse e dimë si merren paratë në terren”, tregon Dushko Çekerovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Makinistëve.

Përndryshe “Hekurudhat e Maqedonisë-Transport” trefish e kanë rritur çmimin e biletës për emigrantët.

Gabriella Dimkoviq