GJERMANI, THIRRJE PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE, OSMANI DHE DIMITROV NË TAKIM ME ROTH

0

Zv/kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov, janë optimist se vendi do të ketë përkrahjen e Gjermanisë për çeljen e negociatave. Në kuadër të vizitës së punës në Republikën Federale të Gjermanisë ata mbajtën takim me Mihael Roth, Ministër Shtetëror për Evropë në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme të Gjermanisë. Qëndrimi i Berlinit ndaj çeljes së negociatave ende mbetet i paqartë.

“Fakti se Komisioni do ta publikojë Raportin për vendin tonë më 29 maj, lë hapësirë të kufizuar që parlamentet e Holandës dhe Gjermanisë të munden të kenë qëndrim në lidhje me këtë rekomandim, dhe do të përsëris edhe një herë se nuk ka dilemë politike për faktin se ne meritojmë ta fillojmë këtë proces”, theksoi zv/kryeministri Bujar Osmani

“Nuk ka sinjal për ndonjë dilemë në lidhje me portofolin tonë, flasim kryesisht për procesin dhe për kohën se kur do të ndodhë ai, për shkak se ka shumë faktorë të jashtëm që ndikojnë në këtë proces, ndër tjerash, edhe publikimi i Raportit për këtë vit, dhe koha e shkurtër që e ka Bundestagu të organizojë debat. Sidoqoftë, jemi të inkurajuar dhe këto ditë do të kthehemi në atdhe  me përkrahjen e Gjermanisë, si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”, deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.

ANTIKORRUPSIONI REFUZOI 8 ANKESAT E VMRO-së, NUK KA SHKELJE TË LIGJIT ME SUBVENCIONET DHE PAKOT SOCIALE

0

Dy nga denoncimet e opozitares, VMRO-DPMNE-së, janë për Qytetin e Shkupit për shpalljen e thirrjeve publike për subvencionimin e qytetarëve për blerjen e kondicionerëve dhe biçikletave. Në ankesat e VMRO-DPMNE-së, thuhet se thirrjet publike janë publikuar pas shpalljes së zgjedhjeve dhe financohen nga mjete buxhetore. Për anëtarët e Antikorrupsionit këta aktivitete kanë qenë të planifikuara me programet vjetore të punës dhe andaj i kanë refuzuar këto ankesa. Prokuroria do të ketë për detyrë që të ndjek transferimin e parave për subvencionimin e biçikletave.

“Për shkak se gjatë kohës së zgjedhjeve nuk lejohen pagesat e parregullta, nuk janë theksuar prova se ka pagesa të tilla. Ankesa refuzohet por lënda nuk mbyllet”, theksoi Nënkryetari i Komisionit Shtetërorë për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shillegov, i cili mori pjesë në seancën e Antikorrupsionit, deklaroi se kanë qenë të vetëdijshëm se me shpalljen e konkurseve do të hyjnë në periudhën zgjedhore, por se kanë thënë publikisht se pagesat do të bëhet pas zgjedhjeve.

“Ishim shumë të kujdesshëm që të mos shkelim nenin 8 të Kodit Zgjedhor, konfirmojmë se deri më tani nuk është paguar as një denarë. Jemi të hapur për bashkëpunim me KSHPK dhe Prokurorinë Publike. Për programet për subvencionim votoi edhe grupi i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe sipas meje bëhet fjalë për ankesa dhe alibi politike”, potencoi Petre Shilegov, Kryetar i Qytetit të Shkupit.

U pranua vetëm ankesa për keqpërdorim të zyrave në ndërtesën e komunës së Shuto Orizares për mbajtjen e konferencës për media për mbështetjen e kandidatit për president, Stevo Pendarovski, por për këtë rast do të kërkohen dokumentacione shtesë. VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar ankesa edhe për 119 punësimet në Ekonominë e ujit, për komunën e Karposhit për sanimin e rrugës, për ndarjen e pakove sociale nga komuna Qendër, por të gjitha u refuzuan me pretekstin se këto projekte janë paraparë në programin vjetor të punës ose se nuk e kanë vërtetuar gjendjen faktike.

Përgatiti: Svetllana Unkovska

TARAVARI KUNDËR FILIPÇES, MOSPAJTIME PËR MODELIN E PARTNERITETIT PUBLIKO PRIVAT

0

Partneriteti publiko-privat në shëndetësi me spitalet shtetërore është një hap katastrofal i pushtetit dhe ministrit të Shëndetësisë. Kështu u shpreh Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët. Ai tha se ministri aktual duhet të ulët dhe të hartojë strategji për zhvillimin e shëndetësisë dhe për parandalimin  e ikjes së mjekëve dhe personelit teknik mjekësor. Sipas Taravarit në vitin 2016 nga vendi kanë ikur 170 mjek, ndërsa në vitin 2018  ky numër është rritur në 250.

“Është dështim sepse ky është shtet social. Këtu 90 për qind e pacientëve vijnë dhe nuk janë të gatshëm të paguajnë edhe participimin prej 10 për qind. Nëse shkohet në partneritet publiko-privat do të thotë t’i bëni çdo spitali të ketë një pronar edhe shtetin. Dhe në atë moment do të ndryshojnë edhe kushtet por edhe si tha ministri, do të mund të shërohet vetëm ai që e ka xhepin e thellë që ishte një lapsus i tij dhe besoj se nuk mendon ashtu”, u shpreh Arben Taravari, nga Aleanca për Shqiptarët.

Por ministri i shëndetësisë Venko Filipçe thotë se modeli i partneriteti publiko-privat është e ardhmja e shëndetësisë. Ai shtoi se si ministri do të bëjnë gjithçka që t’i rrisin investimet në sistemin shëndetësor dhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

“Dua të theksoj edhe një gjë se ky model i partneritetit publiko-privat është e ardhmja në të cilën duhet të zhvillohet sistemin jonë shëndetësor. Duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset që posedojmë dhe të investojmë vetëm aty ku kemi nevojë dhe sipas vlerësimeve të mëhershme  saktë e dimë se ku duhet të investojmë në infrastrukturë dhe ku nuk ka nevojë ta bëjmë”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Orhan Ramadani zv/drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor tha se prej 1 janar 2014 deri më 31 dhjetor 2018, Fondi ka paguar rreth 2 milion euro për mbi 100 mjekime të fëmijëve për intervenime kardio kirurgjike që janë kryer jashtë vendit. Ai tha se ndërhyrjet kardiokirurgjike që kryhen në spitale private do të vazhdojnë të mbulohen nga Fondi.

“Mjetet që Fondi do të vazhdojë t’i sigurojë për këto shërbime shëndetësore do të jenë në nivel të njëjtë, respektivisht buxheti prej 65 milion denarë që e kemi ndarë për shërbimet shëndetësore të Zhan Mitrev dhe intervenimeve kardiokirurgjike për foshnje dhe fëmijët të moshës deri më 18 vjet. Në thelb paraqet mesataren e buxhetit vjetor që deri më tani e sigurojmë për kardiokirurgjinë e fëmijëve në suaza të Klinikës Universitare për sëmundje të fëmijëve”, potencoi Orhan Ramadani, zv/drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.

Mjeku Vlladimir Çadikovski, tha se asnjë fëmijë me sëmundje kardiokirurgjike nuk ka nevojë të dërgohet jashtë vendit për mjekim. 2 muaj që kur ka filluar projekti për partneritet publiko-privat në Klinikën Zhan Mitrev janë kryer më shumë se 10 intervenime kardiokirurgjike.

Përgatiti: Valmira Zendeli

“TOSHE PROESKI” EMRI I RI I ARENËS NACIONALE, HAXHIEVSKI: VENDIM I NGUTSHËM, QYTETARËVE U PËLQEN “STADIUMI I QYTETIT”

0

Ishte “Stadiumi i qytetit” pastaj u bë “Arena Nacionale Filipi dytë”, për një kohë e mbajti emrin “Telekom Arena” dhe serish u kthye në “Arena Nacionale Filipi dytë”. E së fundmi emri më i ri i stadiumit në Shkup u vendos që të jetë “Toshe Poreski”, emri i këngëtarit tashmë të ndjerë.

Pas këtij vendimi të qeverisë, pati shumë reagime se pse një objekti të sportit, po i vendoset një emër të një këngëtari.

Ish-seleksionuesi i Maqedonisë Gjoko Haxhievski thotë se është një vendim i shpejtë dhe sipas tij për objekte sportive duhet të zgjidhen emra të sportistëve të dalluar.

“Ky vendim ishte i shpejtë dhe nuk la hapsirë për komente dhe polemika. Gjeneralisht, mendoj se për objekte sportive zgjidhen emra të sportistëve të dalluar, legjendave të mëdha, apo edhe emri i presidentit të shtetit. Në disa shtete stadium merr emrin e sponzorit, Arena mund të quhej qoftë “Telekom Arena” apo ndonjë emër të ndonjë tjetër kompanie të madhe shtetërore. Megjithatë do ta përsëris, bëhet fjalë për njërin ndër personat më të dashur në Maqedoni në përgjithësi gjatë historisë”, theksoi ish seleksionuesi i Maqedonisë, Gjoko Haxhievski.

Pyetëm edhe disa qytetarë se çfarë mendojnë për emrin e ri të stadiumit. Shumica prej tyrejanë që stadiumi ta mbaj emrin “Stadiumi i Qytetit”.

“Kjo duhej të emërohej sipas sportistëve të njohur ose do ishte mirë të ishte “Stadiumi i Qytetit”, ashtu siç ka qenë më parë. Është shumë vështirë të vendoset, do thoja, Darko Pançev ose Shaban Tërstena apo kemi edhe shumë legjenda tjera”, shtoi një qytetar.

“Për fat, unë mendoj dhe them se ajo nuk është zgjidhja më e mirë sepse kemi shumë figura tjera historike të cilat kanë merita të mëdha për Maqedoninë, të cilët kanë qenë të angazhuar në periudhë të gjatë. Edhe Toshe Proeski ka rëndësinë e tij në art dhe muzikë dhe është zgjidhje edhe më e mirë nga ajo që ishte deri më tani, “Filipi i Dytë”, sepse ai as nuk që është maqedonas apo nuk ka lidhje me Maqedoninë, ai është nga periudha antike nuk është nga Maqedonia e tanishme”, tha një tjetër qytetar.

“Unë pajtohem me fjalët që i tha basketbollisti ynë, vërtetë duhej të ishte një emër sportisti. Nuk kam asgjë kundër Toshes, atë e duam të gjithë por ai ishe këngëtar. Duhej të mbetej, “Stadiumi i Qytetit”, u shpreh një tjetër qytetar.

Propozimi për ndryshimin e emrit të Arenës nacionale buron nga marrëveshja e Prespës, ndërsa vendimi u morr në seancë qeveritare. Sipas zëdhënësit Muhamed Hoxha asnjë anëtar brenda Qeverisë nuk ishte kundër këtij emri.

“Propozues ishte i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të ri-emërtohet kjo arenë sportive nacionale nga “Filipi i Dytë”, në Toshe Proeski dhe ky propozim u pranua nga të gjithë”, deklaroi Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësi tjetër Mile Boshnjakoski tha se për vendosjen e atij emri, është marrë leje nga vet familja e Toshe Proeskit.

Përgatiti:Mevludin Imeri

Haradinaj ka reaguar pas konstatimeve të FMN-së për ekonominë e Kosovës

0

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njoftuar dje se pret që ekonomia e Kosovës të rritet me 4.2% në vitin 2019, nga 4 për qind sa ishte parashikuar në tetor. Lidhur me këtë ka reaguar Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se ky konstatim i FMN-së është inkurajues ndonëse ka ende punë për t’u bërë.

“Një lajm inkurajues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) rreth zhvillimit ekonomik të Kosovës. FMN ka konstatuar se parashikimet për ngritje të vërtetë ekonomike të Kosovës janë tejkaluar dhe pritet që ky zhvillim të jetë 4.2%. Për më shumë, politikat e ndërtuara për zhvillim ekonomik parashihen se do të jenë stabile edhe për vitet në vijim. Kosova, përmes këtyre politikave ka ndërtuar kapacitete, ka forcuar sundimin e ligjit, dhe ka bërë mbështetjen e bizneseve për një ekonomi të tregut të lirë. Kemi ende punë për të bërë, por konstatimi pozitiv i FMN-së është inkurajues për vazhdimin e reformave në ekonomi, fuqizimin e prodhimit vendor dhe zhvillimin e qëndrueshëm.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook./21Media

BISEDIMET PËR FATIN E PPS-së DO TË VAZHDOJNË, PRITEN PROPOZIMET E VMRO-DPMNE-SË

0

Pushteti dhe Opozita nuk zbulojnë detaje nga takimet për Prokurorinë Publike. Takimi i fundit mes pushtetit dhe VMRO-DPMNE-së u mbajt larg mediave dhe thuhet se janë pajtuar për disa pikë.

Opozita kërkon që  Prokuroria aktuale të përfundojë vetëm rastet e nisura gjyqësore, pa shfrytëzuar bombat si dëshmi. Partia opozitare gjithashtu kërkon ndryshimin e ekipit të Prokurores Katica Janeva, si dhe Prokuroria speciale të jetë pjesë e prokurorisë për krime të organizuara.

Ndërsa propozim ligjin që e ka përgatitur Ministria e drejtësisë parashikon që bombat të shfrytëzohen si dëshmi deri në shtator të 2020 për të gjitha lëndët që janë në gjykim ose parahetim dhe Prokuroria speciale të jetë sektor në vete në Prokurorinë e rregullt si dhe PPS-ja serish të drejtohet nga Janeva.

Grupet e punës së qeverisë dhe opozitës, për herë të fundit u takuan pardje, ku të dy palët ranë dakord se dallimet kyçe mbeten, por se konsultimet për këtë ligj do të vazhdojnë. Nga Ministrisë së Drejtësisë thonë se takim do të ketë kur VMRO-DPMNE do përgatisë propozim ligjin për fatin e Prokurorisë Publike Speciale.

“Pritët që VMRO-DPMNE-ja  të dorëzojë propozimin e saj për dallimet kyçe, që do të jet në përputhje me rekomandimet evropiane. Kur të jetë VMRO-DPMNE-ja e gatshme me propozimin, do të ketë takim. Varet nga ata”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE-ja, thotë që nëse dëshirojmë luftë të vërtetë me krimin dhe korrupsionin, pushteti duhet të pranojë kërkesat e tyre. Por pa precizuar kërkesat e tyre.

“Nëse tregojmë se a jemi të kënaqur apo jo, do të ishte e pa ndershme për shkak se kërkesat tona për  ligji për Prokurorinë Publike dhe fatin e Speciale, bazohen në qëndrime parimore, të sinqerta dhe të ndershme, qëndrime që janë në përputhje me jurespodencën ndërkombëtare dhe të vendit. Këtu nuk ka diçka që mund të jemi të kënaqur apo jo, d.m.th. kërkojmë zbatim të mirëfilltë të standardeve ndërkombatare dhe vendore”, deklaroi Igor Janushev, nga VMRO-DPMNE.

Nga qeveria pohojnë se PPS do të vazhdojë me funksionin e saj dhe se bisedimet me opozitën nuk zhvillohen pas dyerve të mbyllura dhe se ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska çdoherë ka dhënë deklarata në lidhje me këtë çështje.

Përgatiti: Zimer Jashari

ÇEDOMIR JOVANOVIQ FLET PËR TV21, JAM KUNDËR KËMBIMIT TË TERRITOREVE DHE KEQTRAJTIMIT TË NJERËZVE

0

Lideri i partisë demokratike liberale serbe Çedomir Jovanoviq asnjëherë nuk e ka fshehur qëndrimin e tij se Kosova është krejtësisht e pavarur nga Serbia që nga përfundimi i luftës. Ai në një prononcim për TV21 tha se Kosova duhet të jetojë jetë normale njëjtë si Serbia, ndërsa pengesat në atë rrugë, sipas tij janë politike.

“Për Vuçiqin janë problem taksat dhe nuk dëshiron të ulet në tavolinë derisa nuk tërhiqet ai vendim. Këtë nga Prishtina e kërkojnë Evropa dhe Amerika por nga ana tjetër duket që Qeveria e Kosovës ka logjikë të saj dhe arsye pse insiston që dialogu të vazhdohet më ndryshe nga ajo që deri më tani është zhvilluar. Tashmë disa vite në Bruksel takohen politikanë nga Beogradi dhe Prishtina, është nënshkruar marrëveshja e Brukselit. Pjesa më e madhe është realizuar por ende nuk është ajo që është parakusht për normalizim të raporteve. Kjo është gatishmëria e Beogradit që të nënshkruaj marrëveshje detyruese juridike me Prishtinën me të cilën nuk do i pengoj më Kosovës në skenën ndërkombëtare, OKB dhe integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO”, deklaroi Çedomir Jovanoviq, Lider i Partisë Demokratike Liberale Sërbe.

Ai tha se është kundër këmbimit të territoreve dhe keqtrajtimit të njerëzve, por tha se është PRO një marrëveshjeje e cila do të ishte në interes të të gjithëve.

“Unë jam kundër këmbimit të territoreve, maltretimit të njerëzve, largimit të banorëve, ndonjëherë duhet pasur mençuri për të sjellë vendime që kanë të bëjnë me respektimin e jetës. Unë nuk e di nëse janë të  sakta informacionet e publikuara nëpër mediat në lidhje me disa komuna të veriut të Kosovës dhe me anën e tjetër të Preshevës dhe Bujanovcit, por e di se qytetarët paguajnë çmim të lartë për marrëveshjet politike. Pra,  nuk jam kundër ndonjë marrëveshjeje që do ta arrijnë Beogradi dhe Prishtina. Nëse ne merremi vesh dhe vlerësojmë se kjo është në interes të të gjithëve, atëherë, kjo marrëveshje duhet të pranohet. Por, këtë duhet ta tregojnë Thaçi dhe Haradinaj, Vuçiqi, Mogerini, Amerika, ata të cilët marrin pjesë në ato negociatat”, u shpreh  Çedomir Jovanoviq, Lider i Partisë Demokratike Liberale Sërbe.

Jovanoviq tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë më kohë për të pritur, andaj sipas tij nevojitet që të përshpejtohen marrëveshjet politike, sepse siç u shpreh, jeta lëviz me shpejtësi.

Përgatiti: Mevludin Imeri

Javën e ardhshme fillojnë konsultimet për formimin e Qeverisë së re të Izraelit

0

Presidenti izraelit Reuven Rivlin javën e ardhshme do të fillojë konsultime me partitë që morën deputetë në përbërjen e re të Knesetit për formim të qeverisë së re të Izraelit, ka bërë të ditur sot Kabineti i shefit të shtetit.

Në komunikatë theksohet se konsultimet mes Rivlinit dhe përfaqësuesve të partive politike do të “transmetohen drejtpërdrejtë në gjitha platformat në emër të transparencës”, që siç theksohet në tekst, paraqet “vendim historik në historinë e Beit Hanasit”, rezidencës së presidentit.

“Pas dëgjimit të rekomandimeve të partive për kryeministrin e ardhshëm, presidenti do të merr mandat për formimin e qeverisë”, theksohet në kumtesë.

Siç njofton DPA, mandatari do të ketë afat prej 28 ditësh për formimin e Qeverisë, nëse nuk arrin sukses në atë periudhë mund të fitojë edhe 14 ditë shtesë.

Paralajmërimet për konsultime rreth formimit të qeverisë re të Izraelit vijnë pas zgjedhjeve parlamentare ku më shumë vota mori partia konservative Lukud e kryeministrit aktual Benjamin Netanjahu.

Partitë e koalicionit aktual qeveritar kanë marrë bashkë 60 deputetë ose një më shumë nga 61 vendet e mundshme për shumicë parlamentare.

Sonte në emisionin Click Plus në TV21, Fushata dhe partitë shqiptare

0

Tema: Fushata dhe partitë shqiptare

– Çfarë mesazhesh po përcillen deri më tani gjatë fushatës zgjedhore?
– A po dalin kandidatët jashtë kompetencave të një presidenti kur mbajnë fjalime të gjata me premtime prej një kryeministri?
– Përse kandidatët për president tentojnë të shfaqen si të pavarur?
– Përse BDI mendon se e ardhmja i takon kandidatit konsensual, ndërsa opozita këmbëngul në kandidat shqiptar?

Sonte në Tv21, debatojmë me të ftuarit:

Nevzat Bejta – BDI
Skender Rexhepi, Zejdi – Alternativa
Elmi Aziri – ASH
Arijanit Hoxha – Lëvizja Besa

Shihemi sonte në Click Plus, në ora 21:30

Qëndrim Rijani, për herë të parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Maqedoni do të sjell operën “Skenderbeu”

0

Regjisori Qëndrim Rijani ishte sot i ftuar në emision Tempora X në OraNews, në Shqipëri, të cilët nga atje për herë të parë bëri të ditur se është duke punuar gati dy vite së bashku me Fatos Lumanin dhe Arian Krasniqi, për të sjellë operën “Skenderbeu”, në teatrin e Operës dhe Baletit në Maqedoni.

“Në historinë e Teatrit e Operës dhe Baletit të Maqedonisë deri sot nuk është vënë asnjë operë Shqiptare dhe mendoj se tabuja akoma nuk është qarë deri atje brenda, por besoj që do arrihet. Dhe po them që në momentin që nuk ka rëndësi a është Qëndrim Rijani regjisor apo Fatos Lumani kompozitor apo Ariani. Akti në vetvete mendoj se  do të jetë një akt i cili do të dëshmoj, nëse ne arrijmë si shqiptarë të Maqedonisë të jemi në stadin më të lartë kulturorë, në shkallën më të lartë të një niveli kulturorë të përfaqësuar denjësisht atëherë ne mund të flasim me teorinë e evropianizimit dhe teorinë e arritjes së te drejtave të shqiptarëve”, deklaroi regjisori Qëndrim Rijani në emisionin Tempora X në OraNews.