Partneriteti publiko-privat në shëndetësi me spitalet shtetërore është një hap katastrofal i pushtetit dhe ministrit të Shëndetësisë. Kështu u shpreh Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët. Ai tha se ministri aktual duhet të ulët dhe të hartojë strategji për zhvillimin e shëndetësisë dhe për parandalimin e ikjes së mjekëve dhe personelit teknik mjekësor. Sipas Taravarit në vitin 2016 nga vendi kanë ikur 170 mjek, ndërsa në vitin 2018 ky numër është rritur në 250.
“Është dështim sepse ky është shtet social. Këtu 90 për qind e pacientëve vijnë dhe nuk janë të gatshëm të paguajnë edhe participimin prej 10 për qind. Nëse shkohet në partneritet publiko-privat do të thotë t’i bëni çdo spitali të ketë një pronar edhe shtetin. Dhe në atë moment do të ndryshojnë edhe kushtet por edhe si tha ministri, do të mund të shërohet vetëm ai që e ka xhepin e thellë që ishte një lapsus i tij dhe besoj se nuk mendon ashtu”, u shpreh Arben Taravari, nga Aleanca për Shqiptarët.
Por ministri i shëndetësisë Venko Filipçe thotë se modeli i partneriteti publiko-privat është e ardhmja e shëndetësisë. Ai shtoi se si ministri do të bëjnë gjithçka që t’i rrisin investimet në sistemin shëndetësor dhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
“Dua të theksoj edhe një gjë se ky model i partneritetit publiko-privat është e ardhmja në të cilën duhet të zhvillohet sistemin jonë shëndetësor. Duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset që posedojmë dhe të investojmë vetëm aty ku kemi nevojë dhe sipas vlerësimeve të mëhershme saktë e dimë se ku duhet të investojmë në infrastrukturë dhe ku nuk ka nevojë ta bëjmë”, deklaroi Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Orhan Ramadani zv/drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor tha se prej 1 janar 2014 deri më 31 dhjetor 2018, Fondi ka paguar rreth 2 milion euro për mbi 100 mjekime të fëmijëve për intervenime kardio kirurgjike që janë kryer jashtë vendit. Ai tha se ndërhyrjet kardiokirurgjike që kryhen në spitale private do të vazhdojnë të mbulohen nga Fondi.
“Mjetet që Fondi do të vazhdojë t’i sigurojë për këto shërbime shëndetësore do të jenë në nivel të njëjtë, respektivisht buxheti prej 65 milion denarë që e kemi ndarë për shërbimet shëndetësore të Zhan Mitrev dhe intervenimeve kardiokirurgjike për foshnje dhe fëmijët të moshës deri më 18 vjet. Në thelb paraqet mesataren e buxhetit vjetor që deri më tani e sigurojmë për kardiokirurgjinë e fëmijëve në suaza të Klinikës Universitare për sëmundje të fëmijëve”, potencoi Orhan Ramadani, zv/drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Mjeku Vlladimir Çadikovski, tha se asnjë fëmijë me sëmundje kardiokirurgjike nuk ka nevojë të dërgohet jashtë vendit për mjekim. 2 muaj që kur ka filluar projekti për partneritet publiko-privat në Klinikën Zhan Mitrev janë kryer më shumë se 10 intervenime kardiokirurgjike.
Përgatiti: Valmira Zendeli
